Europës, çfarë i ofrojmë?
Nga Agron Gjekmarkaj
Europa, trualli ose atdheu i përbashkët është një nga silogjizmat që ndeshet shpesh në ligjërimet e karaktereve të ndryshme sot në kontinent kryesisht në ato me karakter kulturor e politik. Gjithashtu edhe në Shqipëri prej gati njëzet e dy vitesh ndeshim një terminologji të ngjashme. Fjala integrim pushton ekranet në lajmet e darkës dhe kafenetë gjatë ditës. Shkurt pas pyetjeve rutinë kur dy njerëz piqen, “integrimi” zë menjëherë kryet e vendit në bisedë.
Partitë politike të vjetrat dhe të rejat, shoqatat e të gjitha natyrave dhe përmasave, individët me akses publik, Europën dhe integrimin në të i kanë në krye të programit. Të gjithë janë dakord për Europën me gojë e me shkrim. Po të njëjtët akuzojnë me shkulme dhune verbale njëri-tjetrin për ledhe që u vënë përpara shqiptarëve duke i penguar në këtë synim kombëtar. Me trishtim pohojmë se tashmë Europa ngjan më shumë si propagandë sesa një qëllim i vërtetë shpirtëror, ideologjik, kulturor e politik për ne. Vetë këto konstitucione na afrojnë apo largojnë nga Europa?
Në rrafshin e qytetërimit, ne shqiptarët që kemi një histori ndarjeje të dhunshme pothuaj 500-vjeçare me Europën rrallëherë i shtrojmë vetes pyetjen se çfarë i kemi ofruar në të shkuarën dhe çfarë i ofrojmë Europës, civilizimit të saj, historisë së saj ushtarake dhe politike, kulturës, artit dhe shkrimit të saj veç kërkesave për ndihma e grupe negocimi për të shuar sherret tona të brendshme? Në një samit të Unesco-s në Venecie (nëntor 2005) artikuloheshin teza interesante për identitetin europian dhe eminencat e tij. Personalisht rikonfirmova një ndjesi që e kisha si përgjigje për pyetjet e mësipërme. Përfaqësuesit e shteteve europiane në një garë krenarie të mbuluar me terma bashkëpunimi flisnin për kontributet e tyre në civilizimin europian dhe personalitetet më të spikatur që kishin nxjerrë në emër të tij.
Polakët kujtonin Sobieskun, Kopernikun, Ceslav Miloshin e shumë të tjerë; hungarezet Huniadin, kontin Andryshi, Imre Nagin, Minzentin Kerkezin etj; rumunët Mihal Trimin, Drakulen e revizionuar nga gjaku i legjendave, Emineskun, Joneskon, etj; serbët plot krenari dhe folklor ballkanas buçisnin për Nemanjat, betejën e Kosovës, princin Llazar, Ivo Andriçin, etj; grekët që zbrisnin deri në antikitet si kumbarë të Europës me Platonin e Aristotelin, Eskilin e Sofokliun, Aleksandrin e Perikliun, Demostenin e Likurgun për të mbërritur te Seferis, Kazanzaqis, Ricos, Elitis dhe kështu nga Lindja në Perëndim e nga Ballkani në Europen veriore shfaqej historia e përbashkët sipas këndvështrimeve kombëtare. Delegacionet e shumta theksonin se rruga drejt njësimit të Europës nuk kalon nëpër uniformitet, por në njohjen e veçorive të saj kombëtare.
Rocco Butiglione, asokohe ministër i Kulturës së Italisë, në cilësinë e moderatorit të kësaj konference, i jep fjalën Ministrit të Kulturës së Shqipërisë. Butiglione në prezantimin e tij tha: “Jam lindur dhe rritur afër një fshati arbëresh dhe qysh i vogël kam dëgjuar për Skënderbeun që ata njerëz e lartësonin e nderonin si zot. Më vonë, gjatë studimit dhe njohjes së historisë së vendit tim dhe të Europës, kuptova që Skënderbeu ishte një nga mbrojtësit dhe figurat më të rëndësishme të civilizimit europian, ushtarak gjenial dhe politikan i papërsëritshëm, por shqiptarët mund të mburren që i dhanë Kishës Katolike dhe humanizmit botëror reformatoren më të madhe pas Shën Françeskut Nënë Terezën dhe po ky komb vital i dhuroi modernitetit dhe kulturës së tij Ismail Kadarenë këtë gjeni të kohës sonë”. Pas këtij prezantimi ministri shqiptar e pati më të lehtë të besohej nga auditori dhe të sintonizohej me atmosferën e konferencës duke marrë një valë duartrokitjesh të nxehta.
E risolla këtë kujtim sepse ka qenë pak më i gjerë vizioni im personal mbi kontributet e shqiptarëve në historinë e qytetërimit europian veç atyre që nënvizoi ministri italian duke shtuar ndonjë papë, shkencëtar apo artist. Sintetizmi i ministrit shpreh mesa duket perceptimin e europianëve për ne ose e thënë ndryshe na njeh si vlera referuese këto personalite dhe trashëgiminë e tyre. Në tekstet e shkollave europiane në enciklopeditë e tyre si dhe në fjalimet e liderëve politikë që vizitojnë Shqipërinë si elementë të historisë së përbashkët dhe kontributorë të këtij qytetërimi rikonfirmohet pikërisht treshja Kastrioti-Nënë Tereza-Kadare. Nuk gjejmë askund të na nderojnë për pashallarët e shumtë që i falëm Perandorisë Osmane, as për vezirët dhe kryevezirët që mburremi rëndom, as për arkitekt Sinanin që shkëlqeu duke ndërtuar objekte kulti në Stamboll, ndonëse edhe këto janë shenja të dhuntive të këtij populli.
Pa hyrë në teoritë që qarkullojnë mbi identitetin europian mund të themi telegrafikisht se Krishtërimi është një nga elementet identitarë mbi të cilin u themelua Europa e në këtë kontekst Skenderbeu “përvetësohet” si një luftëtar i madh për mbrojtjen e saj, si i krishteri me “K” të madhe. Nënë Tereza, murgesha katolike, bija e një kombi të vogël e të paragjykuar si i yni i ka dhënë shekullit që shkoi një përmasë të re duke sfiduar globalizmin kapitalist me doktrinën e dashurisë dhe mosperjashtimit të askujt. Europa kulturore e religjioze e ka konsideruar atë si fytyrën e re të qytetërimit të vet. Nga kritika e përbotshme Ismail Kadare konsiderohet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohrave, kështu u shpreh së fundmi edhe Princi Filip i Spanjës tek i dorëzonte çmimin prestigjioz “Princi i Asturias”. Kadare më shumë se vetë shkrimtarët grekë shihet si ndërlidhës i Ballkanit i tragjikëve grekë me letërsinë bashkëkohore europiane e botërore si zëri më i artikuluar i kozmosit europian sot. Tashmë është sovran mendimi se një tjetër bazament ku mbeshtet identiteti europian është civilizimi antik grek dhe letërsia e tij e madhe.
Eqerem Çabej, njohës i shkëlqyer i gjuhës, mendësive dhe historisë tek “Shqiptarët mes Lindjes dhe Perëndimit” shprehej se ne shqiptarët dhe kroatët jemi kombi më i orientuar nga Perëndimi dhe natyrisht ura lidhëse e shqiptarëve me Perendimin veç gjuhës është krishtërimi roman. Qëndresa e gjatë dhe e përgjakshme për ta ruajtur atë qoftë edhe pjesërisht është një tjetër vlerë që na bashkon me Europën, që ka luftuar me shekuj e rreptësisht për këtë qëllim. Harmonia dhe toleranca fetare për të bashkëjetuar në realitetin e ri janë një vlerë e ofruar gjithashtu si demostrimi më i mirë i shpirtit europian të shqiptarëve në sintoni me fjalorin demokratik të Europës së sotme. Trios së madhe mund t’i bashkangjisim edhe këtë fakt dhe këtë cilësi.
Përveç standarteve politike e demokratike mbi të cilat Europa funksionon dhe i pretendon me natyrshmëri për çdo aspirant që i bashkohet familjes së saj politike ajo duhet të marrë sinjalet e duhura edhe në rrafshin kulturor, historik dhe të qytetërimit. Ajo çka ne i ofrojmë nuk është pak nëse me realizëm marrim parasysh ndarjen e gjatë prej saj. Jo retorika por identifikimi me këto vlera na bën të besueshem e vetëm kështu mund të jetojmë “krah për krah” siç shkruante Emanuel Kanti mbi dy shekuj më parë.
Postuar më 11/03/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0