Një qëllim përtej integrimit në Bashkimin Europian

Nga Blerta Hoxha

Ne shqiptarët e kemi mendjen të qetë, sepse e dimë çfarë duam. Duam të anëtarësohemi në Bashkimin Europian dhe çka na bën dhe më të qetë, kemi vendosur që pikërisht tek anëtarësimi ta shohim zgjidhjen për shumë nga problemet tona. Me naivitetin – apo dembelizmin – e një populli që nuk e ka demokracinë në gjak, e kemi parë të arsyeshme të ankorojmë tek procesi i integrimit çdo aspiratë tonën për mirëqenie dhe demokratizim.

Por, a është e drejtë të mendojmë se procesi i integrimit evropian do të kujdeset vetvetiu që demokracia shqiptare të gëzojë shëndet të mirë? Ndoshta është koha që zhvillimet në gjirin e BE-së, si dhe ecuria jonë e ngadaltë drejt saj të na bëjnë të reflektojmë mbi këtë qasje.

Ne ia kemi besuar verbërisht detyrën e orientimit dhe garantimit të standardeve demokratike këtij procesi, pa kryer një reflektim vetjak se në ç’gjendje është demokracia jonë e ku po shkon ajo. Kjo vërehet dhe nga preferenca velëse për të përdorur vend e pa vend klishe si “modeli” apo “standardi” europian. Por, tashmë ne duhet ta njohim aq mirë Bashkimin Europian sa të dimë se jo për çdo çështje ekziston një model evropian që ne mund ta zbatojmë si ushtari i keq Shvejk. I keq sepse ky Shvejk në të cilin jemi kthyer, jo vetëm që mendon “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”, por gjithashtu është thellësisht i pasuksesshëm në zbatimin mekanik të detyrave.

Argumenti i ngritur më sipër nuk ka për qëllim të mohojë potencialin për të forcuar demokracinë që mbart në vete integrimi në BE për një vend si Shqipëria. Sigurisht, procesi i integrimit europian mund të ofrojë një kornizë parimesh bazë të demokratizimit. Në tërësi, nevoja e një vendi të vogël për të qenë nën një ombrellë më të madhe si dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, bëjnë që aspirata e anëtarësimit në BE të mbetet opsioni më i mirë.

Por tashmë është provuar më së miri, qoftë nga pikëpamja empirike ashtu dhe akademike që ai nuk mund të garantojë automatikisht demokratizimin e një vendi. Shembulli i menjëhershëm që të vjen në mendje është regresi i rrezikshëm i muajve të fundit me demokracinë në Hungari. Por ky nuk është rasti i vetëm. Indeksi i Demokracisë, një raport i respektueshëm i Economist Intelligence Unit, i botuar në dhjetor 2011, vlerëson plot 14 vende anëtare të BE-së si demokraci të çala (difektoze), përfshirë këtu ato të vendeve themeluese si Franca apo Italia.

Kjo përforcon mendimin se reflektimi mbi natyrën e demokracisë që duam të ndërtojmë është mirë të mos i besohet verbërisht aktorëve të jashtëm, por të shihet si një përgjegjësi e jona. Çka është dhe më shqetësuese, i njëjti raport e cilëson Shqipërinë si një vend hibrid, pozicion ky mes demokracisë së çalë (difektoze) dhe regjimit autoritar.

Dhe pikërisht këtu qëndron çështja që duhet të na mundojë. Ky raport, së bashku me të tjerë që përpiqen herë pas here të ndezin ndonjë dritë alarmi, kaloi pa u komentuar shumë, pa ndonjë debat apo reflektim domethënës në sferën publike. Në fund të fundit, një sjellje e tillë përkon me ngurrimin e përgjithshëm për t’u marrë me gjendjen e demokracisë shqiptare. Njëzet vjet për të prodhuar një regjim hibrid, asgjë më shumë! Ky përcaktim duhet të perceptohej si një kambanë alarmi shumë më e fortë se për shembull, lajmi i ditur i mosmarrjes së statusit kandidat për vitin e dytë radhazi, që nuk përbënte aspak lajm në vetvete.

Shqipëria ndodhet në stadin ku perspektiva evropiane është tepër e largët dhe e paprekshme për të ndikuar në mënyrë domethënëse demokratizimin dhe çdo aktor me integritet duhet të ketë aq realizëm sa ta pranojë këtë. Por edhe sikur të ishim duke ecur me ritmin e duhur dhe integrimi në BE të ishte një perspektivë e afërt, nuk do t’i shpëtonim dot detyrës për një reflektim vetjak mbi demokracinë që duam të ndërtojmë në vendin tonë. Përkundrazi, me shtimin e përgjegjësive, nevoja do të ndjehej dhe më shumë.

Në morinë e mënyrave demokratike për të rregulluar dhe zhvilluar fusha të ndryshme që aplikohen nga vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria ka rastin të mësojë, të reflektojë dhe të përzgjedhë çka është më mirë për të. Vetëm duke ndërtuar një vizion mbi demokracinë që do të jetë sot dhe në të ardhmen, Shqipëria shmang rrezikun që të mbetet jashtë BE-së. Por dhe rrezikun që kur të anëtarësohet të mbetet mbrapa duke mos qenë në gjendje të përballojë përgjegjësitë që nënkupton të qenit anëtar.

Shoqëria shqiptare duhet të nisë të reflektojë me seriozitet se çfarë modeli demokracie dëshiron të ndjekë pavarësisht aspiratës për anëtarësim në BE. Por dhe duke e konsideruar anëtarësimin si një perspektivë konkrete dhe të afërt, duhet të krijohet dalëngadalë një vizion mbi çfarë vendi anëtar duam të jemi ne një ditë. Kur vjen fjala për shtetin social, do t’u përngjajmë vendeve të Europës veriore apo atyre mesdhetare? Kur bëhet fjalë për të drejtat, Shqipëria do të jetë vend liberal si Spanja e cila i lejon martesat mes homoseksualëve apo konservator si Malta e cila deri para një viti nuk e lejonte divorcin? Për sa i takon transparencës dhe luftëa kundër korrupsionit, duam t’i përngjajmë Suedisë apo Rumanisë dhe Bullgarisë?

Me pak fjalë, BE-ja mban në gjirin e saj një mori shembujsh pozitivë dhe negativë për sa i takon demokratizimit. Dhe ne mund të plotësojmë kushtet në mënyrë sipërfaqësore e ndoshta t’ia mbushim mendjen një ditë Brukselit. Ne mund të zgjedhim nëse duam të përqafojmë shembujt më të mirë apo më të këqij, në varësi të pretendimeve që kemi për vendin tonë.

Por intelektualëve në Shqipëri u duhet pikësëpari të shqetësohen për gjendjen e demokracisë tout court, më shumë se për çështje si statusi i vendit kandidat. Ky duhet të jetë qëllimi i vërtetë, që Shqipëria të ketë një vetëdije të shëndetit të demokracisë së saj si dhe një vizion se si duhet të forcohet ajo. Integrimi në BE duhet të shihet si një rrjedhojë e demokratizimit, jo si një formulë e gatshme demokratizimi, sepse i tillë nuk është.

Por kush duhet të merret me shëndetin e demokracisë shqiptare? Kush duhet ta mbajë gjallë debatin mbi demokracinë?

Klasa jonë politike është tepër e zënë me ruajtjen ose marrjen e pushtetit që të shqetësohet për këtë gjë. Në mënyrë ironike, për nga praktikat që ushtron, ajo madje ka një konflikt interesi me demokratizimin.

Për një debat domethënës, e njëkohësisht një demokraci më të fortë, do të ishte mirë që bota akademike të mos e maste fuqinë e saj në numër studentësh, por nga cilësia e analizës shkencore mbi aspekte të ndryshme të demokracisë sonë 20 – vjeçare. Do të ishte mirë që dhe media, në vend të emisioneve të shumta të thashethemit politik, të frekuentuara ndonjëherë nga analistë që paraqiten në to me duar në xhepa, pa e parë të arsyeshme të përgatiten, të mundësonte edukimin e qytetarëve mbi rëndësinë e demokracisë. Të mundësonte një reflektim publik mbi rrjedhën që ajo ka marrë në Shqipëri. Do të ishte mirë që dhe shoqëria civile, në pauzat e shkurtra mes sigurimit të projekteve prej mijëra eurosh që do të pasurojnë dhe më shumë një rreth të ngushtë individësh, ta konsideronte seriozisht idenë e ndikimit mbi proceset politike dhe të nxitjes së debatit mbi demokracinë.

Idealja do të ishte që dhe për realizimin e një blogu të respektueshëm si ky, të mos nevojitej mbështetja e një donatori të huaj, por autorët ta gjallëronin spontanisht atë, si një kontribut për demokracinë shqiptare.

 

 

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 29/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: