Europa! Dy dekada ikën. Edhe sa…?

Nga Lutfi Dervishi

Shqipërisë i duhen 10-15 vjet për t’u bërë si Europa. – Kjo deklaratë është bërë para pak javësh nga një zyrtar i Komisionit që merret me Shqipërinë-. Është një nga variantet optimiste, por premtimi nuk është  i plotë. Pjesa e dytë e fjalisë është: “nëse punët ecin mirë”.  Por ky “premtim” është bërë edhe 20 vjet më parë nga lideri i opozitës së asaj kohe, sot kryeministri vendit në një gazetë italiane.

Deklarata e bërë para 20 vjetëve, shkaktoi tërmet! Gazeta e partisë në pushtet e botoi me gërma të mëdha në faqen e parë. Në prag të fushatës elektorale të 1992, një premtim për të shkuar në Europë pas 10-15 vjetësh ishte një autogol politik. Entuziazmi për të rrëzuar komunizmin dhe ëndrra për të qenë të lirë kishte krijuar përshtypjen se mjaft të rrëzohej regjimi vjetër dhe sa hap e mbyll sytë do të ndodhte mrekullia! Nuk kishte njeri as nge, as nerva për të pritur 20 vjet. Votat nuk merren duke premtuar se do të bësh realitet ëndrrën pas një gjenerate. 

Aspirata për t’u bërë Europë u artikulua fuqishëm nga studentët që dolën në rrugë në dhjetor të 90 për të rrëzuar regjimin komunist. Se sa i madh ishte padurimi për t’u bërë “europianë”, për një jetë më të mirë, për të shkuar në Europë u shfaq me numrin e lartë të emigrantëve. Pothuaj një në cdo tre shqiptarë u largua nga Shqipëria në kërkim të Europës!

Gjatë këtyre dy dekadave në mënyrë individuale mjaft shqiptarët provuan të bëhen europianë. Dikush u përpoq të bëhej grek, dikush italian, një tjetër gjerman e kështu me radhë…  Padurimi për të ecur përpara i shtyu qindra mijëra shqiptarë në kërkim të Europës. Energjia dhe dinamizmi i individit shqiptar që shkëlqen jashtë Shqipërisë u rishfaq edhe njëherë pas viteve ‘90. (Në perandorinë osmane shqiptarët thirreshin “arnaute”- që do të thotë njeri që ecën para dhe nuk kthehet pas. )

Në dhjetor të ’90-tës studentët dolën në demonstrate me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.  Pas dy dekadash, Europa prape duket dekada larg. Cfarë ndodhi që mbetëm të fundit?! Si shpjegohet që jemi të fundit në trenin e historisë?! Të fundit për të shpallur pavarësinë më 1912, të fundit për të rrëzuar komunizmin në 1990, të fundit për të qenë anëtar në Bashkimin Europian. Dera e BE-së mbetet e hapur dhe ne ngurrojmë të afrohemi.

Shqipëria humbi rastin e artë për t’u afruar me BE-në në mesin e viteve 90. Në 1992 BE cel derën (dhe fondet) me marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin. Në kohën kur në Ballkan vijonte lufta që shoqëroi shpërbërjen e ish Jugosllavisë, në kohën që diplomacia amerikane dhe europiane ishin angazhuar për përfundimin e luftës më të tmerrshme në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria mund të ishte shembulli se si një vend korr frytet e reformave. BE i ofroi Shqipërisë statusin e vendit të asociuar. Nëse do të kishim marrë llokumin që na u ofrua në gojë, do të ishim me kohë anëtarë të BE-së.  Por zgjedhjet problematike të 1996-tës të pasuara nga prag-anarkia totale e  1997-tës e vonuan të paktën me 20 vjet procesin e integrimit. Pas trazirave në Shqipëri, BE ofroi qasjen rajonale ndaj integrimit (1997) dhe  dy vjet më pas propozoi procesin e  “stabilizim – asociimit” për pesë vende të rajonit. Leksion i qartë. Stabilizohuni dhe më pas asociohuni. U deshën  plot10 vjet që kjo marrëveshje të hynte në fuqi më 1 Prill të vitit 2009, vit kur dorëzojmë aplikimin për në Bashkimin Europian! Për dy vite rresht Komisioni Europian jep mendim negativ  për shkak të “ngërccit politik”.  Komisioni Europian ka lënë me shkrim plotësimin e 12 kritereve, detyra që nuk bëhen duke luajtur ping – pongun e fajësisë.

Dy dekada më parë ishim në vend të parë në radhën për të hyrë në BE-së. Tani me përpjekjet tona ia kemi dalë të jemi në fund. Vitin tjetër Kroacia bëhet anëtari i 28-të i BE-së. Në kohën që ne nisëm procesin, Kroacia ishte në luftë.

Dy dekada më parë afro 100% e  popullsisë për anëtarësim, sot ky numër është afro 80% ende shumë i lartë, por cdo vit në rënie.

Lajmi i mirë është se dera e Bashkimit Europian mbetet e hapur. Në qershor të 2003 në Samitin e Selanikut u bë e qartë se të gjithë vendet e rajonit të Balkanit mund të bëhen vende anëtare të Bashkimit Europian, në momentin  që janë gati. Kjo politikë e BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndryshuar as retorika në Tiranë se anëtarësimi mbetet objektivi madhor. Lajmi i keq është se nuk jemi gati.  Dhe lajm akoma më i keq është se duket se nuk ka dëshirë të bëhemi gati. Politika shqiptare turbullohet nga cikli electoral. Cdo dy apo tre vjet kemi zgjedhje dhe zgjedhjet mbeten thembra Akilit e demokracisë në vend. Me pak përjashtim zgjedhjet nuk kanë prodhuar stabilitet politik dhe institucional dhe interesat elektorale kanë prevaluar e prevalojnë deri në atë shkallë sa duket se në rrugën për ndërtimin e shtetit ligjor po ndërtojmë shtet elektoral.

***

Deklarata e bërë para pak javësh se në rastin më të mirë do të na duhen 10-15 vjet për anëtarësim nuk pati reagim në shtyp, nuk u bë objekt diskutimi politik, pasi duket se ka një pajtim të përgjithshëm se rruga për në BE do të jetë e gjatë, e  vështirë e lodhshme.  Vëmendja dhe retorika tashmë është përqëndruar jo te lodhja jonë, por tek “lodhja” e Europës nga zgjerimi, problemet e mëdha me krizën ekonomike.

Dy dekada kanë ikur dhe vendi ka ndryshuar në mënyrë spektakolare, por mbetemi larg dyerve të BE-së, sepse ndryshimi i dedikohet kryesisht individit dhe sektorit privat në Shqipëri.

Këtë vit në Shqipëri festohet 100 vjetori i pavarësisë, por ndërtimi shtetit  ligjor, gjykatave të pavarura, medias së lirë, ekonomisë funksionale të tregut, ndërtimit dhe respektimit të rregullave të lojës mbeten po aq sfiduese sa edhe në vitin 1990.

Kur do të bëhet Shqipëria vend anëtar i Bashkimit Europian? Kanë kaluar 20 vite, do të duhet (në variantin më të mirë) edhe një dekadë tjetër.  30 vjet përpjekje për t’u afruar me Europën. Mësimi i madh është se vendi nuk mund të shkojë në BE- pa qenë gati, pa plotësuar kushtet, pa bërë reformat. Anëtarësimi është mund, shumë mund dhe mundje me njeri- tjetrin.

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 19/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: