Mirëkuptimi teatral në Tiranë nuk hap dyer në Bruksel

Nga Preç Zogaj

Brukseli vazhdon ta mbajë  pezull prej  rreth  tre vjetësh  aplikimin e  qeverisë shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Sirtari  me zarfin e  Berishës  brenda  nuk  është hapur fare në  vjeshtën e  vitit 2009.  Është  hapur, por  përgjigja për Shqipërinë ka qenë  “jo”  në vjeshtën e vitit 2010 dhe  “jo” përsëri në vjeshtën e vitit 2011. Tri vite të humbura    thjesht për  të kandiduar!  Tri  vite vendnumëro!

Nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër  të rajonit  kjo që ka ndodhur me Shqipërinë. Asnjë vend  aspirant nuk ka pritur kaq gjatë në një stacion të vogël  dhe  ende të  largët  drejt Europës së Bashkuar, siç është  kualifikimi  vend kandidat. Jemi parakaluar  nga  Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia në një maratonë që ne e kemi nisur disa vite përpara tyre.  Kemi mbetur të fundit kur kemi qenë të parët në  këtë korsi.  Nuk kemi asnjë siguri se do ta marrim ftesën nga Brukseli këtë vit, edhe pse në përcaktim  jemi populli më proeuropian   i Ballkanit dhe nuk kemi asnjë parti politike që është  kundër hyrjes së  vendit  në BE. Është më  se e  qartë se në pikën ku kemi mbërritur nuk vendosin më dëshirat, por standartet. Populli proeuropian e ka  futur në shtratin e duhur aspiratën e tij historike. Finalizimi i përket elitës politike-intelektuale. Zbatimi i kritereve- ky është  kushti që duhet përmbushur. Nga kush? Nga politikbërësit  në radhë të parë. Nga qeveria që  është votuar e mandatuar prej  populli për ta çuar vendin në Europë. Nga institucionet e pavarura -Presidenti, Gjykatat, Prokuroria, Sherbimi informativ Shtetëror, Avokati i Popullit,  e tjerë.  Nga opozita që ka rolin e saj  të pazevendësushëm në këtë  proces, si  institucioni që kontrollon, kritikon, kërkon  llogari,  propozon dhe voton  aty ku duhet vota e saj. Nga  organizatat e shoqërisë  civile dhe publiku mbarë.  Nuk ka dyshim se integrimi  i shpejtë dhe i sigurt është një mision në grup. Por  integrimi  ka specifikën se  në një rrethanë të caktuar  qeveria mund ta bëjë  edhe pa gjithë të tjerët, kurse gjithë të tjerët nuk mund ta bëjnë pa qeverinë.Qeveria mund ta tërheqë edhe e  vetme parmendën e integrimit, ndërkohë që të tjerët, sado të fuqishëm të jenë, nuk mund ta tërheqin pa qeverinë. Kështu janë ndarë këto punë. Kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar.

Mirëpo  në Tiranë  e kanë zakon të luajnë kukafshehurazi me  përgjegjësitë. Pa  e vrarë mendjen për pasojat. Sa herë ka ardhur një “jo” nga Brukseli  kemi dëgjuar përfaqësuesit  e lartë të  shumicës- kryeministrin, ministren e  Integrimit,   kryetarin e LSI-së dhe  shumë të tjerë- të përsërisin papushim  se fajin e ka opozita, bojkoti i saj, protestat e saj. Ka patur vertetë në paketën e dymbëdhjetë kritereve  të BE-së  dy pika që  kërkonin impenjimin e  drejpërdrejtë të  opozitës . Ato  dy pika kanë  qenë nënvizuar  me  tendencë për të nxitur përgjegjësinë e opozitës shqiptare në një anë dhe për të theksuar mesazhin e bashkëpunimit në anën tjetër.  Por paketa në tërësi ishte dhe është një Detyrë me “D” të madhe për qeverinë. Të thuash dhe të besosh me sinqeritet  në këto  kushte se fajin e ka opozita do të thotë të jesh minimumi naiv. Të gënjesh për  hir të propagandës,  do të thotë të jesh  i mbrapshtë,  i papërgjegjshëm.  Unë nuk mund ta di a e kanë patur për propagandë apo kanë besuar  sinqerisht  krerët e shumicës kur kanë  pohuar tribunë me tribunë se statusi nuk na është dhënë për  faj të opozitës. Të zotët e punës, domethënë ata të Brukselit, nuk e  kanë thënë kurrë këtë.  Ky fakt i ka vënë kapak me kohë këtij  diskutimi. Pa u kthyer më në këtë histori  cicmicesh, ia vlen të shënohet se tani që opozita  ka përmbushur  e po  përmbush në Kuvend   detyrat e saj, shumica  qeveritare  po përpëlitet  si peshku në zall.  Ç’ka ndodhur? Ka ndodhur kjo që duke  akuzuar opozitën, qeveria ka lënë pasdore detyrat e saj që janë me të shumta në numër dhe më thelbësore. Lufta  kundër korrupsionit  e krimit të organizuar dhe reformimi i sistemit të drejtësisë janë  dy nga sfidat më  të mëdha që duhet të përmbushë  Shqipëria për  të shpresuar një   notë pozitive nga  Europa. Në raport me këto dy sfida madhore qeveria shqiptare  është  në metamorfozë:   duhej të ishte zgjidhja dhe po bëhet problemi. Nëse kjo  metaformozë nuk ndalet, pra përmbyllet, çeshtja e  marrjes së statusit do të  presë rrotacionin politik të pushtetit, por edhe atëherë do të  gjykohet performanca  demokratike e qeverisë së re.

Koha po shkon. Paralajmërimet  e zyrtarëve të Brukselit  nuk janë hic optimiste për ketë vit. Edhe pse opozita nuk është as në bojkot, as në protesta. Nga gjithë kjo kuptojmë e duhet të kuptojmë  tashmë të gjithë dhe  jo vetëm një elitë e ndriçuar se bashkëpunimi mes forcave politike  është një premisë e mirë për  të shënuar progres, por nuk është vetë progresi.

Në një moment të caktuar, duke vlerësuar rëndësinë e  integrimit të vendit në Europë,  forcat politike mund të inskenojnë mirëkuptimin më të madh në histori, mund ta  luajnë si teatër konsensusin, duke shtrënguar duart para kamerave,  duke bërë sikur po punojnë sëbashku, duke u parë andej- kendej  krah për krah në tryeza  dhe delegacione të përbashkëta, duke votuar  unanimisht  marrëveshje  tip që nuk i lexon njeri, duke  e spërkatur këtë gjellë engjellorë me pak kripë debati që të  mos kuptohet loja dhe  të mos duket sikur e kanë shkrehur fare pluralizmin!

Në një moment të caktuar opozita,  që ka  përveshur mengët në Kuvend pa asnjë garanci dhe pa asnjë lëshim nga shumica për asnjë prej çeshtjeve për të cilat ajo ka protestuar, mund të  konkludojë se integrimi vlen me shumë se demokracia, prandaj të bëjmë  një sy qorr e një vesh shurdh,  vetëm ta marrim statusin, pastaj është statusi që punon për ne!

Nuk funksionon!  Nuk funksionon  as si teatër, as si shtirje. Nuk e ha njeri.   Integrimi nuk ka qenë dje  dhe nuk do të jetë as në të adhmen një çeshtje e formës, por e përmbajtjes. Një çeshtje e  plotësimit të detyrave konkrete të shtëpisë.  Të cilat “korrigjohen” në Bruksel.

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 16/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: