Stina europiane e Shqipërisë apo në pritje të Godosë?
Nga Ilir Kalemaj
Projekti i Bashkimit Evropian është në mes të një udhëkryqi që si rrallëherë kërcënon vetë fatin e ekzistencës së tij. Tajfuni financiar, divergjencat mes vendeve anëtare, falimentimi i mundshëm i disa prej tyre, gjë që e bën skenar të besueshëm dhe fundin e Eurozonës dhe monedhës së përbashkët euro; së bashku përbëjnë dhe lajtmotivin kryesor në mediat anembanë botës.
Kjo krizë e tejzgjatur po vë në teh të lahutës dhe integrimin e mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më specifikisht edhe të vendit tonë. Natyrisht sikundër u shpreh ish-ministri i jashtëm çek gjatë një vizite në Shqipëri rreth dy vjet më parë, “një shtëpie që fut ujë, nuk mund t`i kërkosh të presë mysafirë”. BE ndodhet përpara disa dilemave të vështira, të cilat kërkojnë sa një përgjigje ekonomike për të përballuar një nga recensionet më të mëdha dhe të stërzgjatura që nga Lufta e Dytë Botërore, aq edhe politike për t`iu përgjigjur pikëpyetjeve që rrethojnë fatin e mëtejshëm të këtij projekti, qe nisi si një marrëveshje e thjeshtë teknike për qymyrin dhe çelikun mes Francës dhe Gjermanisë në vitin e largët 1952 dhe u zhvillua në një drejtim që nuk ka ekuivalencë tjetërkund në botë apo histori. Ky zhvillim për vetë mënyrën si rrodhi qe sa i planifikuar, aq edhe i papritur. Qe i planifikuar pasi pritshmëria që bashkëpunimi ekonomik do të çonte në bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë politik deri në krijimin e një (kon)federate ishte edhe shpresa motivuese e etërve themelues, por ishte dhe i papritur për shkak të zhvillimeve herë entuziaste dhe herë të kapluara nga frika, pasiguria, tërheqja apo kriza të ndryshme që kanë provokuar shpesh europesimizëm dhe euroskepticizëm.
Evropa si koncept politik, pra Bashkimi Evropian, mund të zhvillohet përtej një konglomerati që e bashkon liria negative, pra krijimi i një zone të përbashkët ekonomike, pa barriera doganore dhe me politikë monetare të përbashkët, në një konfederatë që e bashkon një etos dhe shpirt publik i përbashkët, filozofi e njëjtë dhe shtylla vlerash të ngjashme. Ndryshe nga shumica e federatave apo konfederatave në botë që janë krijuar nga një akt themeltar, që përgjithësisht njihet si Kushtetutë, lindja dhe zhvillimi i Bashkimit Evropian ka ardhur si rrjedhojë e një sërë traktatesh të cilët nuk arritën të përmblidheshin në një dokument të vetëm as me traktatin kushtetues që u rrëzua nga votimi popullor i francezëve dhe holandezëve kur atyre iu dha mundësia të shpreheshin mbi vendimet e një grupi elitar të teknokratëve të Brukselit.
Në fakt, qoftë dështimi referendar në rastin e Kushtetutës, qoftë hedhja poshtë e Traktatit të Lisbonës nga votuesit irlandezë herën e parë, qoftë votime të ngjashme në lidhje më adoptimin e euros dhe bërjes pjesë në eurozonë, si në rastin britanik, danez apo suedez, kanë të bëjnë me dy prej debateve më të zëshëm që kanë marrë jetë në gjirin komunitar të projektit federalist në tentativë të klubit evropian. Këto debate, që janë ai mes demokracisë dhe legjitimitetit, sikundër edhe ai mes thellimit dhe zgjerimit, janë ndër debatet kyçe identitare që kanë shoqëruar proceset integruese tashmë prej dekadash dhe përbëjnë dhe filozofinë e drejtimit të një proçesi sa kaotik dhe të padisiplinuar, aq edhe vizionar dhe të guximshëm që ka krijuar një zonë ekonomike të përbashkët që e marrë së bashku përkthehet në superfuqinë numër një të padiskutuar botërore. Megjithatë, siç ka theksuar dikur luksemburgasi Juncker kjo Evropë mbetet një “gjigant ekonomik, por një xhuxh politik”.
Projekti i papërfunduar i ‘Ever Closer Union’ që është duke shkuar drejt një finalité politique, pra duke u kristalizuar si një ide e institucionalizuar në formë shtetërore, ka nevojë për akte të guximshëm që kërkojnë konsensus politik dhe transferojnë kompetenca. Ky kalim i kompetencave shtetërore në fusha të ndjeshme si mbrojtja, siguria kombëtare, politika e jashtme, rendi publik, imigracioni e me radhë drejt qendrës, pra Brukselit, vecanerisht drejt Komisionit Evropian që njihet si (pro)motori i politikave mbikombëtare të BE-së. Nga ana tjetër, krijimi i një politike ekonomike gjithnjë e më të koordinuar, për t`iu bashkangjitur projektit fillestar të bashkimit ekonomik dhe monetar që ka rezultuar përgjithësisht i suksesshëm vetëm në elementin e dytë, kërkon materializimin dhe kompletimin e projekteve të lëna përgjysmë, si një ministri e vetme financash, një fond evropian monetar, krijimi i eurobondeve të përbashkëta dhe paketa ndihmëse komunitare për secilin vend që veçmas apo në grup rrezikon falimentimin. Problemet financiare dhe kriza e tregjeve është para së gjithash krizë besimi dhe një Evropë e bashkuar që funksionon si një bashkim politik i trupëzuar në një organizëm të vetëm, me një fizionomi dhe filozofi të qartë, ka gjasat më të mëdha t`u rikthejë besimin investitorëve dhe të shmangë çdo formë kolapsi të padëshirueshëm.
Komplikueshmëria e situatës ekonomike në Eurozonë, por jo vetëm, bën që recesioni ku është zhytur blloku i vendeve evropiane të mos jetë thjesht ciklik, por më tepër ngjan sistemik, ku krizës nuk po i duket fundi. Jo vetëm kaq, por duket se çdo ditë vijnë lajme që vetëm e thellojnë atë, duke bërë që parashikimet deri dje apokaliptike të duken sot si aspak të ekzagjeruara. Me fjalë të tjera duket se kriza është më tepër krizë e sistemit, sesa krizë e përmasave të lokalizuara, fjala bie krizë buxhetore, konsumatore apo thjesht krizë borxhesh. Në fakt është një ndërthurje e të gjithë elementëve të mësipërm e cila ka tronditur tregjet, ka lëkundur besimin e investitorëve dhe ka rrudhur kërkesën, shoqëruar me inflacion jo të vogël, çka të kujton stagflacionin e viteve ‘70 në vendet perëndimore ku rritja e menjëhershme e papunësisë dhe inflacionit çoi në ri-konsiderimin e kejnsianizmit si një mjet efikas për rritjen ekonomike, duke stimuluar kërkesën agregate.
Projekti evropian është në mes të oqeanit dhe shndërrimeve identitare dhe çdo tërheqje apo politikë hiq e mos e këput rrezikon ta ndalojë njëherë e mirë ëndrrën vizionare të etërve themelues, por dhe të vendeve aspirante si Shqipëria, të cilat ballafaqohen me udhëkryqe të rrezikshme tashmë që BE-ja vetë ballafaqohet me atë që njihet si enlargement fatigue [lodhje nga zgjerimi]. Në fakt më tepër se lodhje nga zgjerimi, duket se BE-ja është duke përjetuar lodhje nga ballafaqimi me kriza të brendshme dhe ku shumica e problemeve vijnë nga shtete të pranuara hershëm, jo rishtare, si fjala bie dhjetë vendet e pranuara në 2004-ën, të cilat kanë ruajtur një kuadër makroekonomik të qëndrueshëm dhe janë edhe sot ndër mbështetëset kryesore të thellimit dhe zgjerimit të Evropës së Bashkuar.
Stina evropiane e Shqipërisë do të trokasë vetëm kur të plotësohen dy kushtet fillestare që janë: (1) përkushtimi i Evropës drejt politikave të zgjerimit dhe (2) kryerja me sukses e detyrave të shtëpisë. Në këtë të fundit Shqipëria çalon në të gjithë indikatorët, ku mungon demokratizimi i plotë, ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe funksionaliteti institucional. Mungon gjithashtu aftësia e një ekonomie konkurruese dhe që iu bën ballë me sukses presioneve të një ekonomie të liberalizuar ku shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë vendin e parë. Mungon gjithashtu respektimi i plotë i të drejtave të njeriut, ku vlen të veçojmë respektimin e pronës, të të burgosurve, të grupeve margjinale (fjala bie romëve) e kështu me radhë. Shqipëria ende nuk ka një ndarje të qartë të pushteteve dhe aq më pak një kontroll të ndërsjellët mes tyre. Media dhe shoqëria civile ndonëse profilikë, janë me kapacitete të kufizuara për të influencuar opinionin publik. Ndërsa ky i fundit është ende i painformuar plotësisht për të mirat dhe kostot që sjell integrimi në BE dhe në çfarë stadi të integrimit aktualisht është vendi. Nëse këto probleme nuk adresohen në kohë nëpërmjet një sinergjie dhe bashkëpunimi mes aktorëve dhe faktorëve vendim-marrës, por edhe publikut në përgjithësi, vështirë të mbërrijë, të paktën dhe për një dekadë e kusur, stina evropiane e Shqipërisë dhe do ngelemi në pritje të Godosë si te drama e famshme beketiane.
Postuar më 24/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0