Arkiva Autori: Moderatori

Integrimi europian dhe roli i medias

Nga Fiona Mcllwham, Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar

(Fjala e ambasadores britanike Fiona McIlwham mbajtur në tryezën e rrumbullakët organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias)

Ky lloj diskutimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Media luan një rol vendimtar jo vetëm në raportim, por edhe i jep formë politikave dhe zhvillimeve në Europë. Procesi i integrimit të Shqipërisë si edhe debati rreth tij, meriton, dhe do të kërkojë, angazhimin e plotë të mediave në mënyrë që të ketë sukses.

Në Shqipëri, të gjitha partitë janë – ose thonë se janë – të përkushtuara për progresin e Shqipërisë në BE. Dhe shqiptarët e thjeshtë – mbi tetëdhjetë për qind e tyre – janë pro hyrjes në Bashkimin Europian. Kjo dëshirë është shumë pozitive dhe përputhet me ambiciet strategjike të BE-së për të integruar Shqipërinë dhe rajonin. Pra, kemi një kombinim perfekt. E megjithatë, progresi i Shqipërisë, siç e dimë, nuk ka qenë aq i qetë dhe i shpejtë. Shqipëria ka marrë dy “Jo” për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave. Për dallim, Serbia – ku sipas sondazheve entuziazmi është më i ulët – tridhjetë e gjashtë për qind – po vepron, po arrin rezultate dhe ka ecur përpara. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

BE-Shqipëri: porta e madhe dhe portat e vogla

Nga  Shaban Murati

Në një konferencë të mbajtur në muajin Mars, në Tiranë, lidhur me temën e integrimit europian të Shqipërisë, një përfaqësues i lartë i mazhorancës qeverisëse deklaroi se “për Shqipërinë dera më e afërt për në BE është Greqia”. Zyrtari i lartë përgjithësoi qëndrimin politik të partisë dhe të qeverisë që përfaqëson, duke ekspozuar rastësisht atë që mund të përkufizohet si thembra e Akilit e ecurisë shtetërore shqiptare në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt integrimit europian. Koncepti qeveritar se Shqipëria duhet të kalojë nëpër një portë tjetër të vogël, përpara se të hyjë në portën e madhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian, është një nga pikat më të dobëta të platformës qeveritare të Shqipërisë për integrimin e vendit në BE.

Duke iu përmbajtur këtij koncepti, edhe 20 vjet pasi Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e parë me BE, dhe është ndër vendet e para ish-komuniste, që ka aplikuar për anëtarësim në BE, mund të thuhet se në rrugën e gjatë dhe të vështirë, me kthesa dhe gropa, që vendi ynë po kalon për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria është shndërruar, me ose padashje, në një vetëpenguese e këtij integrimi europian. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Dimensioni i munguar i integrimit

Nga Helios Reveli*

Është mëse e pranuar tani se integrimi në Bashkimin Europian është konsideruar apo  ‘shitur’, nën ‘vizionin’ e një ‘Toke të Premtuar’ dhe si e tillë, ajo, ‘qenia supreme’ megjithëse jo dhe aq metafizike në rastin tonë, do përcaktojë se deri kur do  vazhdojë ky rrugëtim ‘nëpër shkretëtirë’, ndërsa ndëshkohemi që s’jemi sjellë ende denjësisht. Nëse do t’i mbahemi analogjisë, atëherë le të jemi optimistë se kemi kaluar gjysmën e rrugëtimit, por 40 vitet duan ende kohë. Por kohë për çfarë?

Mjafton vetëm të konstatohen rezultatet e sondazheve, intervistave mediatike apo edhe të studimeve, projekteve apo proto-projekteve të fokusuara mbi çështjen e integrimit dhe  problematikave në lidhje me  BE-në për të kuptuar mënyrën se si konsiderohet në masë të madhe ky integrim. Megjithatë nuk duhet të mohohet se ndërgjegjësimi lidhur me kuptimin dhe thelbin e këtij integrimi, është përherë në rritje. Pas 22 vjetësh ‘proces ndërgjegjësimi’ dhe Toka e Premtuar mbetet gjithmonë e më shumë ‘tokë e premtuar’, por pa arritur të shohim qartësisht se çfarë çalon realisht në këtë rrugëtim. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Integrimi europian dhe deja vu-ja e elitës shqiptare

Nga Adri Nurellari

Refuzimi për të disatën herë radhazi i statusit kandidat për faj të klimës konfliktuale në lojën politike shqiptare ka ngritur dyshime të mirëfillta lidhur me rolin e elitës sonë politike në kuadër të procesit të integrimit europian. Duke qenë se ky proces është një ndër prioritetet kryesore të vendit tonë të krijohet bindja se elita aktuale në vend që të shërbejë si aset, si lokomotivë që ta shtyjë procesin përpara, sillet më shumë si barrë, si një pengesë që shkakton stanjacion, madje deri diku edhe regres.

Kjo situatë aktuale të krijon një shije të hidhur deja-vu-je sepse situata të tilla ku elita e vendit nuk ka ditur që të kapë momentet historike duket se janë bërë traditë. Madje mund të thuhet se një ndër karakteristikat më të qëndrueshme të historisë moderne të kombit tonë ka qenë pikërisht paaftësia e elitave tona për të kapur momentin e volitshëm historik dhe për të shfrytëzuar konjukturat e favorshme për të kryer veprimin e duhur dhe për ta shtyrë përpara vendin dhe çështjen kombëtare. Me elitë nënkuptohet (sinonime të përshtatshme mund të ishin kasta, klika apo paria) ai segment i shoqërisë që ka në dorë politikën, sigurinë dhe ekonominë në një moment të caktuar e jo për ndonjë ajkë të shoqërisë sikurse shpesh nënkuptohet kjo fjalë në të folurën e përditshme. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Shansi i fundit

Nga Gjergji Filipi

Sfida e udhëheqësve politikë të tranzicionit mbetet ende e hapur, ndërsa ata nuk kanë arritur t’i binden me kurajo e përgjegjësi vullnetit të shqiptarëve për t’iu bashkuar Europës.

Slogani me të cilin studentët protestues rrëzuan regjimin komunist në Shqipëri më 1991 ishte: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Dy dekada pas rënies së regjimit mbi 80 përqind e shqiptarëve ende e kërkojnë këtë. Në daljet publike të udhëheqësve të vendit dëgjojmë vazhdimisht se “prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian”. Por, në këtë pikë, ka një problem më këtë shpallje të përsëritur shpesh. Si me shumicën e shpalljeve publike në Shqipëri, sidomos këtë e ka zënë inflacioni.

Është e vërtetë që objektivi i integrimit në BE është një nga çështjet e pakta me të cilën bashkohen edhe partitë kryesore politike, qoftë edhe ato më thellësisht të ndara. Gjithashtu shpallet gjerësisht se procesi i integrimit europian është forca nxitëse për disa nga reformat më të nevojshme të vendit. E megjithatë në vitet e fundit, shumë përpara se makina shqiptare të arrijë formalisht linjën e startit të garës së anëtarësimit, motori i saj gulçon rëndë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Pse nuk ka vend për euro-optimizëm?

Nga Fatos Tarifa

Në mes të viteve 2000, kur Jeremy Rifkin botoi librin e tij The European Dream, ishin të shumtë ata që, edhe këtë herë, e besuan fabulën mbi fundin e “ëndrrës amerikane” dhe triumfin përfundimtar të Projektit Europian. Autori i këtyre radhëve nuk bën pjesë ndër ta. Në këtë ese unë përpiqem të argumentoj tezën se “Ëndrra europiane” nuk është bërë dhe s’mund të bëhet realitet.

Në vitin 1870, Viktor Hygo ishte ndër të parët intelektualë europianë që kishte vizionin e një Europe të bashkuar. Atë vit, duke mbjellë në kopshtin e tij fidanin e një peme, Hygoi parashikoi se, kur ai fidan të rritej, bashkë me të do të ishin krijuar edhe “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kanë kaluar më shumë se 140 vjet dhe ëndrra e Hygoit, ashtu si edhe pema që mbolli ai, është akoma gjallë, veçse jo e tillë që të justifikojë optimizmin tonë. Sukseset e mëdha të Europës pas Luftës së Dytë Botërore nuk mund të mohohen. Ajo mundi t’u japë fund armiqësive dhe luftrave që e kishin karakterizuar historikisht kontinentin tonë; krijoi një balancë të re midis të drejtave pronësore të individit dhe të mirës publike, midis politikës rregullatore në ekonomi dhe tregut të lirë, midis lirisë dhe barazisë. Këto suksese e kishin bazën në eksperiencën e hidhur historike dhe në mësimet e nxjerra nga tmerret e dy luftrave botërore, si edhe nga mësimet e nxjerra nga diktaturat fashiste dhe komuniste. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Europa? Nuk është dalje jashtë shtetit

Nga Lavdrim Lita

Ëndrra europiane shqiptare ngërthen në vetvete aspiratën legjitime të një populli për të qenë, për të patur një cilësi jete, një mbështetje morale, për të respektuar të drejtat e njeriut, të natyrës dhe paqes, e sidomos për një brez të ri që pret me padurim ndërlidhjen globale, dhe njëherësh, me rrënjë të forta lokale. Europianët dukshëm mbështesin të drejtat universale të njeriut dhe të drejtat e natyrës, janë të gatshëm t’i nënshtrohen një ligji që e përcakton këtë: duan të jetojnë në një botë me paqe dhe harmoni, dhe pjesa më e madhe e politikës së tyre të jashtme dhe mjedisore është e orientuar drejt këtyre objektivave.

Për më shumë se gjysmë shekulli në kontinentin europian ka filluar një proces afrimi, bashkëpunimi, interesimi reciprok me një kohë të papërcaktuar dhe me një gjeografi ende pa kufij që quhet “Integrim Europian”. Ky integrim europian i filluar pas Luftës së Dytë Botërore ka njohur arritjet dhe dështimet e veta, që kanë ushqyer një ide paqeje permanente dhe një solidaritet të gjithanshëm. Së fundmi me krizën e monedhës së përbashkët “euro” dhe miratimin e asaj që cilësohet si një kod rregullash për financat e shteteve të eurozonës: integrimi fiskal ose “fiscal compact” të firmosura nga 17 vendeve në 27 shtete përbërëse të BE ka nxjerrë në pah diferenca të pasheshuara, një Europë me dy shpejtësi. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Europës, çfarë i ofrojmë?

Nga Agron Gjekmarkaj                                                                                              

Europa, trualli ose atdheu i përbashkët është një nga silogjizmat që ndeshet shpesh në ligjërimet e karaktereve të ndryshme sot në  kontinent kryesisht në  ato me karakter kulturor e politik. Gjithashtu edhe në Shqipëri prej gati njëzet e dy  vitesh ndeshim  një  terminologji të ngjashme. Fjala integrim pushton ekranet në lajmet e darkës dhe kafenetë gjatë ditës. Shkurt pas pyetjeve rutinë kur dy njerëz piqen, “integrimi” zë menjëherë kryet e vendit në bisedë.

Partitë politike të vjetrat dhe të rejat, shoqatat e të gjitha natyrave dhe përmasave, individët me akses publik, Europën dhe integrimin në të i kanë në krye të programit. Të gjithë janë dakord për Europën me gojë e me shkrim. Po të njëjtët akuzojnë me shkulme dhune verbale njëri-tjetrin për ledhe që u vënë përpara shqiptarëve duke i penguar në këtë synim kombëtar. Me trishtim pohojmë se  tashmë Europa ngjan më shumë si propagandë sesa një qëllim i vërtetë shpirtëror, ideologjik, kulturor e politik për ne. Vetë këto konstitucione na afrojnë apo largojnë nga Europa? Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Integrimi europian u shërben qytetarëve, jo politikës

Nga Prof. Dr. Rexhep Meidani

BE-ja si replikë e shtetit-komb.

Pesë kolonat bazë të zhvillimit politik në Europë janë: shtet-formimi, zhvillimi kapitalist, komb-formimi, demokratizimi e sistemi i mirëqenies sociale. Vetë procesi i integrimit evropian mund të konsiderohet si faza e gjashtë e këtij zhvillimi, ku pjesë bazike është trajtimi i kufijve, “bërja” e “ribërja” e tyre drejt një sistemi politik shumë më të hapur e racional që, ndryshe nga sistemi vestfalian, është në thelb një lloj çintegrimi. Me këtë sy, procesi i anëtarësimit mund të shihet si një dinamikë integrimi- çintegrimi, e krahasuar me atë të formimit të shtetit-komb.

Kanë qenë pikërisht dobësitë e këtij shteti-komb në shmangien e luftërave shkatërrimtare apo menaxhimin e drejtë të konkurrencës ekonomike, që nxitën krijimin e një bashkimi shtetesh-kombe (BE-së), ndërkohë që paaftësia ushtarake u mënjanua nga një bashkim tjetër (NATO-ja). Këto dy strukturime të mëdha dhe proceset integruese në to i kanë përqafuar në mënyrë masive, që në fillimet e tranzicionit, politika e qytetari shqiptar. Veçse, aktualisht, integrimi europian si një fazë e gjashtë po eklipsohet jo pak nga një fazë e shtatë – nga globalizimi. Është ky i fundit që po provokon dita-ditës erozionin e kufijve tej nivelit evropian. Por ka një dallim, integrimi evropian ka të bëjë me zhvendosje, lëvizje e ndërtim kufijsh, ndërsa globalizimi është më tepër një çështje transcendence e kufijve, e kapërcimit të tyre, shoqëruar edhe me krijimin e qendrave të reja globale të qeverisjes. P.sh., kufijtë e ndërtuar në nivel evropian nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur ndaj prodhimeve kineze; bile, në tërësi, konkurrenca në nivel global i ka tejkaluar kufijtë e sapo ndërtuar të BE-së. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Përralla me Europë

Nga Ermal Hasimja

Kur lexoja librat e mi të parë të fëmijërisë çuditesha plot naivitet mbi “aftësinë” e autorit për të kapur dhe paraqitur mendimet e personazheve. Si ka mundësi që filan autor, jetues në ditët tona dhe ndoshta edhe fqinj te pallati tjetër, paska mësuar çfarë mendonte Skënderbeu teksa shihte hordhitë otomane, ose sesi arsyetonte Ali Pasha duke bërë strategjitë e sundimit?

Të njëjtën ndjesi mund ta përftojnë sot protagonistët dhe dëshmitarët e shkërmoqjes së komunizmit kur shohin sot politikanë apo njerëz të mediave të interpretojnë pasionin e pangishëm të shqiptarëve për Europën. Duhet të kishte aq shumë thonjëza në këtë tekst sa vendosa të mos përdor asnjë. Sepse pikërisht efektet e këtij pasioni për Europën janë interpretuar, shkruar e rishkruar sipas nevojave politike mbi bazën e disa paradigmave popullore e populiste. Në këtë shkrim do të merrem me disa më kryesoret prej tyre. Jo dhe aq për kënaqësinë e çmontimit të tyre, sesa për të shqyrtuar njëfarë paaftësie të elitave tona për të bërë politikë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri