Rruga e vështirë drejt Europës

Nga Aleksandër Meksi

Nuk besoj se ndonjë nga ata që në dhjetor të vitit ’90  brohoritën “E duam Shqipërinë si gjithë  Europa”  do të mendonte në atë kohë, se edhe pas dy dhjetëvjeçarësh, sot, ende do të ishim shumë larg të qenit qytetarë të Europës së Bashkuar.

Gjatë gjithë viteve të diktaturës komuniste shumica e shqiptarëve  ëndërronte Europën, por shumë pak prej tyre arrinin të shkonin atje. Shumë nga ata që tentuan të kalojnë  kufirin, mbetën në kufi, e të tjerë burgjeve, dhe kur fliste ndonjë fjalë për Europën. Me rënien e komunizmit u hapën portat për në Europë por, deri para pak kohë shkuarja atje bëhej me viza dhe në mënyrë masive si klandestin. Sot Shqipëria ka nënshkruar asocimin dhe  vizat janë liberalizuar, çka përbën një arritjet mjaft të madhe të periudhë së pluralizmit. Nuk duhet harruar se Shqipëria ka marrë ndihma të vazhdueshme nga Europa dhe ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës  për mbështetjen e madhe që na dhanë , në vitet e vështira 1991-1994,  sidomos për plotësimin e nevojave ushqimore, kaq të domosdoshme për shqiptarët në atë kohë.

Gjatë këtyre viteve herë i jemi afruar e herë i jemi larguar Europës, dhe nënvizoj, nuk na është larguar ajo,  i jemi larguar ne. Dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet e të kihet parasysh, sepse jemi ne që duhet të shkojmë atje duke ndryshuar e përparuar. Pra gjithçka varet nga politika shqiptare, por dhe  nga ne, për mbështetjen që i japim asaj,  liderëve, që janë po ata- të përhershmit. Marrja e Statusit të vendit Kandidat, por dhe anëtarësimi më vonë, varet nga rezultatet që ne arrijmë, d.m.th nga shkalla e demokratizimit të vendit, nga shkalla e respektimit të të drejtave të njeriut, nga zhvillimi real i ekonomisë, nga liria e medias, nga përafrimi i legjislacionit tonë me atë të Europës së Bashkuar, e sidomos nga zbatimi real i tyre d.m.th. të jepet  drejtësi dhe të kemi një shtet ligjor të vërtetë. Të gjithë këto parakushte janë mjaft të qarta dhe përmbushja e tyre përbën një detyrë shtëpie sa të vështirë,  aq dhe të nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Secili prej qytetarëve ka të drejtë të shtroje pyetjen përse politika aktuale nuk punon për të vënë në jetë këto detyrime.? Por, po kështu cilido ka të drejtë të na pyes neve qytetarëve çfarë bëni ju që të realizohen sa më parë këto detyra.? Pyetjet janë më se të drejta dhe kërkojnë  përgjigje e zgjidhje.

Jashtë çdo dyshimi, përmbushja e kërkesave të shtruara përpara   Qeverisë shqiptare dhe klasës politike  i ngarkon ato me përgjegjësi, pra dhe me detyrimin për shpjegime, jo sempliste përpara opinionit publik, për shkaqet e mosrealizimit të kërkesave. Edhe opozita ka detyrimet e saja sepse deri më sot as ajo nuk i ka bërë të qartë shqiptarëve se cilat ishin pyetjet e Bashkimit Europian për Qeverinë e çfarë kontributi jep ajo për plotësimin korrekt të tyre, d.m.th. sipas normave evropiane. Roli i opozitës është qenësor; nga njëra anë për të bashkëpunuar aktivisht dhe me amendamente e jo pseudokonsensuse në realizimin e kërkesave, kur është fjalë për legjislacionin, dhe, nga ana tjetër, të kritikojë kur nuk përmbushen apo janë fiktive e formale veprimet e Qeverisë për këto probleme. Por, jo më pak e rëndësishme është përgjegjësia e opozitës për faktin që asnjë herë nuk  ka ndërmarrë hapa për të sqaruar publikun  në detaje për kërkesat europiane, që  edhe këto ditë flitet  por askush nuk di të na i numërojë.  Për të gjitha këto duhet të jetë transparente në veprimet e qëndrimet e saj, duke dhënë dhe shpjegimet përkatëse.

