A e ka humbur Bashkimi Evropian tërheqjen magjike për shqiptarët?
Nga Alba Çela*
Në studimin e të përvitshëm të analizës së perceptimeve dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë përsa i përket procesit të integrimit evropian të vendit, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare (ISN) thekson se në vitin 2011 vihet re rënia më e fortë e mbështetjes për integrimin evropian në të gjithë vitet që ky institut ka kryer këtë sondazh. Me një përqindje aprovimi prej 80.6 përqind kundrejt 10 përqind të qytetarëve që shprehen kundër hyrjes së Shqipërisë në BE, ISN thekson se kemi një rënie të theksuar nga viti i kaluar kur niveli i mbështetjes ishte mbi 93 përqind.
Para se të përpiqem të përmend disa arsye të mundshme të kësaj rënieje të nivelit të përgjithshëm të mbështetjes, dua të sjell në vëmendjen e lexuesit faktin që në terma absolute ky nivel mbështetjeje është ende shumë i lartë. Asnjë nga vendet e rajonit, perceptimet e të cilave i mat sondazhi ‘Balkan Monitor’ i të së mirënjohurës Gallup International, nuk ka një nivel mbështetjeje kaq të lartë për integrimin evropian. Fakti që mbi 80 përqind e shqiptarëve ende do të votonin me siguri pro hyrjes së Shqiperisë ne BE nuk është për t’u anashkaluar.
Megjithatë mbetet interesante të shohim disa nga faktorët e mundshëm që kanë luajtur rol në rritjen e numrit jo vetëm të atyre qytetarëve që nuk e mbështesin integrimin, por dhe në rritjen e atyre që janë të pavendosur sesi të përgjigjen. Në vitin 2010 më pak se 4 përqind e qytetarëve iu përgjigjën ‘Nuk e Di’ pyetjes nëse ata do ta aprovonin hyrjen e vendit të tyre në BE. Në vitin 2011 ky numër u rrit në 8.8 përqind. Ndaj vec rritjes së kundërshtimit kemi një rritje të hutimit dhe konfuzionit, të pavendosmërisë dhe të paqartësisë së qytetarëve në lidhje me integrimin. Po ashtu shumica e atyre që do të votonin kundër integrimit, mbi 43 përqind, nuk e thonë ose nuk e dinë arsyen pse do ta bënin këtë gjë.
Faktori i parë dhe që del qartë nga analiza e pyetjeve dhe përgjigjeve të tjera që qytetarët japin në lidhje me elemente që lidhen më procesin e integrimit, është lodhja dhe zhgënjimi nga kriza e tejzgjatur politike, efektet e saj paralizuese për vendin dhe sjellja në përgjithësi e politikanëve shqiptarë. Hendeku i madh që ekziston midis retorikës zëlartë pro BE dhe sjelljes aktuale në jetën e përditshme politike në vend i ka shkurajuar qytetarët dhe ka rritur nivelin e pesimizmit dhe për datën e mundshme të anëtarësimit në BE.
Në fakt monopolizimi i frikshëm i debatit të integrimit nga aktorët politikë po jep ndikim negativ në mbështetjen popullore për këtë proces. Përfshirja e ulët lokale e aktorëvë të shoqërisë së gjerë në procesin e integrimit ka bërë që cdo dinamikë e lidhur me këtë projekt të madh kombëtar të shihet si përgjegjësi e vecuar e politikës. Ky projekt që duhet të jetë një sipërmarrje gjithëpërfshirëse e shoqërisë ka ngecur në grackën e ngushtë dhe problematike të pak aktorëve.
Faktori i dytë është paradoksalisht lëvizja pa viza e cila u ka dhënë shqiptarëve një nga shpërblimet më të prekshme të procesit të integrimit duke shfuqizuar njëkohësisht një nga motivet tradiconale pse shqiptarët kanë qenë historikisht pro hyrjes në BE.
Faktori i tretë lidhet me nivelin e pakët të njohurive që qytetarët kanë dhe me cilësinë e dobët të informacionit që ata marrin në lidhje me BE dhe me statusin aktual të Shqipërisë. Këtu vlen për t’u përmendur roli që ka media për të mbushur hendekun e informacionit, rol që shpesh mbahet peng nga polarizimi i saj, gjuha teknike dhe jo e favorshme për publikun e gjerë e koncepteve të integrimit, si dhe mbulimi mediatik i ngjyruar artificialisht i veprimeve të institucioneve apo aktorëve të BE në vend.
Sistemi arsimor gjithashtu ka mangësi në përdorimin e kapaciteteve të tij aktuale për të angazhuar të rinjtë në marrjen dhe përdorimin e njohurive për BE-në, historikun, institucionet, procesin e integrimit, përfitimet dhe zhvillimet e lidhura me të. Një e treta e qytetarëve të pyetur në sondazhin e ISN që japin përgjigjen e gabuar për statusin e Shqipërisë në BE duke thënë se tashmë Shqipëria është vend kandidat ose më keq, se është bërë vend anëtar, janë të rinjtë e moshës 18-24 vjec. Shumë pak të rinj në këtë sondazh kanë identifikuar përgjigjen e saktë, pra që Shqipëria është vend kandidat i mundshëm, por nuk është ende në këtë fazë. Duke ndjekur këtë shembull, kurrikulumet shqiptare të shkollave të mesme janë një fushë me potencial për t’u shqyrtuar dhe për t’u përdorur sa më shpejt nga ana e institucioneve përkatëse si Ministria e Integrimit dhe ajo e Arsimit. Një nismë e tillë do të mbushte hendekun e njohurive dhe do të përgatiste të rinj që e dinë se kush është dhe cfarë nënkupton familja evropiane pjesë e së cilës themi se duam të jemi me kaq pasion.
Nuk duhet anashkaluar gjithsesi faktori i reflektimit mbi krizën financiare të BE dhe të dinamikave politike që kanë shoqëruar krizën e borxhit të Greqisë. Vëmendja intensive mediatike dhe dimensioni negativ i këtyre zhvillimeve i kanë ndikuar qytetarët në vlerësimin e tyre për BE dhe për aftësinë e tij për të manaxhuar krizat. Gjithsesi ky faktor nuk ka atë peshë që ka për shembull faktori i parë, zhgenjimi me dinamikat e demokracisë në vend. Shqiptarët nuk e shohin BE-në si një entitet që po shpërbëhet apo euron si një monedhë në rrezik. Këtë e tregon dhe kokëfortësia e tregut të këmbimit të valutës në Shqipëri qe e mban nivelin e euros krahasimisht me monedhën vendase të lartë e të palëkundur.
Bashkimi Evropian nuk e ka humbur magjinë për qytetarët shqiptarë. Entuziazmi është në rënie për arsye që kryesisht nuk kanë të bëjnë me BE, por me vetë Shqipërinë. Qytetarët shprehen se aktorët më me influencë për ta çuar Shqipërinë pranë dhe drejt BE-së janë partitë politike. Ata janë në kërkim të shpresës përtej ngërçit të brendshëm. Kjo s’do të thotë që rënia e nivelit të mbështetjes nuk është një sinjal alarmi. Ajo është një shënje e qartë për më shumë përgjegjësi politike për ta shfrytëzuar mbështetjen për të kryer reformat e nevojshme dhe shpesh të dhimbshme. Është një sinjal për më shumë informacion dhe njohuri sidomos për më të rinjtë si dhe për më shumë përgjegjësi mediatike. Dhe ndërsa për politikën barra e përgjegjësisë bie tjetërkund, shoqëria civile ka detyrë të investojë në dy aspektet e tjera.
*Autorja është zëvendës-drejtore ekzekutive e qendrës House of Europe.
Postuar më 19/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. 1 Koment.
Shqiperia nuk eshte ende ne gjendje.pastai per c fare. Duhet te hyjme ne be? Te jetejome me shume krizen qe ka kapur be n .?jo faleminderit nuk duam te hyjme. Jemi mire keshtu. Bulenti nga elbasani.