Paradigma dëshpëruese e integrimit në Bashkimin Europian

Nga Blendi Kajsiu

Në fillim të viteve 1990 integrimi i Shqipërisë në BE (atëherë Komuniteti Europian) është bazuar tek një shpresë e madhe se integrimi në BE ishte rruga e rimëkëmbjes dhe e kthimit të Shqipërisë në identitetin e saj evropian.  Një nga parullat më të fuqishme që udhëhoqën lëvizjen studentore në përballjen e saj me regjimin komunist ishte; “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!”.  Me rënien e sistemit komunist Evropa zëvendësoi hapësirën simbolike që kish boshatisur rënia e komunizmit si ide organizuese e shoqërisë shqiptare.

E thënë më thjesht, ideja se socializmi i vështirë ishte një fazë kalimtare drejt komunizmit si stacion përfundimtar, u zëvendësua me idenë se tranzicioni i vështirë demokratik ishte një fazë kalimtare drejt Europës si stacioni përfundimtar.  Në të dyja rastet logjika teleologjike mbetej e njëjtë, por utopia komuniste zëvendësohej me atë europiane.

Paradoksalisht ëndërra europiane dukej më e besueshme dhe më e arritëshme pikërisht njëzet vjet më parë, kur nga pothuajse cdo pikëpamje Shqipëria qëndronte më larg antarësimit në Bashkimin Europian sesa sot.  Në fillim të viteve ‘90 shpresa tek integrimi europian si zgjidhja përfundimtare e problemit shqiptar ishte mjaft e madhe.  Edhe koha e anëtarësimit nuk dukej shumë larg; sipas një deklarate të presidentit Berisha në fillim të viteve ‘90 Shqipëria do ishte anëtare e BE-së në jo më shumë se 15 vite.  Anëtarësimi në BE shikohej nga aktorët lokalë si procesi konkret nëpërmjet të cilit ëndërra europiane do të bëhej realitet.   Ideja bazë që  e ushqente këtë shpresë ishte utopia e një Bashkimi Europian si parajsa e kombeve të lumtura.  Premisa bazë ishte se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të shënonte fundin e tranzicionit, transformimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar dhe demokratik.

Ama sa më shumë Shqipëria i afrohej BE-së aq më shumë dukej se largohej ëndërra europiane.  Sa më shumë Shqipëria nënshkruante marrëveshje që e përafronin me BE-në, aq më pak realiteti politik dhe social i zhytur në zhgënjim, korrupsion dhe padrejtësi i përngjaste ëndërrës europiane.  Kështu gradualisht shpresa tek integrimi europian zëvendësohet me dëshpërimin se as ilaci i integrimit nuk i bënte derman problematikës shqiptare. Pas krizave të viteve 1997 – 1998 dhe me rritjen galopante të korrupsionit në qeverisje përgjatë viteve 2000 ideja se integrimi i Shqipërisë në BE do të sillte europianizimin e saj fillon e zbehet.  Përafrimi me BE-në në legjislacion, në tregti, dhe në shumë fusha të tjera nuk rezultoi automatikisht në më pak korrupsion, më shumë mirëqeverisje, apo më shumë demokraci.  Tashmë integrimi në BE nuk shihet me entuziazmin shpresëplotë të fillimit të viteve ‘90 sipas të cilit Shqipëria nëpërmjet integrimit në BE një ditë do të bëhej si Europa.  Për aktorët lokalë ishte bërë e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do të shënonte automatikisht transformimin e saj në një vend të zhvilluar dhe plotësisht demokratik.  Pikërisht këtu fillon edhe faza e dytë e integrimit në BE që më shumë sesa tek shpresa bazohet tek dëshpërimi.

Por dëshpërimi me situatën shqiptare nuk e uli dëshirën për integrim në BE. Përkundrazi dëshpërimi me Shqipërinë ushqente domosdoshmërinë për Europën.  Tashmë integrimi nuk shihet edhe aq si një shpresë për përmirësim sesa si e vetmja mundësi për të ndaluar degradimin.  Pra ndërsa në periudhën e parë integrimi shikohej si mundësi për t’i ngjarë Europës, në periudhën e dytë integrimi shihet si

e vetmja alternativë që Shqipëria mos t’i përngjasonte më shumë vetvetes.  Politikisht integrimi në BE justifikohet si parakusht i demokratizimit.  Presupozohet se pa  BE-në polisi shqiptar do të shkonte drejt shthurjes dhe diktaturës.  Ekonomikisht Shqipëria është shumë e vogël, shumë e paaftë dhe tejet e varfër që të zhvillohet pa ndihmën direkte të BE-së.  Këto janë dy premisat bazë mbi të cilat mbahet paradigma e integrimit sot. Të dy këto momente kanë një emërues të përbashkët; idenë bazë se zhvillimi politik dhe ekonomik i Shqipërisë buron vetëm nga jashtë,  ndërsa pengesat ndaj këtij zhvillimi janë vetëm të brendëshme.

Është pikërrisht paradigma e dëshpërimit mbi të cilën sot bazohet integrimi në BE që duhet cmontuar për krijuar hapësira të reja dhe më shpresëdhënëse mendimi.  Është një kritikë që duhet ndërmarrë jo vetëm për të ndricuar atë që kjo paradigmë fsheh, por edhe mënyrën se si paradigma e dëshpërimit e riprodhon pafundësisht vetveten.  Nga njëra anë paradigma e integrimit ia vesh cdo progres politik apo ekonomik të Shqipërisë procesit të integrimit në BE duke injoruar cdo arritje lokale që nuk ka të bëjë me integrimin.  Nga ana tjetër paradigma aktuale e integrimit riprodhon vazhdimisht dëshpërimin që legjitimon domosdoshmërinë e integrimit në BE, duke prodhuar vazhdimisht një marrëdhënie asimetrike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në rrafshin ekonomik zhvillimi i Shqipërisë i dedikohet hapjes së ekonomisë shqiptare ndaj asaj europiane.  Me krenari trumpetohet se BE-ja i ofron Shqipërisë jo vetëm ndihmë, por edhe tregjet e saj të pafund, dhe se BE-ja është partneri ekonomik kryesor i Shqipërisë sot.  Ajo që injorohet është fakti se Shqipëria këto njëzet vite më shumë sesa nga hapja e tregjeve është zhvilluar nga hapja e kufinjve që BE-ja vazhdimisht i mbyllte.  Ka qenë eksporti i krahut të punës, apo emigracioni ai që ka përbërë motorin nxitës të ekonomisë shqiptare duke stimuluar direkt sektorët më vitalë, si ai i ndërtimit.  Ironikisht pothuajse i gjithë emigracioni ka ndodhur në kundërshtim të plotë me direktivat e BE-së të cilat kërkonin dhe investonin në pengimin e tij nëpërmjet një kontrolli më rigoroz të kufinjve.  Nga ana tjetër tregtia e lirë me BE-në ka prodhuar deri tashmë vetëm një déficit tregtar që vazhdon të rritet.  Me pak fjalë edhe pse zhvillimi i deritanishëm i Shqipërisë ka ardhur kryesisht si pasojë e punës së shqiptarëve, meritat shpesh i atribuohen integrimit të ekonomisë sonë në BE, investimeve të huaja nga BE-ja apo ndihmave që janë dhënë nga kjo e fundit.

Në rrafshin politik BE-ja vazhdimisht portretizohet si garantuesi i demokracisë shqiptare.  Vetë BE-ja e shikon vetveten si monitoruese  dhe vlerësuese të demokracisë shqiptare.  Ndërsa ideja që dominon sot në hapësirën publike shqiptare është se pa BE-në Shqipëria do ish kthyer me kohë në diktaturë.  E thënë ndryshe pa BE-në në Shqipëri nuk ka demokraci.  Ajo që kjo ide fsheh është roli negativ që shpesh BE-ja ka luajtur në demokracinë shqiptare duke theksuar stabilitetin më shumë se demokracinë, si dhe rolin pozitiv që është luajtur nga vetë populli shqiptar për të ruajtur sistemin demokratik.  Kështu disa nga momentet më të zeza të demokracisë shqiptare si zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, apo qeverisja e parë e Partisë Demokratike shpesh kanë ndodhur me mbështetje të aktorëve të fuqishëm të hapësirës europiane, qofshin këto organizma si Këshilli i Europës, apo politikanë të ndryshëm të lartë evropianë që shpesh mbështesnin haptas pushtetin autoritar të presidentit të atëhershëm Berisha, apo institucionet që dilnin nga zgjedhjet e manipuluara.  Ashtu sikurse pothuajse të gjitha proceset e dështuara zgjedhore janë gatuar shpesh me asistencën e organizmave ndërkombëtar alla OSBE.

Duke marrë si të mirëqenë premisën se demokracinë shqiptare e garanton BE-ja ne harrojmë se e vetmja forcë reale që ka nxitur demokratizimin shqiptar ka qenë vetë populli shqiptar.  Rrëzimi i komunizmit shqiptar vërtet është mbështetur nga jashtë, por mbi të gjitha ai është arritur nga brenda si pasojë e revoltës popullore që u shfaq fillimisht në protestat e klasës punëtore në Kavajë dhe Shkodër, vazhdoi me largimin masiv nëpërmjet ambasadave dhe kulmoi me protestat studentore që u mbështetën fuqimisht nga popullsia e Tiranës.  Një revoltë që me vonesë filloi të përqafohej edhe nga elita e atëherëshme që pothuajse në tërësinë e saj ishte pjesë e regjimit komunist.  Po kështu rrëzimi i qeverisjes autoritare të PD-së në vitin 1997 erdhi së pari si pasojë e revoltës popullore dhe jo nga kritikat e BE-së apo nga opozita e atëhershme.  Revolta popullore e vitit 1997 ishte një hap para opozitës socialiste dhe deklaratave të komunitetit ndërkombëtar.  E thënë ndryshe BE-ja merr një rol qendror si garantuese e demokratizimit të Shqipërisë që në fakt errëson motorin dhe garantuesin e vërtetë të demokracisë shqiptare, që është dhe duhet të jetë vetë populli shqiptar.

Uzurpimi, zhvendosja apo zëvendësimi që BE-ja i bën demosit shqiptar në procesin e integrimit është në fakt sfida më e madhe që i bëhet demokracisë shqiptare, përtej qëndrimeve të këtij apo atij institucioni evropian apo eurokrati.  Ky është një uzurpim i dyfishtë.  Së pari, politikisht BE-ja gradualisht zëvendëson demosin lokal si burim legjitimiteti.  Për shumë probleme të brendshme më shumë sesa opinioni i brendshëm publik kërkohet opinioni i jashtëm europian.  Fjala bie, nëse Meta del i pafajëshëm mediat rendin më shumë drejt komenteve të zyrëtarëve europianë sesa drejt opinionit të brendshëm publik që në fakt duhet të ishte gjykatësi final.  Po kështu për cështje si importi i mbetjeve më shumë rëndësi marrin deklaratat e zyrtarëve europianë në Bruksel sesa opinioni i publikut shqiptar.  Shkurt BE-ja vazhdimisht, me apo pa dashje, uzurpon hapësirën që i takon opinionit të brendshëm publik.  Ne sot i referohemi BE-së me të njëjtin intenstet, zell dhe kërshëri sikurse mediat amerikane apo europiane i referohen sondazheve të opinionit publik amerikan apo europian.  Në fakt ne sot ende nuk kemi ndërtuar qëndra të besueshme të matjes së opinionit publik.

Aspekti tjetër në të cilin BE-ja e mënjanon demosin shqiptar është aspekti legjislativ.  Procesi legjislativ shqiptar gjithnjë e më tepër orientohet drejt BE-së dhe gjithnjë e më pak drejt realitetit apo demosit lokal.  Kështu nëse qeveria kalon një ligj si Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve që krijon shqetësim tek publiku shqiptar pasi lejon importin e mbetjeve nga jashtë, ajo e legjitimon këtë ligj duke iu referuar standarteve europiane.  Në këtë mënyrë miratohen një pafundësi ligjesh që janë të palidhura dhe të pazbatueshme me realitetin politik, social, administrativ dhe buxhetor shqiptar.  Mjafton të përmendim ligjin e duhanit për ta kuptuar këtë dinamikë.  Mjafton të përmendim nene të Kodit tonë Penal si neni 356 që denon me burg një deputet që premton një vend pune në shkëmbim të votës, dhe me gjobë qytetarët që votojnë në shkëmbim të një vendi pune!  Në këtë mënyrë prodhohet një inflación legjislativ që ul zbatueshmërinë dhe vlerën e ligjit, duke prodhuar kështu kulturën tonë antiligjore.

Problemi nuk qëndron vetëm tek inefikasiteti që prodhon përafrimi aktual i legjislacionit me BE-në.  Problemi nuk qëndron as vetëm tek mospërputhja e legjislacionit dhe realitetit shqiptar.  Problemi qëndron tek një proces legjislativ jo-demokratik që më shumë se tek shqetësimet e shoqërisë shqiptare orientohet drejt direktivave europiane.  Në këtë mënyrë nga njëra anë prodhohet një déficit demokratik shumë më i lartë sesa ai brenda vetë BE-së.  Nga ana tjetër krijohet një kulturë politike dhe legjislative që e shkëput vendimmarrjen nga demosi shqiptar.  Për pasojë prodhohet një demokraci boshe, apo demokraci spektakli, pasi në thelb demokracia nënkupton ligje që në analizën e fundit burojnë nga demosi.

Për të gjitha arësyet e mësipëme procesi i integrimit në BE dhe procesi i demokratizimit real janë në thelb dy procese kontradiktore.  Demokracia në thelb nënkupton sovranitet; demosi jo vetëm që duhet të jetë i lirë të ketë fjalën përfundimtare, por edhe i aftë të marrë vendime për veten.  Një demos që ia ka deleguar demokratizimin një organizmi jashtë dhe sipër vetes nuk mund të prodhojë demokraci.  Pikërisht kjo ka ndodhur gjatë procesit të integrimit.  Sot demosi shqiptar ka shumë më pak besim tek institucionet lokale që e përfaqësojnë dhe shumë më tepër besim tek institucionet e huaja jashtë tij që ai nuk i zgjedh.  Në një sondazh të Gallup Balkan në vitin 2008 besueshmëria e publikut ishte më e lartë për institucione si NATO apo BE ku Shqipëria synonte të antarësohej sesa për institucionet lokale që e përfaqësojnë atë. (Shiko Tabelën 1).

Integrimi thellon vazhdimisht marrëdhënien asimetrike mes BE-së dhe Shqipërisë duke i shërbyer, me apo pa dashje, delegjitimimit të institucioneve të brendshme dhe legjitimimit të institucioneve të BE-së.  Në këtë proces varësia jonë politike, ekonomike dhe legjislative ndaj BE-së vazhdimisht thellohet.  Demosi shqiptar gjithnjë e më tepër vendoset në pozitat e një fëmije që kërkon ndërhyrjen e prindit europian për të zgjidhur problemet e tij.  Dhe sa më shumë problemet na i zgjidh apo kërkojmë tii zgjdhim në BE aq më pak të aftë jemi për të zgjidhur vetë problemet tona, për ta luftuar vetë korrupsionin tonë, për ta ruajtur vetë demokracinë dhe për ta zhvilluar vetë ekonominë.  Prandaj ndoshta një ditë ne do futemi në BE, por si një fëmijë që prindi europian ka frikë të lërë edhe për shumë kohë jashtë, sepse është zhytur në një depresión të rrezikshëm.

Advertisements

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 21/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: