Argumenti për statusin europian
Nga Artan Fuga
Në të gjitha përpjekjet e institucioneve shqiptare për të bërë që vendi të avancojë në statusin e vet europian janë përdorur argumenta të ndryshme. Nuk ke se çfarë bën përderisa kjo kërkohet. Libri me përgjigjet e shtetit shqiptar lidhur me pyetjet e institucioneve të Europës drejtuar atij, dukej shumë voluminoz.
Unë nuk e di nëse përgjigjet ishin të sakta ose jo, ndonëse uroj të kenë qenë të tilla.
Ndërkohë përpara disa muajsh Europa kishte vendosur një “notë” jo fort optimiste për Shqipërinë duke folur për “progres të kufizuar”. Shqipëria nuk bëri dot një hap përpara në statusin e vet europian, pra t’a zemë të kishte marrë atë të vendit të konsideruar zyrtarisht si kandidat, apo diçka tjetër.
Dëgjojmë që gjithësesi kjo gjë do të shqyrtohet përsëri gjatë vitit në vazhdim. Pra, shtetit shqiptar, politikës shqiptare, shoqërisë civile shqiptare, i takon që të prodhojë argumente që të legjitimojnë marrjen e një statusi formal dhe institucional më të lartë për vendin.
Sigurisht, Shqipëria ka nevojë për Europën, poaq sa edhe Europa ka nevojë për Shqipërinë dhe Ballkanin.
Problemi është i qartë : Cfarë argumenti themelor ka nevojë të përpunojë bota shqiptare për të tërhequr vëmendjen e institucioneve europiane në mënyrë që të legjitimojë kërkesën e saj për një status të përmirësuar europian?
Dikush ka të drejtë të thotë : “Nuk është fjala për të prodhuar argumente, puna është për të pasur arritje!” E drejtë deridiku si vërejtje, por në diplomaci nuk ka nevojë vetëm të kesh arritje të matshme, por edhe të dish t’i legjitimosh ato.
Pastaj ka edhe një pyetje tjetër edhe më “djegëse” : “A ka ndonjë argument themelor në favor të Shqipërisë europiane që klasa politike, nuk e formulon dot?”. Nuk e formulon dot jo për arësye se nuk është e zonja. Po, për arësye se nuk i takon asaj t’a formulojë, statusi që ka e pengon t’a formulojë. Po t’a bënte këtë do të binte disi në kundërshtim me veten e vet dhe kundër vetes së vet.
Në shkencat epistemologjike, nëse do t’a thoshim, idenë paksa në mënyrë më të ndërlikuar: Nganjëherë është statusi i aktorit politik që pengon artikulimin e duhur të tyre.
***
Në raportin e progresit për Shqipërinë kishte vërejtje nga më të rëndësishmet deri te ato më të hollësishmet. Parlamenti që kishte funksionuar me shumë vështirësi të shkaktuara nga forcat politike. Mirëkuptimi i partive politike shumë i dobët. Gjyqësori problematik, administrata me politizime, institucionet kushtetuese në vështirësi, shkalla e korrupsionit e paneglizhueshme…
Të gjitha të drejta.
Mirëpo, tani ka vend përsëri për të riformuluar pretendimin shqiptar për një status më të avancuar brenda institucioneve europiane.
Kam bindjen se argumenti më i fortë do të ishte ai që nuk ka të bëjë as me institucionet, as me mirëkuptimin midis forcave politike, as me drejtësinë, administratën, korrupsionin, etj. Të gjitha këto janë të rëndësishme sigurisht.
Por, argumenti bazë dhe i pakundërshtueshëm, ai që nuk mund të mos pranohet, unanimisht, i mirëkuptuar besoj nga forcat politike, është tjetër.
Ky argument themelor është sjellja europiane, e emancipuar, proeuropiane e publikut shqiptar, e qytetarit shqiptar.
Çfarë do të thotë kjo ?
Kjo do të thotë se ndërsa në planin institucional mund të bëhen shumë kundërshtime për t’a pranuar statusin europian të Shqipërisë, (për mendimin tim janë të drejta, por të pamjaftueshme për të krijuar bindje se vendi duhet mbajtur ende ne periferinë e largët të integrimeve europiane), kur është fjala për sjelljen e qytetarëve të vet, Shqipëria meriton pa dyshim të ketë një status tjetër europian.
Cila është sjellja e emancipuar dhe proeuropiane e qytetarit shqiptar?
Së pari, Shqipëria dhe shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri e përçarë mes vetes, as në planin politik, as në planin krahinor, as në planin fetar, as në planin etnik, sikur ndodh me shumë vende të tjera ballkanike ose më tej, ku shoqëria gati përbëhet nga komunitete të izoluara, të armiqësuara gati mes njera tjetrës. Nuk ka vend t’i hyjmë analizave konkrete për të par se çfarë ndodh në “oborrin” e fqinjëve tanë. Por, është e sigurt dhe e padiskutueshme që megjithë përpjekjet e bëra për t’i helmuar marrëdhëniet etnike, ndërfetare, sociale në shoqërinë shqiptare, ajo mbetet solide, duke dhënë shembujt të lavdëruar të bashkëjetesës midis grupeve kulturore.
Së dyti, sjellja politike e qytetarit shqiptar ka qenë shembullore. E ka përqafuar procesin e demokratizimit politik pa asnjë ekses. Ndonëse një shoqëri me histori persekutimesh, politikisht ajo po i ringjiz urat e veta pa dhunë sikurse ka ndodhur në shumë vende fqinje, tani apo dikur, përgjatë historisë të tranzicionit apo më parë.
Gjithkush mund të ankohet për nivelin e procesit zgjedhor në Shqipëri sidomos përgjatë viteve të fundit. Por, askush nuk mund të mohojë që qytetari ka votuar rregullisht, qetësisht, në paqe, me kulturë demokratike, pa përplasje dhe ka marrë distanca të prera ndaj rreziqeve që sjellin akte të dhunëshme kanë shfaqur kokën e tyre aty apo këtu.
Së treti, edhe në planin ekonomik, qytetari shqiptar është treguar në lartësinë e duhur. Ka qenë sa ka mundur afër punës, me një nivel marrje kredish bankare relativisht të arsyeshëm, i gatshëm të punojë në punë të vështira. Ka pranuar privime në shërbime spitalore, shkollimi, kulture artistike, duke treguar një sens durimi asketik për të ecur në rrugën e mirëqënies dhe të prosperitetit ekonomik.
Së katërti, popullsitë shqiptare në Ballkan, veçanërisht qytetarët e Shqipërisë janë treguar një faktor paqeje në rajon dhe më gjerë. Asnjëherë shteti shqiptar nuk është gjetur në vështirësi për të rekrutuar forca paqeruajtëse dhe për t’i dërguar ato në zonat e nxehta në mbështetje të aksioneve strategjike të vëndeve aleate.
Po kështu, qetësia është respektuar në zonat kufitare. Janë respektuar kufijë me kombet e tjerë dhe pavarësisht padrejtësive që iu bëhen komuniteteve shqiptare në Ballkan ato kanë vepruar me gjakftohtësi, pa rënë preh e provokacioneve të figurave me identitet të pabesueshëm apo me prirje subjektive.
Po të shohësh spektrin e partive politike në Shqipëri dhe përbërjen e elektoratit, do të vësh re sesa pak terren ka për partitë politike nacionaliste, ultranacionaliste, shoviniste, dhe që mbështeten mbi urrejtjen etnike. Ndofta më pak se në çdo vend tjetër të Europës.
Së pesti, nga të gjitha vendet e tjera ballkanike, për shkaqe konjukturale, historike, gjeopolitike, kulturore, qendrimi proeuropian dhe properëndimor është tejet e fuqishëm ende brenda opinionit publik të Shqipërisë. Ai nuk mund të lihet pa përgjigje. Këtë e tregojnë sondazhet, por mbi të gjitha sjellja proeuropiane e shqiptarëve në ndjekjen e televizioneve të huaja, të kulturës masive, të flukseve turistike drejt këtyre vendeve, të vlerësimit të mallrave, të arsimimit të një pjese të bijve dhe bijave të veta, të idhujve që ka publiku në fushat e artit, sportit, spektaklit, etj. E gjitha kjo është aq e fortë sa që shpesh shkon deri në kufijtë e imitimit.
Së gjashti, përmendim sjelljen e emigrantëve shqiptarë në vendet europiane, si Greqi, Itali, Gjermani, etj. Ata kanë treguar pa falë, por me vepra, me sjelljen e tyre të përditshme në vendet përkatëse, një dëshirë dhe fuqi integrimi tepër të çmuar. Kanë bashkëjetuar bukur me vendasit, i kanë çuar fëmijët e tyre të shkollohen në institucionet arsimore vendase, asnjë sjellje veçimi kulturor dhe fetar, njerëz të punës dhe me një përmirësim të jashtëzakonshëm të imazhit të tyre brenda opinionit publik të vendit ku jetojnë.
Së shtati, qytetari shqiptar nuk ka shkaktuar probleme në respektimin e rregjimit të ri të kufijve pas përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave, duke e mbrojtur këtë arritje nepërmjet një sjelljeje respekti dinjitoz.
***
Argumenti më i fuqishëm i Shqipërisë për t’u integruar në Europë është sjellja e qytetarit të saj, krejtësisht proeuropiane dhe me kulturë demokratike. Pavarësisht kritikave që kemi ndaj vetes sonë. Por, le të mos mbytemi në një gotë me ujë duke u bërë mazokistë.
Nuk është se nuk ka arritje të tjera.
Mirëpo politika shqiptare e ka disi të vështirë t’a formulojë këtë argument si të parin, më kryesorin, të padiskutueshmin.
Përse? Sepse ndodhet paksa në një pozitë të vështirë për t’a bërë këtë.
E para sepse, me dashje ose pa dashje, duket se kështu sikur do të ulte veten e saj. Dukej sikur do të pranonte se ishte nën nivelin e pritshmërive qytetare. Kjo do të ishte një ndruajtje naive sepse në Europë dhe në ShBA pranohet si një fakt normal që politika, shteti, institucionet, janë gjithëmonë më poshtë pritshmërive të sjelljes qytetare.
Së dyti, sepse po të evidentonte si duhej këtë argument, do të ndruante se para aeatëve tanë europianë do të dukej sikur nuk po reagonte ndaj kritikave, por përfiton nga diçka që nuk varet prej saj : Sjellja qytetare. Edhe kjo nuk ka vend të qendrojë sepse në fund të fundit edhe qytetarët diçka kanë marrë nga politika.
Gjithësesi politika nuk është në gjendje aq të lehtë për t’a formuluar këtë argument. Nëse e kam gabim, le të tregojnë një dokument zyrtar ku sjellja europiane e qytetarëve të paraqitet si argument bazë për përmirësimin e statusit europian të vendit.
Është koha për t’a bërë. Për të sjellë një emancipim të mënyrës si e fomulojmë kërkesën tonë për statusin europian të vendit. Jo si lutje, jo me ndjenjë fajësie, jo me përulje. Por, me dinjitet. Duke ndërtuar një hierarki vlerash dhe argumentesh ku më i pari, çka kërkon elaborime të mëtejshme, është sjellja e qytetarëve shqiptarë, proeuropianizmi i qytetarëve.
Sepse në fund të fundit kemi parë që vendet europiane dhe perëndimore kanë ndërhyrë në vende të ndryshme duke mbështetur qytetarët qoftë edhe kundër përfaqësuesve politikë lokalë. Kur kjo bëhet në raste dramatike, përse të mos përdoret edhe në raste pohimi, mbështetje.
Europa mund të ketë kritika ndaj klasës sonë politike. Me të drejtë. Por, le të kërkojmë të mbështesë qytetarin proeuropian, përtej kritikës ndaj institucioneve dhe politikës.
Për çfarë arësyeje qytetari shqiptari, të kapet “peng” nga fakti i kritikave dhe i rezervave që institucionet europiane formulojnë me të drejtë ndaj politikës shqiptare?
Postuar më 16/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0