Nga “Vallja e Shpatave” tek ‘Tangoja e Integrimit”

Nga Geron Kamberi

Ndoshta gotat e shampanjës do të trokiten pak  më me ndrojtje dhe entuziazën në 25  Mars të vitit 2012  në përkujtim të përvjetorit të 55-të Traktatit të Romës  që hodhi themelet e Komunitetit Ekonomik Europian .  Pavarësisht krizës së sotme të eurozonës,  askush  nuk do ta kishte menduar  atëherë se  6 vendeve  themeluese  do t’u  qëndronin në krah pas 55 vjetëve  edhe 21 vende të tjera europiane nga perëndimi në lindje që iu bashkuan këtij projekti vit pas viti. Ai që nisi fillimisht si  përpjekje për të pajtuar  Gjermaninë dhe Francën  u shndërrua në një magnet tërheqës  për paqen  dhe mirëqenien afatgjatë të mbarë kontinentit.

Në të njëjtin vit kur niste ky rrugëtim i gjatë dhe i ndryshëm i Europës drejt diçkaje të re , Shqipëria ishte e përfshirë  gjeografikisht në juglindje të saj por i përkiste një hapësire tjetër politike dhe ekonomike që do të emërtohej si lindja komuniste e Europës. Si për ironi  të fatit përballë universiteteve me moshë qindravjecare të Europës, ajo përjetonte atë vit jo vetëm  komunizmin por edhe  lindjen e Universitetit të parë  çka dëshmonte se vonesat e saj të historisë nuk ishin vetëm  rastësi sistemesh.

Ndërkohë një vit më parë , Shqipëria  kishte dështuar me “sukses” të gërvishte sadopak  kultin e individit në një Konferencë të komunistëve shqiptarë e njohur si Konferenca e famshme e Tiranës e vitit 1956 , një jehonë e zbehtë e Kongresit  XX të ish –BS  . Në të vërtetë vendi do ta shihte Europën  deri në vitet 90 përmes syve dhe ideve  të një individi  i cili me të njëjtën qetësi që kishte “prerë” kokat e kundërshtarëve, priste edhe shiritin e Universitetit të pare shqiptar një vit më pas. Shprehja se “roli i individit në histori është i pazëvendësueshëm përmban një të vërtetë,  por në rastin e Shqipërisë ajo vazhdon t’i përngjajë atij mallkimit kinez “ jetofsh në kohë interesante”. Dhe për  Shqipërinë këto  “kohë interesante” në raport me përpjekjet e saj për tiu afruar Europës  shpesh duket sikur nuk mbarojnë, por përsëriten në forma të ndryshme.

Në mes të një sanduici interesant vendesh fqinjë  ku nga njëra anë ishin  dy vende anëtare të BE si Italia dhe Greqia dhe nga ana tjetër një  federatë republikash sllave e “ paangazhuar”, Shqipëria mbërriti në pragvitet  90  të përmbysjes së komunizmit me  thirrjet e të rinjve“ E Duam Shqipërinë si gjithë Europa”.  Ky “rikthim  në Europë”  nuk ngjante edhe aq me ngazëllimin e ish – presidentit Havel kur i referohej vlerave, por ishte më shumë një shfrim për lirinë që po vinte përmes Europës së shndritshme të konsumit që kishte munguar prej dekadash në Shqipëri. Ngasja e ëndrrës së bollëkut e mirëqenies së Europës në “derë të shtëpisë “u shndërrua në një legjendë urbane afatesh ku dëshirat e papërmbajtura të rinjve dhe shqiptarëve filluan të ofrojnë parashikime se për 5 , 10 apo deri në 15 vjet  “ Shqipëria është në Europë!”

Ashtu si koncepti i “ dy shpejtësive të integrimit” që ka shoqëruar shtetet e Europës drejt këtij procesi edhe Shqipëria ka ecur drejt Europës gjatë këtyre 20 viteve të tranzicionit të saj mes dy shpejtësive  të ndryshme. . Njëra ishte shpejtësia drejt Europës së konsumit, kënaqësive, veshjeve , mallrave, makinave, celularëve,  shtëpive të bollshme( me leje dhe pa leje) dhe gjithë atyre kënaqësive që kishin kaluar shkarazi nëpër ekranet e televizionit. Shpejtësia tjetër lidhej me  rendjen drejt vlerave të tilla europiane si demokracia, qeverisja e mirë, zgjedhjet e lira, ndjenja e protestës, shtypi i lire, etj. Ashtu si në një rrugë me dy korsi paralele të gjithë pothuajse rendën të hynë në korsinë e shpejtësisë që të conte tek Europa e luksit me cdo kusht dhe cmim pa hedhur kokën pas se cdodhte me shpejtësinë e makinës që ecte në korsinë tjetër por që kishin të njëjtën pikëmbërritje .

Përpos “keqkuptimit historik” me rrugët e shpejtësitë që të sjellin brenda BE ,  Shqipëria do të mbarte me shpinë sikur vendet e tjera  të rajonit edhe “gungën” e Maleve Ballkan. Për ironi të historisë Malet Ballkan të Bullgarisë që i dhanë emrin Gadishullit tonë ndodhen në një shtet të rajonit si Bullgaria që tashmë është vend i BE, pavarsisht se edhe ai nuk arrin të shkëputet prej “ballkanizmave” që i shfaqen  në politikë, ekonomi etj .Vetë Europa është një tërësi gadishujsh të tillë si Apenin, Iberik, Skandinav  ku secili prej tyre ka shënjuar historinë e marrëdhënieve të anëtarësimit në BE në forma të ndryshme , por askush si vendet e mbetura të gadishullit  Ballkanik nuk ka përjetuar stërmundimin për t’iu afruar Europës. Në Librin Ballkani Imagjinar : Ballkani si alter  ego e Europes (1997) historiania e njohur Maria Todorova vërente mes të tjerave se “ një fantazmë po vërtitet në kulturën perëndimore – fantazma e Ballkanit” . Pragu i nënshkrimit të Traktatit të Mastrihtit të vitit 91 që do të fuste në përdorim termin Bashkim Europian, si dëshmi e thellimit të integrimit , sikur i dha  të drejtë këtij përcaktimi teksa ish- Republikat e  Federatës Jugosllave do ta kthenin në makth etnik e lumenj gjaku procesin e shpërbërjes në Republika të pavarura. Edhe Shqipëria u bë pjesë e një formulë matematike gjeografike  në fjalorin e Brukselit që do ta quante Ballkanin Perëndimor (5 -1 + 1) ku Sllovenia do t’u ikte republikave të atëhershme të ish- Jugosllavisë si Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi për t’iu bashkuar grupit të vendeve të EQL(Europës Qëndrore e Lindore) drejt BE së bashku me Bullgarinë e Rumaninë.  Përpjekja e BE  për ta shkëputur Shqipërinë nga kjo “arithmetikë rajonale” përmes një marrëveshje“ sui generis asocimi”  u shkërmoq   nën “rrotat e makinës“,  që kishin marrë formën e piramdiave financiare  në “korsinë” e mësipërme të konsumit e pasurimit ku shqiptarët po ecnin me shpejtësi  dhe që u “përplas” me makinën tjetër të zgjedhjeve të lira që kishte ngecura pa lëvizur në “korsinë “ tjetër dhe që mezi po ndizet.

Ndonëse shansi i Ballkanit Perëndimor në raport me BE do të shfaqej në formën  Procesit  Stabilizim & Asocimit në fillim të viteve 2000 ai sërish  mbarte në emërtimin e tij tragjedi-komedinë  e integrimit për këtë rajon ku makthi i stabiliteti tashmë do të merrte herë formën   e konfliktit etnik , herë të  sigurisë të brendshme apo edhe të   paqëndrueshmërisë politike. Në këtë rinisje drejt Europës Kroacia për afro 10 vjet mbërriti në dyert e BE si për të treguar se BE nuk është e lodhur nga zgjerimi,  por nga zgjerimi  “fantazmave të Ballkanit” që përmemd Teodorova dhe që enden në forma të ndryshme tek vendet e mundshme kandidateë të këtij rajoni .Kjo fantazëm vazhdon ende të ndjekë Serbinë që i shfaqet në formën e Kosovës ,  Maqedonisëë në formën e monumenteve të Aleksandrit , Bosnjen në formën  e gjysmështeteve që grinden dhe Kosovën me paqëndrueshmërinë e  shtetit të ri.  Si për të treguar vecantinë e kahershme të Shqipërisë,  “fantazmat e grindjeve etnike” të vendeve të tjera të rajonit  në Shqipëri kanë marrë formën e grindjeve mes “etnive politike” që janë kthyer në “zgjedhë” për procesin e integrimit ,  zhvillimin  e zgjedhjeve të lira  politike.

Parashikimet janë gjithnjë të rrezikshme por ajo që dimë me siguri është se në verën e vitit  2013 kur  Kroacia do të jetë shteti i parë i Procesit të Stabilizim – Asocimit  nga vendet e  Ballkanit Perëndimor që  do t’i bashkohet 27 vendeve të tjera të BE,  BE pritet të përkujtojë 20 vjetorin  e Kritereve të Kopenhagenit  për ish- vendet komuniste, ndërsa Shqipëria do të jetë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2013. Secili rreket të shpresojë dhe besojë se  më së fundi këto zgjedhje mund të heqin nga fjalori politik “ sindromën tango”  të zgjedhjeve shqiptare: 1 hap para 2 hapa prapa.

Si për të na rikujtuar rëndësinë e  Kritereve të Kopehangenit të BE vitit ‘93, 6 mujori i i parë i vitit 2012 përkon me presidencën daneze. Brenda kësaj presidence Shqipëria pritet të përkujtojë në Maj  të këtij edhe 20 vjetorin e marrëveshjes së parë me BE që shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë që vazhdon ende. Jo rastësisht krahasimet e  ambasadorit danez në Shqipëri  lidhur me kaosin e trafikut në rrugët tona  vecse na kujtojnë se nuk mund të shkojmë për aty ku jemi nisur  duke shkelur “rregullat” që simbolikisht mbajnë emrin e kryeqytetit  të vendit që ai përfaqëson. Liria e lëvizjes në vendet e zonës Shengen duket sikur i çliroi shqiptarët nga ankthi i“ mureve”, por Shqipëria  me “cenet” e demokracisë së saj nuk ka përse ta shfaqë veten  si “ Ballkani i Ballkanit” përsa  kohë njerëzit  zotërojnë dëshirën që të  prekin  edhe  liritë e tjera të BE-së .

Sipas mitologjisë greke, Pandora kur hapi kutinë e saj dhe nxori andej gjithë prapësitë la aty vetëm shpresën. Në të vërtetë vetëm ajo nuk do të mjaftonte që Shqipëria të besonte tek thënia “ e treta e vërteta “ pas mosmiratimit dy herë nga ana e BE të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë . Këtij mosbesimi duket sikur i bashkëngjitet edhe ritmi me  të cilën  kalon elita politike nga “vallja e shpatave” tek “ tangoja e integrimit” dhe anasjelltas shpesh në mënyrë marramendase dhe të pakuptueshme.

Megjithatë ecja e stërmunduar e Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve  drejt procesit të integrimit në BE, ndonëse   ka lënë pas plot mundësi të humbura,  është ende një lëvizje drejt shpresës. Në këtë rast jo për të na kujtuar se ajo vdes e fundit,  por për të mos e lënë që të vdesë

 

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 18/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: