A e ka ndryshuar Europa konceptin për Europën?

Nga Mark Marku

Filozofi gjerman Jurgen Habermas, në një shkrim për të ardhmen e Europës  shkruar shumë kohë para shpërthimit të krizës së borxheve në zonën europiane, pati deklaruar se nëse Europa do të donte të gjente një zgjidhje për mungesën e efikasitetit në marrjen e vendimeve të institucioneve të saj duhej të ndërmerrte një reformë të thellë që sipas tij do të çonte “në një ministër të jashtëm të vetin, në një president të zgjedhur drejtpërdrejt dhe në një bazë të vetën financiare”. Derisa kriza nuk kishte shpërthyer ende, propozimi i Habermasit, mbeti thjesht një ide (si shumë ide të tjera). Por ja që ideja e Habermasit ka filluar të shfaqet si thelbi i projektit të Europës së ardhshme, dhe reforma për të cilën ai fliste, po bëhet realitet ose po synohet të shndërrohet në realitet.

Ndryshimet e propozuara nga kancelarja gjermane Merkel, nga presidenti francez Sarkozi dhe nga aktorë të tjerë të rëndësishëm të skenës politike europiane janë pak a shumë një rimarrje e tezave të Habermasit, veçse të zbatuara në përputhje me atë që ka ndodhur në Europë dhe në botë që prej fillimit të krizës.

Është pra thuajse e sigurt se  Europa që do të dalë nga kriza aktuale do të jetë shumë e ndryshme nga Europa e para krizës. Kriza ka shkundur jo vetëm financat e Europës, por gjithë projektin e Europës. Pikërisht atë projekt që jo më larg se dy vjet më parë dukej se kishte marrë një formë pak a shumë të qartë: Një Europë e bashkuar ekonomikisht, deri diku politikisht, fare pak në politikën e jashtme, një Europë diverse dhe harmonike njëherësh, herë e fuqishme dhe e pafuqishme, me pushtete që herë-herë koordinoheshin, por që në jo pak raste e fusnin në krizë vetë funksionimin e Europës së Bashkuar, një Europë që, megjithatë, funksiononte, që, megjithatë, ishte e dobishme, që, megjithatë, zgjerohej dhe fuqizohej.

Por ja që dy vjet më parë shpërtheu kriza e borxheve të Greqisë. Pastaj erdhi kriza irlandeze. Pastaj u pa se nga e njëjta sëmundje vuante edhe Portugalia, Spanja, Italia dhe ndoshta edhe Franca. Tregjet financiare u përfshinë nga paniku. Euro u fut në krizë, ekonomia europiane gjithashtu. Vetë Europa. Në këto dy vjet dolën në shesh shumë probleme që opinionit publik europian i ishin fshehur: papërgjegjshmëria e administrimit të financave publike nga disa shtete, evazioni fiskal dhe shpenzimet e shfrenuara, mungesa e stabilitetit dhe kontrollit financiar, fluiditeti i mitit të rritjes ekonomike e kështu me radhë. Por mbi të gjitha kjo krizë nxori në pah një Europë me dy ritme, me dy standarde, me dy mentalitete. Një Europë që i shkakton problemet, kryesisht pjesa jugore e Europës (Greqia, Portugalia, Spanja, Italia), dhe një Europë që merr përsipër faturën e këtyre problemeve. Dy politika: njëra e përfaqësuar nga Gjermania që kërkon reformimin e ekonomive dhe të politikave europiane sipas modelit të saj dhe një tjetër e përfaqësuar nga vendet në krizë që edhe pse i kanë ekonomitë e tyre në prag të falimentimit, nuk janë të gatshme të ndërmarrin reformat më të domosdoshme për të dalë nga kriza.

Në këtë përplasje, e ardhmja e Europës konturohet më qartë. Si pa e kuptuar, kemi hyrë në një proces rikonceptimi të Europës së Bashkuar. Edhe nëse është ende herët për ta ditur se si do të jetë kjo Europë e rikonceptuar, jemi ende në kohë për të kuptuar se si ajo nuk duhet të jetë. Gjermanët të mbështetur nga francezët propozojnë masa restriktive për ekonomitë në krizë duke i kushtëzuar ndihmat me reforma radikale të dhimbshme. Propozimet e tyre që, në fakt, janë një revizionim i rëndësishëm i Traktatit të Lisbonës, e modifikojnë jo pak Europën e Bashkuar. Masat e propozuara  u heqin shumë kompetenca buxhetore dhe fiskale qeverive nacionale dhe i japin një rol gjithnjë e më të madh Bankës Europiane. Një ndryshim i tillë është pritur jo pa rezerva nga qeveritë e vendeve në krizë, pasi në këtë ndryshim ato shohin të përvijohet në horizont projekti i një Europe të Bashkuar ku ekonomitë më të fuqishme kanë edhe rolin më të madh, gjë që bie në kundërshtim me konceptin e një Europe ku shtetet, pavarësisht peshës ekonomike, territorit apo popullsisë, e ndajnë rolin në mënyrë të barabartë. Ekziston normalisht një tension i fortë dhe një rezistencë ndaj këtij projekti. Anglia e ka kundërshtuar haptazi projektin kontinental dhe të njëjtën gjë po bën edhe Greqia sot, e në të ardhmen mund ta bëjnë edhe vendet e tjera. Megjithatë, pjesa më vitale e Europës nga pikëpamja ekonomike, veriu i Europës ngulmon për rregulla të reja, të ashpra dhe të njëjta për të gjithë, për një Europë më të kordinuar nga rregullat, më të disiplinuar finaciarisht, më të përqendruar politikisht. Avangarda e vendeve  që synojnë reformimin e Europës të kryesuara nga Gjermania është e vendosur për të mos i toleruar më  dy standartet e zhvillimit ekonomik, administrimit si dhe zhbalancimin e madh që ka ekzistuar deri tani mes kontributeve dhe përfitimeve pavarësisht rezistencës së pjesës tjetër të Europës.

Ky ndryshim konceptual i ridimensionon marrëdhëniet e një pjese të Europës me pjesën tjetër, pra me vendet që janë  pjesë organike e Komunitetit Europian si Greqia, Portugalia, Italia, Spanja apo edhe vendet e Lindjes si Hungaria, Bullgaria, Rumania.  Por ky ndryshim prek edhe vende që aspirojnë të përfshihen në të ardhmen në BE si Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Serbia. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ky ndryshim është shumë i rëndësishëm pasi synon ndërtimin e  një marrëdhënieje të re mes secilit vend dhe Bashkimit Europian. Në këtë marrëdhënie, vendet e anëtarësuara për motive politike, por që nuk i plotësojnë standardet, ashtu si edhe vendet e tjera që trokasin në dyert e Europës, nuk mund të vazhdojnë të jenë apo të synojnë të jenë pjesë e BE-së për arsye gjeopolitike. Kriza i ka bërë vendet dhe qeveritë europiane më kontribuese shumë skeptike dhe kritike ndaj haraçit që duhet të paguajnë për të mbajtur në këmbë ngrehinën e stërmadhe europiane. Duket se entuziazmit politik të ndërtimit të modelit politik europian i ka ardhur fundi. Jemi futur në fazën e realizmit, për të mos thënë të kriticizmit të tij.  Europianët më kontribues, nuk i gëzohen më faktit se Europa zgjerohet, se të gjitha vendet që nuk janë aty duan të bëhen pjesë e Europës. Ata janë tashmë duke bërë llogaritë se sa u kushton një projekt i tillë.

Vendet përfituese dhe problematike pjesë e të cilave jemi edhe ne (ata që janë pjesë e BE-së dhe ata që pretendojnë të përfshihen në të) nuk duhet ta shohin Europën vetëm si një mundësi të zhvillimit ekonomik dhe të përfitimit të fondeve prej saj. Një marrëdhënie e tillë duket se nuk do të vazhdojë gjatë. Tashmë ka ardhur koha që përfitimi që do të kemi nga integrimi të këmbehet me kontributin që do të ofrojmë në shkëmbim të integrimit. Sensi i përgjegjësisë europiane nuk mund të jetë i njëanshëm. Europa e pas krizës do të jetë ndryshe dhe e ndryshme do të jetë edhe marrëdhënia jonë me të.

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 09/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: