Dekompleksimi nga Europa
Nga Henri ÇILI
Momenti i parë i një mënyre të re për ta parë integrimin europian, gjë së cilës i ka ardhur koha, është një fushatë, ose një proces dekompleksimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga BE dhe Perëndimi në përgjithësi.
Së pari, kanë kaluar 20 vjet dhe këto vite kanë krijuar një mentalitet tjetër, një homogjenizim midis individit shqiptar dhe atij perëndimor, gjithnjë e më të afërt, pavarësisht nga diferencat. Një e treta e popullsisë ka emigruar, ka pasur një marrëdhënie studimi, punësimi, tregtie etj. me botën, dhe në këtë pikëpamje Europën duhet ta shohim si të ngjashmen tonë dhe anasjelltas të ndjehemi europianë.
Së dyti, nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e kushteve personale të secilit dhe të gjithëve si shoqëri, kanë ndodhur transformime të rëndësishme, të cilat na kanë bërë gjithnjë e më shumë si Europa, si Perëndimi. Ndoshta jo si Finlanda apo Gjermania, por si disa pjesë të Spanjës, si Greqia po e po, si Bullgaria natyrisht, apo të themi si disa pjesë të Italisë, apo të jugut të Francës. Kjo do të thotë që rritja e pasurisë personale dhe pasurisë publike në tërësi, infrastrukturës, banesave të reja, autostradave, rrjetet e komunikimit etj., kanë krijuar një mentalitet të ri ose, si të thuash një panoramë thuajse të njëjtë ose drejt njëjtësimit me Europën.
Së treti, kemi liberalizimin e vizave, i cili ishte treguesi më i qartë i asaj se si politika e Europës kundrejt vendeve ‘të lëna jashtë gardhit’, përfshi këtu Shqipërinë, ishte nja 5 a 7 vjet me vonesë. Fakti që numri i azilkërkuesve ishte minimal pas liberalizimit të vizave, i papërfillshëm në rastin e shqiptarëve, tregon se sa e gabuar ishte vonesa, dhe sa rraskapitëse edhe për Perëndimin. Duhet pranuar se ishte i kushtueshëm edhe për Perëndimin sistemi i vizave, konsullatave e strukturës së policive të caktuara, për të mbajtur brenda disa shqiptarë, që të mos udhëtonin lirshëm nëpër Europë. Përkundrazi liberalizimi i vizave ka pasur impakt pozitiv mbi Europën: njerëzit lëvizin më shpesh dhe në Perëndim në kapacitetin e fuqive blerëse dhe turistike: pushojnë më shpesh, udhëtojnë më shpesh dhe më shpesh shpenzojnë. Shkurt janë të gjitha kushtet që në dekadën e tretë të dekompleksohemi nga Europa.
Por kjo është aperitivi, hyrja. Një raport i ri që duhet të ndërtojmë me Europën është një raport që orientohet drejt tregjeve: në marrëdhëniet midis shoqërive të caktuara nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa problemi i tregjeve. Tregjet nënkuptojnë gjithçka, nënkuptojnë shërbimet, të ardhurat, ndarjen e mirëqenies, midis shitësit dhe blerësit, eksportuesit, importuesit, përdoruesit, punëtorit, pronarit e kështu me radhë. Duhet bërë një përllogaritje e pozitës sonë në raport me Europën dhe nga kjo duhet të nisë një dinamikë krejt e re duke liberalizuar praktikisht tregjet, atë europian dhe atë shqiptar, pothuajse pa kushte.
Në tregun shqiptar kanë vërshuar dhe vërshojnë mallrat europiane, nga stilolapsi deri te uji që pijmë, nga pajisjet hidrosanitare tek ato elektronike. E shumëcka tjetër. Pra, në të vërtetë, Europa ose kapitali europian janë përfituesit e mëdhenj, sepse janë bërë sundues në tregun shqiptar. Pra 3-4 milion konsumatorë të cilët për 20 vite konsumojnë mallra Made in Europe. Pikërisht hapja e tregjeve duhet të na krijojë mentalitetin për t’i dhënë vetes të drejta shumë më të rëndësishme në raport me Europën. Mendoj se ne jemi në pozita inferiore në raportet e negocimit me Europën, dhe se ka një burokraci qesharake dhe të mërzitshme europiane, e cila duhet përmbysur dhe përballuar me një logjikë krejt të re.
Momenti i parë ose pretendimi i parë është se pas shkëmbimit të tregjeve, të cilat ia kemi hapur Europës, duhet të avancojmë shumë më shpejt në procesin politik të integrimit. Kjo duhet kërkuar me forcë, vendosmëri, sigurisht duke qenë bindës, duke lënë të hapur mundësinë që kjo është gjëja e parë më minimale si shkëmbim me tregjet qe i kemi hapur Europës.
Do të përmend disa paradokse qesharake: me Greqinë diskutohen paketa të rendit 130, 200, 300 miliard euro kredi dhe ku dihet se sa miliarda të tjerë janë kredi nga Perëndimi apo Europa, BE ose elemente të BE-së, në malin e debitit grek që arrin 300-400 miliard euro. Pra imagjinoni se për çfarë shumash bëhet fjalë dhe për një vend shumë afër nesh që nuk është më shumë se 3 herë më i madh se ne në popullsi.
Imagjinoni sikur Shqipëria të kërkonte sot nga BE 3 apo 4 miliard çfarë ndryshimi rrënjësor do të kishte ekonomia shqiptare. BE diskuton me pikatore disa fonde me 10 milion euro, disa qindra të themi, të cilat janë fare pak si kompensim i tregjeve që i janë hapur Europës, ose në raport me kontributin që BE jep për zhvillimin e fqinjëve tanë ose ka dhënë në faza të ndryshme për rajone të caktuara të Europës.
Ne duhet të negociojmë fort si një qeveri sovrane, e ligjshme dhe me të drejta për të vepruar, një paketë zhvillimi të Shqipërisë të rendit 5-10 miliard euro të cilat nuk janë absolutisht asgjë për kreditimin europian. Këto duhet të jenë kredi zhvillimi për të ndryshuar rrënjësisht dhe për ta kaluar Shqipërinë në një moment që lidhet me parametrat e një vendi të zhvilluar. Sigurisht që konteksti është i vështirë në këtë kohë krizash financiare që po kalon Europa, por shuma të tilla janë të papërfillshme. Kjo duke mbajtur parasysh hapjen e tregjeve shqiptare ndaj Europës, e cila prej 20 vitesh përfiton prej tyre; duke mos harruar gjithashtu vështirësinë e Europës me tregjet kineze e të tjera vendeve në zhvillim.
Është e pakuptimtë që, përtej disa çështjeve delikate politike ose gjeopolitike, në 360 milion europiane, rreth 15-17 milion europiane që kanë mbetur jashtë BE-së, që janë sa një pjesë e Francës, sa 1/3 e Spanjës, sa pjesa jugore e Anglisë, të mos integrohen. Bëhet fjalë për popullatat e Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës dhe Maqedonisë. Pra duhet dalë në një nivel më ballkanik, por duhet të fillojë të ndryshojë mentaliteti te vendimmarrësit tanë në lidhje me pretendimet që duhet të kemi ndaj BE.
Sigurisht ky moment, sjell në skenë një aktor të ri, me vendosmëri shumë më të madhe, kapitalin vendas. Kemi korporatën e biznesit e cila është më e diskriminuara, më e dëmtuara nga invazioni i produkteve europiane në tregun tonë. Këtu duhet të ndalemi dhe të kërkojmë benefice/përfitime në raport me atë që i kemi dhënë Europës me hapjen e tregjeve: duhet të kërkojmë pjesën tonë në këtë treg europian. Duhen riparë ose parë me një koncept krejt të ri kuotat në lidhje me eksportet dhe importet në BE, në funksion të negociatave të reja, apo fazave të reja. Është absolutisht e nevojshme që një numër produktesh shqiptare të kuotoheshin më shumë drejt BE-së dhe të uleshin kuotat për importin e një numri produktesh europiane në Shqipëri. Të parat që duhet të kufizoheheshin janë importet ushqimore të cilat duhet të ishin produkte Made in Albania.
Gjithashtu ne duhet të kërkonim qartësisht subvencione nga Europa për të aktivizuar disa industri të vogla vendase që do të na conin drejt zëvendësimit në një gamë të madhe të produkteve të huaja me ato vendase, sigurisht pa cenuar luajalitetin e tregut. Pra aktivizimi i disa industrive vendase, subvencionimi, politika mbështetëse për disa produkte të cilat zëvendësojnë importet e mëdha.
Dhe në fund të fundit, ajo që e përmbledh të tërën, është kalimi drejt kapitalit prodhues dhe lënies prapa të asaj fazës pasive kur nuk kemi qenë gjë tjetër veçse një frigorifer i madh i Europës. Duhet t’i japim fund të qenit një magazinë dhe një shitore e produkteve me flamurin me 12 yje. Inkurajimi i kapitalit vendas dhe përcaktimi ose ndarja e një pjese në prodhimin e përgjithshëm europian ne do të përmirësonin kapitalin, bilancin e pagesave, ose deficitin tregtar, të themi raportin midis eksporteve dhe importeve. Të gjitha këto nuk mund të bëhen e të artikulohen nga elitat të cilat janë kryesisht të implikuara në lojërat e pushtetit, dhe përdorin zyrtarët europianë nga niveli më i ulët deri te më i larti, në sistemin e lobimeve, jo aq për interesat e tregjeve shqiptare dhe korporatës së biznesit shqiptar, por për të negociuar, për avantazhe të pushtetit ndaj kundërshtarit, apo për të fshehur hilet.
Kapitali duhet të jetë partneri i ri kryesor, patjetër bashkë me grupet e tjera sociale, në negociimin me BE. Ne kemi vetëm një problem të ri me Europën: duhet t’i pretendojmë asaj më shumë nga ç’na jep, për shkak se i kemi dhënë asaj më shumë nga ç’duhej. I kemi dhënë plotësisht gjënë më të rëndësishme që ka një shoqëri, në kuptimin modern të fjalës, tregun.
Postuar më 16/02/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0