Integrimi europian në këndvështrimin ekonomik

Nga Zef  Preçi

Tashmë kur kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ndryshimet sistemike që përgatitën lënien pas të ekonomisë së centralizuar, dhe sidomos duke gjykuar nga niveli i sotëm i zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mund të thuhet pa mëdyshje se ashtu si në shumë vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, përvoja e Shqipërisë me tranzicionin ka qenë vërtet e dhimbshme. Siç dihet, menjëherë mbas rënies së komunizmit, ekonomia shqiptare kaloi në një gjendje kolapsi, në vend u shfaqën probleme të mprehta sociale, ndërsa emigracioni u shndërrua në një dukuri masive.

Pavarësisht reformave strukturore të rëndësishme të viteve të para të tranzicionit, stabilizimit makro-ekonomik të arritur mbas krizës së vitit 1997, rritjes ekonomike të qëndrueshme për gati një dekadë dhe performancës fiskale të pëlqyeshme të viteve të fundit, ekonomia shqiptare mbeti një ekonomi kryesisht e bazuar në sektorin bujqësor dhe shërbime, ndonëse edhe bujqësia ishte dhe është mjaft e fragmentuar, jokonkurruese dhe vetëm një pjesë e vogël e saj është e aftë të ofrojë mallra për treg. Ndërkaq vitet e fundit, për shkak edhe të implikimeve të krizës ekonomike globale, faktorët e rritjes së produktivitetit në ekonominë shqiptare kanë shfaqur prirjen e ngadalësimit, gjë që mesa duket përbën një kushtëzim të rëndësishëm në procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

E kur flasim për anëtarësimin në BE, në këndvështrimin ekonomik, ky proces ka të bëjë me plotësimin jo vetëm të kriterit politik (stabilitetit të institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, si dhe respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve) dhe njohjen e pranimin e legjislacionit përbashkët të BE – Community acquis (aftësisë për të marrë përsipër detyrimet që burojnë nga anëtarësimi, duke përfshirë edhe bindjen kundrejt qëllimeve të bashkimit politik, ekonomik dhe monetar), por edhe plotësimin e kriterit ekonomik – ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale dhe aftësinë për të ndërvepruar me presionet dhe forcat e tregut brendapërbrenda BE-së. Natyrisht që këto parime janë sanksionuar dhe zbërthyer në dhjetëra dokumente bazë të Bashkimit Europian që zënë fill në vitet ’50 të shekullit të kaluar, dhe janë përpunuar hap pas hapi në përputhje me rrethanat specifike të vendeve të veçanta.

Në një koncept më të thjeshtë, procesi i integrimit europian për secilin prej vendeve që është anëtar, është futur në këtë proces apo synon të përfshihet në të ardhmen,  themelor mbetet bashkëpunimi ekonomik me vendet fqinje si një rrugë që krijon interesa të përbashkëta, shton shanset e pajtimit dhe kapërcimit të problemeve të krijuara nga konfliktet e së shkuarës, duke ndihmuar kështu në zhvillimin e lidhjeve paqësore dhe të dobishme ndërmjet vendeve dhe kombeve. Dhe shembull për këtë janë padyshim Gjermania dhe Franca.

Perceptime rreth bashkëpunimit ekonomik të Shqipërisë me BE-në dhe pritshmërive të qytetarëve nga ky proces

Në një plan më të gjerë, nuk ka dyshim se perspektiva europiane e Shqipërisë, ashtu si për vendet e tjera të Ballkanit duke përfshirë edhe Republikën e Kosovës, është një proces i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm, ndonëse i vështirë për t’u parashikuar në kohë. Parakushtet mbeten po ato: shtet i fortë me administratë eficiente, forcim i shtetit ligjor, përmirësim i kushteve për rritjen ekonomike dhe zgjerim i bashkëpunimit rajonal. E këto parakushte i janë paraqitur qeverisë shqiptare shumë kohë më parë – qysh në vitin 1999. Ndonëse për një pjesë të mirë të këtyre proceseve mungojnë të dhënat e detajuara që mund të argumentojnë këto procese, nga raporte, studime, analiza, të dhëna statistikore, etj., mund të arrihet në përfundimin se pavarësisht hapave para-prapa, ngadalësisë së procesit, etj., mbështetja publike, nga ana e komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, etj., ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet mjaft e lartë, ndoshta ndër përparësitë kryesore të axhendës zhvillimore të vendit. Pavarësisht kësaj dhe faktit se qeveritë shqiptare të dekadës së fundit kanë qenë të angazhuara për këtë përparësi, dhe në disa raste, posaçërisht gjatë dy viteve të fundit ato kanë dështuar në adresimin e tyre në mënyrë të përshtatshme si dhe në arritjen e rezultateve të prekshme në interes të qytetarëve të vendit. Në këtë mënyrë, duket sheshit se zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i vendit është ngadalësuar dukshëm së bashku me vetë procesin e integrimit europian të tij…

Vlen të theksohet se në momentin aktual të procesit të integrimit europian vihet re një rritje e ndërvarësisë midis zhvillimeve politike dhe reflektimit të tyre në aspektin ekonomik të këtij procesi. Ndërkaq është po aq e qartë se reformat ekonomike dhe politike të ndërmarra në vend karakterizohen nga adoptimi në vijimësi i kuadrit legjislativ, i cili nga ana e vet përbën padyshim edhe demonstrimin kryesor të orientimit pro-europian politik, ekonomik e social të vendit në përgjithësi dhe të klasës politike drejtuese në veçanti. Për fat të keq, po kaq evident është edhe fakti se zbatueshmëria e këtij kuadri, ashtu si dhe vetë funksionimi i shtetit të së drejtës në tërësi, është përkeqësuar, duke nxitur mosbesimin e qytetarëve dhe biznesit ndaj institucioneve vendase, si dhe duke ushqyer pritshmëritë e gabuara për zgjidhjen “europiane” të problemeve “shqiptare”, gjë që tingëllon sa naive aq edhe e pambështetur në raportet reale institucionale të Shqipërisë me BE-në.

Gjithashtu duhet pranuar se përgjithësisht, jo vetëm në radhët e qytetarëve të thjeshtë, por edhe në radhët e administratës publike, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe madje edhe të mas-medias ekziston një perceptim disi naiv i tërë procesit të integrimit europian të Shqipërisë, perceptim që nga njëra anë përjashton apo shpërfill thuajse plotësisht kostot e këtij procesi apo aspektet ekonomike, si dhe e redukton integrimin në lirinë tashmë të fituar të lëvizjes nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së. Dmth lihen jashtë këndvështrimit publik zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit ligjor dhe demokratizimi, duke e parë lëvizjen e lirë (pa viza) të qytetarëve shqiptarë të shkëputur dhe jashtë kontekstit të lëvizjes së lirë të kapitaleve dhe biznesit brenda dhe jashtë vendit; mundësisë së punësimit të lirë në vendet e BE-së, etj.

Në aspektin e hapjes së ekonomisë shqiptare, sipas të dhënave të Raportit të Progresit të Shqipërisë për vitin 2011 rezulton se ky proces ka vazhduar të përparojë edhe gjatë dy-tri vjetëve të fundit. Vëllimi i importeve dhe eksporteve të mallrave dhe të shërbimeve të Shqipërisë në vendet e BE-së zinte pak më shumë se 86% te GDP  në vitin 2010 nga 82% në vitin paraardhës. Ndërsa vëllimi i importit dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve u rrit me një ritëm më të shpejtë se në vitin 2009. Në këtë mënyrë, BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me rreth 3/4 e eksporteve dhe të importeve të marrë së bashku (2010), ndërsa Italia dhe Greqia së bashku zënë rreth 70% të totalit të volumit të tregtisë së mallrave. Në përgjithësi, BE-ja mbetet partneri tregtar kryesor i Shqipërisë edhe në fushën e investimeve, ndërsa tregtia me vendet e CEFTA-s është në rritje.  Megjithatë, baza e prodhimit shqiptar është përqendruar vetëm rreth disa sektorëve dhe tregjeve të eksportit me vlerë të shtuar të ulët duke e lënë ekonominë të dobët dhe te ekspozuar ndaj goditjeve të veçanta.

Çfarë presin në të vërtetë qytetarët shqiptarë nga integrimi europian?

Për një “qytetar mesatar”, në kuptimin që ka ky nocion kudo në vendet e BE-së, secili duhet të jetë i vetëdijshëm se realizimi apo kryerja e këtij procesi përmban në vetvete njëkohësisht si përfitime të padiskutueshme individuale dhe në nivelin e tërë shoqërisë shqiptare, ashtu edhe disa kosto të pashmangshme për t’u paguar nga shoqëria shqiptare. Ndërkaq, po aq i vërtetë dhe i pranuar “a priori” është edhe fakti se procesi i integrimit europian përmban efekte si në nivelin mikro-ekonomik ashtu edhe në atë makro-ekonomik, si në periudhën afatshkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë.

Studime të ndryshme si dhe përvoja e vendeve që tashmë janë anëtarë të BE-së ose më pranë saj në krahasim me Shqipërinë tregojnë se përfitimi kryesor i pritshëm i këtij procesi është aksesi apo pjesëmarrja e eksporteve shqiptare në tregjet e huaja, nxitja e strukturave konkurruese dhe përmirësimet që lidhen me eficiencen, që të marra së bashku në një periudhë afatgjatë do të çojnë në forcimin e ekonomisë shqiptare. Ndërsa kostot e vlerësuara të këtij procesi lidhen kryesisht me ndryshimin që sjell ndryshimi nga një “ekonomi e mbrojtur” në një ekonomi të hapur dhe konkurruese, e cila nga ana e saj nuk mund të mos çojë në humbjen e të ardhurave, dhe kuptohet edhe, të vendeve të punës.

Njëkohësisht ekziston edhe një perceptim, që nuk rezulton të jetë pa baze, edhe për faktin se çështje të tilla si madhësia e vendit, kultura e tij apo çështje të natyrës nacionale ndikojnë jo pak në ritmet dhe dinamiken e procesit të integrimit europian. Megjithatë pranohet gjerësisht se anëtarësimi në BE është një mundësi thelbësore për vendet ende jo anëtare të këtij Bashkimi që të sigurojnë rritje ekonomike të qëndrueshme, kryesisht nëpërmjet zgjerimit të lidhjeve tregtare dhe hyrjes se fondeve për përmirësimin e infrastrukturës. Natyrisht që duke qenë e informuar për kushtëzimet dhe mundësitë e përfitimeve të kësaj natyre, qeveria shqiptare ka bere përpjekje për ndërmarrjen e reformave strukturore, që në harkun e më shumë se një dekade kanë mundësuar një kurs këmbimi të qëndrueshëm, mbajtjen nën kontroll të inflacionit si dhe norma të interesit për huatë bankare në kufij të kontrolluar nga autoriteti qendror monetar i vendit (Banka e Shqipërisë). Si rezultat, duhet venë në dukje se paralelisht është mundësuar edhe rritja graduale e nivelit të jetesës se qytetareve dhe familjeve shqiptare, si dhe është ngushtuar, të paktën deri në fillim të vitit 2008, kategoria e familjeve shqiptare që jetonin në varfëri ekstreme.

Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se edhe në Shqipëri, perspektiva e qenies një ditë vend anëtar i BE-se ka shërbyer dhe shërben si një nxitje për ndërmarrjen e reformave ekonomike, sociale, politike dhe ligjore në vitet që kanë kaluar qysh nga fillimi i këtij procesi.

Përcaktimi pa hezitim dhe në mënyrë gati unanime i elitës politike dhe drejtuese të vendit në favor të anëtarësimit në BE, ndonëse në mjaft raste në mënyrë deklarative dhe pa ndonjë skenar të identifikueshëm apo të matshëm zhvillimor, ka ndihmuar gjithashtu në promovimin e zhvillimit ekonomik si përparësi të programeve qeveritare. Këto të fundit pikërisht për këtë arsye, janë mbështetur nga programet e asistencës, të ndërmarra në synim qe vendi të përmbushë angazhimet e veta kontraktuale në funksion të procesit të integrimit europian të vendit. Pavarësisht kësaj, zhvillimet politike konfliktuale të dy viteve të fundit kanë treguar jo vetëm kushtëzimin e dukshëm të reformave ligjore dhe atyre ekonomike të pritshme në funksion të integrimit europian nga raportet politike midis shumicës dhe pakicës parlamentare, por edhe kanë çuar në përkeqësimin e zbatimit të këtyre reformave, në rritjen e arbitraritetit të administratës fiskale kundrejt biznesit, në transparencën e pamjaftueshme në një numër investimesh dhe privatizimesh të shoqërive publike, etj. Dmth paqëndrueshmëria politike e brendshme dhe mangësitë që shfaq sistemi politik e kushtetues i vendit rezultojnë të jenë nder pengesat kryesore të procesit të integrimit europian të vendit, të paktën në vonimin e këtij procesi.

Ndërkaq, në procesin përgatitor dhe në funksion të drejtpërdrejtë të integrimit europian, vitet e fundit Shqipëria ka ecur përpara në procesin e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Madje, duke ndjekur trajektoren e qëndrimeve të burokracisë se BE-se kundrejt vendeve të Ballkanit të krijohet përshtypja se megjithë shpejtësinë e ndryshme të procesit të integrimit europian të vendeve të veçantë të fiksuar në marrëveshjet e secilit vend me BE-në, herë-herë bashkëpunimi rajonal mbizotëron bashkëpunimin e tyre individualisht me këtë Bashkim. Me e pakta që mund të thuhet është se këto dy procese duhet të ecin paralelisht dhe se bashkëpunimi ekonomik rajonal mbetet një test i fortë për secilin vend në rrugën e identifikimit dhe të sigurimit të përfitimeve që vijnë nga avantazhet konkurruese dhe krahasuese të tyre. Për fat të keq, të dhënat mbi ekonominë shqiptare, posaçërisht mbi eksportet dhe strukturën e tyre, tregojnë se kjo ekonomi është ende shume e dobët, përgjithësisht e paaftë të konkurrojë edhe me një numër vendesh të rajonit, ndërsa prodhimet e saj janë të një cilësie të ulët.

Rritja e pranisë së një numri investitorësh të huaj në sektorë të tillë si prodhimi i energjisë elektrike, investimet publike në fuqizimin e rrjetit të transmetimit, etj., vlerësohet se mund të kontribuojë në sigurimin e energjisë elektrike për bizneset dhe familjaret – një nder problemet shqetësuese për një periudhe të gjatë për ekonominë e këtij vendi.

Efektet ekonomike të integrimit europian: a mund të maten ato?

 Studiues të ndryshëm, shqiptare dhe të huaj kanë ofruar modele të posaçme matjeje të efekteve ekonomike të procesit të integrimit europian. Fillimisht këto efekte ndahen në efekte të drejtpërdrejta dhe në efekte të tërthorta. Është e kuptueshme që efektet e grupit të pare mund të maten më me lehtësi mbasi kemi të bëjmë përcaktime sasiore, ndërsa të dytat – efektet e tërthorta, konsiderohen ato efekte që lidhen me impaktin e këtij procesi në sektorët e ndryshëm të ekonomisë kombëtare shqiptare, efektet në shpërndarjen e burimeve si dhe efektet në rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë.

Ndër efektet e drejtpërdrejta të integrimit, disa autorë rendisin: a) efektet në diversifikimin e tregtisë, dmth ndryshimin e drejtimit te tregtisë së jashtme nga një vend partner në drejtim të një vendi tjetër; b) efektet në bilancin e pagesave; c) efektin në të ardhurat qeveritare; d) efektet në mirëqenien e konsumatoreve, etj. Natyrisht që drejtimet e këtyre efekteve janë të ndryshme, komplekse dhe që dëshmojnë rritjen e ndërvarësisë së ekonomisë së vendit kundrejt tregjeve të vendeve europiane, veçanërisht në rastet kur vendi është importues neto dhe me një ekonomi të dobët dhe anemike në këndvështrimin e konkurrencës.

Ndërsa nder efektet e tërthorta vlen të dallohen efektet sektoriale dmth ndikimi në prodhimin, punësimin, tregtinë, etj. Të tilla janë edhe efektet në shpërndarjen e burimeve dhe rishpërndarjen e të ardhurave; efektet në lidhjet tregtare; efektet në përmirësimin e pozicionit konkurrues të vendit në arenën ndërkombëtare; zvogëlimi i kostos se tregtisë, etj. Ndërkaq, përvoja botërore dhe ajo shqiptare provojnë se integrimi europian krijon mundësitë për rritjen e prodhimit vendas, për një frymëmarrje me të gjerë të biznesit privat dhe të investimeve të huaja për shkak se integrimi europian zvogëlon riskun politik të vendit. Madje ky proces ndikon edhe në renditjen e vendit nga agjencitë e specializuara, gjë e cila nga ana e saj shërben si njëlloj garancie plotësuese për investitorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare që planifikojnë të shtrijnë veprimtarinë e tyre në ekonominë shqiptare.

Në një terren me konkret, ekonomia shqiptare ka përfituar nga fondet e BE-së në disa drejtime kryesore, të tilla si transferimet buxhetore nëpërmjet programeve të granteve, të cilat i kanë përfituar edhe vende të tjera të rajonit siç janë PHARE, (Asistenca Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim (CARDS), SAPARD, ISPA, Instrumenti i Para Aderimit (IPA), TEMPUS, etj. Kuptohet që këto fonde kanë kontribuar në shtimin e investimeve publike, të ardhurave të fermerëve, etj, dhe në mënyrë të sintetizuar kanë kontribuar në rritjen e GDP-se se vendit. Efekte të tjera të tërthorta të integrimit europian shtrihen mbi shpërndarjen e burimeve në funksion të përgatitjes se vendit për një hapje të plotë ndaj konkurrencës perëndimore, efektet në tregtinë e jashtme, et.

Vlen të theksohet se këto efekte nuk janë vetëm pozitive dhe se asnjë vend nuk futet në këtë proces pa marrë parasysh edhe kostot përkatëse. Kosto to tilla, për fat të keq të pamatura dhe deri-diku edhe të panjohura në mjedisin shqiptar janë efektet negative mbi prodhimin (dmth rënia e prodhimit vendas dhe rritja e papunësisë për shkak te ekspozimit te vendit kundrejt konkurrencës që vjen nga jashtë); rritja e kostos buxhetore për përballimin e shpenzimeve te papunësisë; kostoja e ristrukturimit institucional në funksion të procesit të integrimit europian të vendit, etj.

Po kaq të rëndësishme janë edhe efektet që lidhen me zbatimin e tërësisë së rregullave që burojnë nga acquis communitaire, dmth të kostove që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, në sektorin bujqësor, në mbrojtjen e konsumatoreve, etj.

Në rastin e Shqipërisë, ndër përfitimet e tërthorta duhen llogaritur edhe përfitimet politike që lidhen me rritjen e sigurisë kombëtare dhe në nivel rajonal, përdorimi nga qeveritë shqiptare i avantazheve gjeo-strategjike që burojnë nga integrimi europian, efektet pozitive mbi situatën makro-ekonomike, etj.

Integrimi europian dhe kriza aktuale

Tashmë nuk ka mëdyshje se ekonomia shqiptare është goditur nga kriza ekonomike botërore, gjë që si një goditje e jashtme mbi këtë ekonomi, transmetohet përmes kanaleve të ndryshme si rënia e prurjeve monetare të emigracionit, zvogëlimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, zvogëlimi i kreditimit të ekonomisë dhe biznesit, zvogëlimi i kërkesës agregate të brendshme, e mbi të gjitha në ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike. Ky i fundit është një fenomen i përbashkët për shumicën e vendeve të rajonit tonë.

Në retorikën politike dhe debatin ndërmjet ekspertëve është shtruar cështja se si ka ndikuar ecuria e derisotme e reformave integruese në përballimin e efekteve të kësaj krize si dhe ceshtja tjetër se si kjo krizë po e ndikon vetë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.  Ose ndryshe, në c’masë reformat institucionale të ndërmarra gjatë periudhës së tranzicionit deri me sot kanë mundësuar vendin të përballet me goditje të jashtme të tilla si ato që lidhen me krizën ekonomike globale të 2-3 viteve të fundit? Natyrisht që në debat sillen argumente të ndryshme, por janë të paktën dy referenca që nuk mund të anashkalohen. E para është shkalla apo masa në të cilën vendi kanë adaptuar acquis communautaire të përmendura më lart, si një treguës përcaktues i vetë shkallës së integrimit në BE të tij, progresin e tranzicionit. Ndërsa referenca tjetër është mjedisi institucional i matur përmes cilësisë së qeverisjes. Studime të ndryshme provojnë se vendet me ekonomi më elastike për shkak të përparimit të shpejtë me reformat e tranzicionit janë në gjendje për t’u përshtatur më mirë kundrejt ndikimit të goditjeve të jashtme. Dmth ato vende që kanë shënuar progres më të madh në reformat institucionale dhe kanë zhvilluar mekanizma më të mire të tregut mund të konsiderohen më të afta se të tjerët për t’u përshtatur me ndikimin e goditjeve të jashtme, sic është edhe kriza aktuale, dhe anasjelltas.

Në këtë mënyrë mund të konsiderohet si i pathemeltë edhe argument i përdorur gjerësisht se “shkalla e ulët e integrimit të ekonomisë shqiptare me BE-në ka ndihmuar në mosprekjen e saj nga kriza ekonomike botërore” (?!). Kjo shpjegon edhe insistimin e autoriteve të BE-së për përfshirjen në cilëndo paketë rekomandimesh për qeverinë shqiptare të cështjeve që lidhen me mirëqeverisjen dhe ecjen përpara të reformave integruese të vendit në fushen e ekonomisë. Kështu psh në 12 rekomandimet e njohura ende në proces zbatimi nga pala shqiptare janë përfshirë edhe cështje të tilla si: forcimi i shtetit të së drejtës, rritja e pavarësisë së gjyqësorit; depolitizimi i administratës publike; zgjidhja e problemit të pronave; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.

Në vlerësimin tim, për përballimin me kosto sa më të ulët të krizes aktuale ekonomike botërore, po kaq të rëndësishme mbeten edhe politikat ekonomike të brendshme të qeverisë dhe të institucioneve ndërkombëtare nëpërmjet të cilave mund të zbuten ose të përkeqësohet ndikimet e mjedisit negativ të jashtem, etj.

Për sa i takon ndikimit të krizës aktuale në ecurinë e metejshme të integrimit europian të Shqipërisë, mendoj se nuk duhet të kemi iluzione se kjo krizë, efektet e së cilës pritet të shtrihen të paktën për një dekadë, nuk mund të mos vonojë vetë procesin e integrimit, madje edhe të shtojë kushtëzimet e BE-së ndaj vendeve si yni, por mendoj se kjo do të nxisë njëkohësisht edhe proceset e bashkëpunimit ekonomik rajonal duke e parë këtë të fundit si një mundësi për t’u afruar më shpejt me BE-në, tashmë në nje dimension rajonal dhe jo thjesht kombëtar apo në kuadrin e secilit vend të vecantë.

Një rekomandim-kujtese për rritjen e përfitimeve nga integrimi europian

Shkalla e lartë e ndërvarësisë së zhvillimeve politike dhe institucionale të Shqipërisë kundrejt atyre ekonomike të vendit nuk lë shumë hapësirë për formulim rekomandimesh specifike se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të përfituar sa më shumë nga procesi i integrimit europian të saj? Në çdo rast ka vetëm një përgjigje, e cila është provuar tashme nga vendet e anëtarësuara përpara Shqipërisë në këtë bashkim: vazhdimi i reformave dhe zbatimi rigoroz i atyre që janë ndërmarrë me herët. E në këtë proces nevojitet jo vetëm ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, por edhe një trajtim pragmatik dhe i balancuar që merr njëkohësisht në konsideratë si përfitimet, apo mundësitë që krijon procesi i integrimit europian, por edhe rreziqet e këtij procesi. Dmth qeveria duhet të ushtrojë përgjegjësitë e veta me synim gjithëpërfshirjen e aktoreve të ndryshëm institucionale dhe të opinionit publik në këtë proces, si dhe ndërgjegjësimin hap mbas hapi të tyre.

Një element i rëndësishëm për zhvillimin normal të procesit  të integrimit europian mbetet klima politike në përgjithësi dhe konsensusi politik për reformat kyçe që garantojnë suksesin e procesit. Zhvillimet politike të periudhës mbas vitit 2008 dhe posaçërisht gjatë dy viteve të fundit, të karakterizuara nga një ngërç politik dhe vënie e reformave pro integrimit në funksion të axhendave politike të shumicës dhe të pakicës parlamentare, por jo në kontekstin e afrimit të vendit me BE-në kanë krijuar një kosto shtesë të panevojshme si dhe kanë përkeqësuar edhe ecurinë e vetë procesit të integrimit në përgjithësi. Një shenje pozitive ishte marrëveshja politike e vjeshtës së 2011 ndërmjet tyre, por që ende nuk ka siguri nëse reforma elektorale, zhvillimet ekonomik, zhvillimet institucionale, reformat e tregut në tërësi së bashku me reformat juridike do të marrin udhe në funksion të përshpejtimit të integrimit europian të vendit.

Sidoqoftë, për ritmet, dimensionet dhe shtrirjen e reformave integruese të Shqipërisë në BE, tashme fjalën e ka pala shqiptare, elita politike e vendit, institucionet demokratike dhe qytetaret e tij.

 

 

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 01/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: