Integrimi përmes realizmit dhe pragmatizmit
Nga Artan Hoxha
1. Procesi i integrimit europian mbeti në vendnumëro dy vite radhazi që pas zgjedhjeve të qershorit 2009 deri në vjeshtën e vitit 2011. Shqipëria nuk mori dot as statusin e vendit kandidat dhe as ftesën për hapjen e negociatave për anëtarësim. Opinioni publik shqiptar, pavarësisht prirjes a përkatësisë politike, bashkohet në vlerësimin që konflikti politik dy vjeçar ishte shkaku i ngecjes. Edhe politikanët e të dy kampeve bashkohen në këtë pikë.
2. Ndarja shfaqet kur shtrohet pyetja se cili është fajtori për lindjen e konfliktit. Njeri krah i politikës, bërësve të opinionit dhe publikut quajnë fajtor Edi Ramën, si “ringjallës i frymës së etërve të pa penduar të komunizmit” që nuk pranoi humbjen në zgjedhjet 2009 dhe që, për mbijetesë, arriti të impononte një qasje ekstremiste opozitare me bojkot, retorikë të ashpër e deri tek protestat e dhunshme. Krahu tjetër fajëson Sali Berishën që “vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe më pas vrau për të mbrojtur vjedhjen”.
3. Duket sikur, ashtu si dy kokat e shqiponjës së flamurit që vështrojnë në drejtime të kundërta, Shqipëria ka dy liderë, dy parti dhe dy pjesë të publikut që vështrojnë në drejtime të kundërta e krijojnë, dy heronj, dy fajtorë dhe dy realitete diametralisht të kundërta.
4. Shqipëria e perceptuar sipas propagandës mazhoritare është e ndritur. Ajo ka bërë reforma të shkëlqyera, ka performancë të admirueshme ekonomike që spikati veçanërisht në këto vitet e krizës botërore dhe europiane, demokraci funksionale dhe institucione të pavarura, rend publik të fuqishëm dhe kriminalitet të ulët, arsim në zgjerim dhe përmirësim, papunësi e varfëri në ulje të ndjeshme dhe plot cilësime të tjera, të gjitha këto tashmë të sjella në parametra që kënaqin kriteret europiane të paktën për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave përveçse në ato fusha ku opozita u bë pengesë.
5. Për propagandën mazhoritare, problemi i vetëm thelbësor i vendit është opozita që jo vetëm pengoi krijimin e një klime europiane në politikën shqiptare përmes këmbënguljes për konflikt me qellim karriere e pushteti, por pengoi çdo mundësi për kryerjen e disa detyrave specifike e për pasojë vendi dështoi në marrjen e statusit. Për mazhorancën opozita aktuale karakterizohet nga rikthimi i frymës së etërve përmes bijve të ricikluar në hierarkinë drejtuese të Partisë Socialiste nga Edi Rama të cilin shpesh preferon ta thërrasë Edvin Kristaq Rama e ta akuzojë për kreun e mafies së ndërtimit a për tentative për përmbysje me dhunë të rendit kushtetues.
6. Shqipëria e perceptuar sipas propagandës opozitare është e erret. Ajo është në krize të thellë ekonomike, e kontrolluar nga monopolet e lidhura me qeverinë, me mbi një milion të papunë e ca më shumë të varfër, me korrupsion e kriminalitet të lartë, arsim e shëndetësi të rrënuar, me demokraci të degraduar në atë nivel sa mund të barazohet, në rastin më të mirë me një regjim autokratik e në rastin më të keq me një regjim fashist oriental. Institucionet e pavarura, veçanërisht drejtësia dhe media janë tërësisht të kontrolluara nga regjimi që vjedh votat e zgjedhësve dhe pasurinë publike.
7. Për propagandën opozitare të gjitha fajet i ka Saliu dhe shpura e tij, i cili për shkak të etjes për pushtet total dhe nën frikën e drejtësisë mbi krimet e kryera, po thellon hendekun me popullin dhe kërkon të kontrollojë edhe ato pak institucione të pavarura a faktorë opozitarë ende jo nën kontrollin e regjimit. Për opozitën mazhoranca aktuale karakterizohet nga fryma arkaike anadollake e komuniste e mishëruar tek ish sekratari i Partisë së Punës, Sali Berisha, të cilin preferon ta thërrasë Saliu apo Gadafi, apo Mubaraku dhe epitete të tjera kësisoj, e t’i kujtojë se është vrasës i qytetarëve në Gërdec a në Bulevard.
8. Të dy palët ribashkohen në vlerësimet e tyre ideale për politikën dhe institucionet europiane sa herë që kërkojnë të cilësojnë kundërshtarin duke përdorur si bazë a njësi krahasimi Europen, aktoret dhe institucionet e saj. Mazhoranca thotë që s’ka opozitë në Europë që të bojkotojë a sulmojë me dhunë institucionet, ndërsa opozita thotë që s’ka mazhorancë në Europë që të vjedhë votat dhe të vrasë qytetarët.
9. Çdo palë e tretë, nëse do të mbështetej vetëm në dëgjimin e njërës, tjetrës apo të të dy palëve politike shqiptare dhe mbështetësve të tyre, do të arrinte në përfundimin se Shqipëria nuk meriton asnjë hap më tej në integrimin evropian pasi s’mund të ketë vend në familjen europiane kur qoftë edhe njëra gjysmë e klasës politike – mazhoracë dhe/ose opozitë e sotme apo anasjelltas nesër – qënkërka e këtillë. Hapja e negociatave dhe statusi i vendit kandidat jo e jo, por as edhe negocimi dhe ratifikimi i marrëveshjes se stabilizim-asocimit s’do duhej të kishin ndodhur e po kështu as anëtarësimi ne NATO. Me këto cilësime, ndoshta do kishim merituar një status vetëqeverisës edhe më të kufizuar e më të mbikëqyrur se Kosova.
10. Fatmirësisht, shikimi dhe gjykimi mbi Shqipërinë nuk bëhet vetëm me sytë dhe mendjen e dy liderëve dhe kampeve respektive politike. E vërteta shqiptare është në mes dhe larg këtyre dy vështrimeve e gjykimeve ekstreme që edhe vetë palët më shume e përdorin se sa e besojnë. Qofte njëra palë politike e qofte tjera nuk janë as engjëj e as djaj. As politikanët dhe aktorët europiane respektivë, si pikë referimi a njësi matjeje, nuk janë as engjëj e as djaj. Të gjithë janë tokësorë, me vese e virtyte të njëjta, të cilat i shpalosin në rrethana të ndryshme ligjore, institucionale dhe zhvillimi shoqëror e kulturor që varet nga historia që mbart mbi shpatulla secili komb.
11. Shqipëria ka një progres frontal në thuajse çdo fushë e sektor: publik e privat, normativ dhe real. Sistemi dhe reformat japin rezultate. Krahasuar me pikënisjen – stadin e zhvillimit ekonomik, institucional, politik, kulturor, arsimor 21 vite më parë – Shqipëria ishte mjaft mbrapa çdo vendi ballkanik, përjashtuar Kosovën në veçse pak fusha. Në këtë renditje e distancë relative kemi qenë edhe 100 vite më parë. Radha për në Europë është e paracaktuar nga 100 e më shumë vite histori. Historia është kokëfortë. E rëndësishme është të mos humbasësh kohë, ta përshpejtosh sa të jetë e mundur e të ngushtosh distancat pa pretenduar ndonjë përmbysje si për mrekulli të renditjes shekullore në pak vite demokraci dhe ekonomi tregu.
12. Ekstremizmi bi-polar s’çon kurrkund. Progresi drejt Europës kërkon realizëm dhe pragmatizëm. Realizëm në vlerësimet e progresit, pengesave, shanseve dhe objektivave. Këto mundësojnë një plan realist aksionesh publike e private dhe një kënaqësi gjithëpërfshirëse për shkak të arritjes së objektivave. Progresi drejt Europës kërkon pragmatizëm. Tashmë është provuar qoftë që pengimi i progresit të axhendës europiane nuk jep pikë elektorale qoftë që progresi në axhendën europiane nuk të krijon ndonjë avantazh garantues elektoral. Për rrjedhojë, mazhoranca, opozita dhe qarqet pranë tyre, s’kanë pse ta përdorin axhendën europiane si mjet presioni mbi tjetrën, por si një përgjegjësi dhe shans të përbashkët e të pandashëm. Politika ka tashme disa muaj që po bëhet më realiste e më pragmatiste ndonëse ekstremizmi verbal vazhdon të përdoret herë-pas-here. Sa për statusin e vendit kandidat, Europa është aq pranë sa ç’ishte Itaka për Odiseun. Për të arritur aty në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, mjafton vazhdimi i vozitjes së rremave dhe mbajtja mbyllur e kacekut me erërat e mbrapshta. Dhëntë zoti që ndonjërit, nga padurimi, kërshëria a idiotësia, nuk i teket ta rihapë siç ndodhi në 1996-1998 dhe 2009-2011.
Postuar më 22/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0