Pra, si Qeveria ashtu dhe Opozita, për të mos thënë gjithë klasa politike shqiptare, nuk kanë realizuar një proces transparent, shpjegues dhe  llogaridhënës përpara shqiptarëve, duke e mbështetur në një skenar me temën: na votoni ligjet me 3/5 të votave, sikur kaq të thjeshta janë problemet tona, e se po u bë kjo ligjet do zbatohen, kur  fjala është për reforma të thella demokratike, çka na bind,  se ajo që po ndodh,  me sa duket, varet nga kuptimi që ata kanë për demokracinë.  Prandaj çdo  ditë e më tepër, po  japin shfaqje të autoritarizmit me parullën jo demokratike që ligji dhe shteti jam unë  ( në njëjës ).

Një ndihmesë me vlerë mund të jepte edhe shoqëria civile, sidomos ato OJQ..(OJF) që kanë si veprimtari të tyre integrimin në BE ose dhe aspekte të ndryshme të kësaj problematike. Pak kanë bërë për të shpjeguar hapat  që duhet të ndërmerren nga shteti për  marrjen e  Statusit të vendit kandidat, detyrimet që duhen përmbushur, përfitimet që do të kemi, madje edhe të mos mjaftohen vetëm me kaq, por dhe të na sqarojnë rrugën që do të shkelim nga marrja e Statusit të vendit kandidat deri në anëtarësimin e plotë ne BE, si dhe kohën që do të duhet për këtë, për të mos pasur iluzione të kota që mpijnë veprimin.

Shoqëria civile dhe mediat, është fjala për ato OJQ e media që nuk mbështeten dhe veprojnë me fonde të palëve të politikës shqiptare, të dhëna qoftë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, mund të luajnë  një rol mjaft të madh dhe pozitiv duke sqaruar publikun me imtësi dhe me fushata informuese, por edhe duke sonduar perceptimet e publikut (të shtresave dhe bashkësive), për problemet e veçanta të kësaj rruge dhe për sjelljen e politikës. Një punë e tillë, krahas asaj që duhej të zhvillonte Qeveria dhe Opozita, do të na bënte të vetëdijshëm e kërkues, do të mundësonte të kishim një gjykim real për punën e deritanishme dhe çfarë mbetet për të bërë dhe si. Kështu, do të mund të gjykonim më mirë si për përgjegjësitë e klasës politike, ashtu dhe tonat si qytetare. Edhe kjo është një fushë ku për stadin dhe problematikën e sotme Bashkimi Europian mund të ndihmonte me mbështetje  kërkimeve,  të cilat lidhen me ngecjet dhe diskutimet që lindin gjatë rrugës sonë  drejt Europës.

Të lodhur nga kjo pritje e stërzgjatur, shqiptarët kërkojnë të dinë më shumë për rrugën dhe për Europën. Ky ndërgjegjësim do të luante  rol pozitiv në plotësimin e detyrave dhe në kërkimin e llogarisë, por dhe vetë qytetarët në këtë proces vetëdijesimi, si ta themi, do të “europianizohen” në mendësinë dhe sjelljen  e tyre politike e shoqërore.

Europa e Bashkuar mbetet destinacioni i dëshirave i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por edhe po aq i pashmangshëm. Kjo duhet të shtyjë dhe nxise forcat politike të cilitdo orientim, të punojnë për këtë qëllim, realisht e konkretisht, me plane e afate të përcaktuara qartë dhe, mbi të gjitha, transparente për publikun. Këto të fundit kanë munguar dhe janë deri-diku arsyet e mos plotësimit të 12 kushteve dhe detyrave bazë (këto ditë na thanë se kemi plotësuar vetëm një), duke u fshehur,  e përsërisim, mbas disa ligjeve  me 3/5-tat, ndërkohë që problem është mungesa të theksuara në dhënien e drejtësisë, pavarësia e sistemit nga politika, dhe jo aq mangësitë në ligje dhe gjykata. Mendoj se problemet e drejtësisë shqiptare kërkojnë nga e para një qasje tërësore e më të plotë dhe shqyrtime të strukturave dhe ligjeve  deri dhe tek vetë Kushtetuta.

Për marrjen e Statusit të vendit kandidat politika shqiptare duhet të gjejë gjuhën e përbashkët, dhe për këtë, mendoj se një tryezë e mirë pune duhet të jetë Komisioni Parlamentar për Integrimin, pranë të cilit duhet të ketë (apo thërriten) ekspertë, përfaqësues të  forcave politike jashtëparlamentare dhe njerëz të mediave që njohin problematikën. Ajo tryezë mendoj se është dhe vendi ku duhet të hartohet plani i punës me afatet për secilën fushë. Ndërkohë opinioni publik duhet të informohet për çdo mbledhje, e periodikisht dhe me hollësi, për situatën në të cilën ndodhen realizimet e detyrave  dhe bisedimet me përfaqësuesit e Bashkimit Europian, e sidomos vërejtjet e tyre.

Jashtë çdo dyshimi për mua një rol themeltar e pozitiv, do të duhej të luante Presidenti i Republikës, por, për fatin tonë të keq një pjesë e politikës e injoron dhe refuzon atë, duke i hequr shqiptarëve një institucion garant shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit demokratik, ashtu dhe rolin që mund të luante si ndërmjetësues e gjykues mes palëve.

Njëherazi me ta, mendoj se i takon dhe prezencës së  Bashkimit Europian në Tiranë të informohet nga politika dhe të ndihmojë tryezën, me ekspertizë e këshilla e pse jo, dhe vërejtje por, dhe të informojë publikun për mangësitë, dështimet, realizimet  dhe detyrat imediate. Kjo do të ishte mjaft e dobishme meqenëse nga dy forcat politike (pozita dhe opozita) dëgjojmë opinione diametralisht të kundërta dhe vetëm akuza të ndërsjella, ndërsa tryezat janë kthyer  në duel këndesash. Nuk duhet lënë pa përmendur ndihmesën e dhënë nga ambasadori i prezencës së BE-së dhe disa ambasadorë të tjerë  të vendeve europiane, të cilët herëpashere  mjaft qartë, kanë folur për sjelljen aspak europiane të politikës shqiptare dhe  përgjegjësitë e saj  për bllokimin e procesit të integrimit.

Shqipërinë dhe shqiptarët do t’i ndihmonte së tepërmi në këtë rrugëtim për në Europë një  qëndrim më konstruktiv i strukturave të larta dhe i përfaqësuesve të politikës europiane duke përcaktuar më mirë problemet negative tonat, d.m.th. më me hollësi diagnozën, por dhe duke dhënë, që për ne është shumë të rëndësishme, zgjidhjet dhe modelin. Pra duke na i përcaktuar qartë gabimet dhe mënyrën se si duhet bërë riparimi dhe sipas cilit model. I kemi thënë këto se kemi shikuar, që vërejtjet e përgjithshme nuk bëjnë shumë efekt këndej anëve tona, pasi dhe harrohen shpejt.

Po kështu, shohim të përmenden shpesh akuza për sistemin e d rejtësisë dhe korrupsionin, të cilat janë të vërteta por, pak ndihmë konkrete jepet në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit fiskal. Në këto fusha, mundet dhe për shkak të krizës së fundit ekonomike, Perëndimi po zhvillon një luftë intensive për të zbuluar keqbërësit. Përvoja  e tyre si dhe ndihma konkrete me investigimin e të dhënave   në këtë luftë që lidhen me ne,  do të ishin mjaft më të dobishme se sa vërejtjet.

Qëndrimi kritik i Europës ndaj veprimeve jo të rregullta të politikës dhe politikanëve shqiptarë, të cilët pengojnë  rrugëtimin tonë, është i nevojshëm për të evidentuar ata që veprojnë kundër integrimit, sepse nuk dëshirojnë shtetin ligjor, demokracinë dhe ekonominë e tregut të lirë, por autoritarizmin, monopolet dhe interesat e një rrethi të ngushtë në dëm të shoqërisë shqiptare. Kjo ndihmë do të ishte e nevojshme dhe në fushën e ekonomisë duke i përcaktuar qeverisë shqiptare disa kufij që nuk duhen kapërcyer. Për më tepër,  me ngjarjet e fundit post-krizë, rregulla të detyrueshme i janë vënë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian, në drejtim të kufijve për deficitin buxhetor, sistemin dhe normat fiskale dhe  përqindjen e borxhit ndaj G.D.P., ashtu dhe marrëveshje për luftën kundër evazionit. Njëherazi do të mënjanohen dhe mburrjet e kritikat e ndërsjella për këto probleme.  Me këtë “ndihmë” ne do ta kemi dhe më afër jo vetëm Statusin, por edhe  anëtarësimin në Europë, ëndrrën tonë të kahershme.

Shqipërinë mund ta ndihmojë dhe mbështetja financiare në fushën e  ekonomisë, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, d.m.th. rrugët që e lidhin me vendet fqinjë dhe rrjetin evropian të rrugëve, në arsim dhe shëndetësi për të përmirësuar strukturat dhe pajisjet që të ngrihet niveli dhe cilësia e shërbimeve. Pra, një përpjesëtim më të  mirë, apo më  dobiprurës, ndërmjet programeve përmirësuese të strukturave qeverisëse dhe atyre me impakt direkt në ekonomi, që janë të ndërvarura me njëra-tjetrën. Është një ndihmë e dhënë paraprakisht dhe që do të na shtohet kur të jemi pjesë integrale e Europës së Bashkuar. Por, sidoqoftë, do të jemi ne shqiptarët ata që do ta ndërtojmë e do ta shkelim rrugën për në Europë.

 

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 10/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: