Integrimi europian dhe deja vu-ja e elitës shqiptare

Nga Adri Nurellari

Refuzimi për të disatën herë radhazi i statusit kandidat për faj të klimës konfliktuale në lojën politike shqiptare ka ngritur dyshime të mirëfillta lidhur me rolin e elitës sonë politike në kuadër të procesit të integrimit europian. Duke qenë se ky proces është një ndër prioritetet kryesore të vendit tonë të krijohet bindja se elita aktuale në vend që të shërbejë si aset, si lokomotivë që ta shtyjë procesin përpara, sillet më shumë si barrë, si një pengesë që shkakton stanjacion, madje deri diku edhe regres.

Kjo situatë aktuale të krijon një shije të hidhur deja-vu-je sepse situata të tilla ku elita e vendit nuk ka ditur që të kapë momentet historike duket se janë bërë traditë. Madje mund të thuhet se një ndër karakteristikat më të qëndrueshme të historisë moderne të kombit tonë ka qenë pikërisht paaftësia e elitave tona për të kapur momentin e volitshëm historik dhe për të shfrytëzuar konjukturat e favorshme për të kryer veprimin e duhur dhe për ta shtyrë përpara vendin dhe çështjen kombëtare. Me elitë nënkuptohet (sinonime të përshtatshme mund të ishin kasta, klika apo paria) ai segment i shoqërisë që ka në dorë politikën, sigurinë dhe ekonominë në një moment të caktuar e jo për ndonjë ajkë të shoqërisë sikurse shpesh nënkuptohet kjo fjalë në të folurën e përditshme.

Kjo mesele nis që me fundin e Perandorisë Osmane ku shqiptarët që kishin shumë në dorë brenda shtetit nuk u treguan mjaftueshëm vizionarë për të kuptuar kahjen e historisë dhe u morën konkretisht me pavarësinë vetëm atëherë kur osmanët ishin në rënie të lirë dhe duke krijuar për pasojë një shtet të gjymtuar që përfshinte në territorin e vet vetëm një të tretën e hapësirës ku flitej shqip. Përplasjet e egove meskine të shumë politikanëve shqiptarë e mbajtën shtetin shqiptar të dobët për dekada me radhë deri me ardhjen e Zogut në pushtet. Fatkeqësisht, pavarësisht meritave të shumta në procesin e shtet-formimit edhe Zogu nuk e nuhati siç duhet lojën politike duke i hapur gradualisht rrugën kolonizimit të Shqipërisë prej italianëve, të cilët ai vetë ishte përpjekur t’i hidhte në det prej Vlorës pas kongresit të Lushnjes në vitin 1920. Për epokën komuniste s’ka fjalë që ta përshkruajnë si duhet katrahurën që na ka shkaktuar, megjithatë vlen për t’u përmendur dritëshkurtësia e elitës komuniste në fund të viteve ‘80-të. Asokohe Shqipëria ishte në krizë kapilare ekonomike që e kishte delegjitimuar sistemin dhe e bënte më të nevojshme braktisjen e monizmit. Ne madje jo vetëm kishim nevojën por edhe luksin për t’u hapur lirshëm me perëndimin sepse nuk ishim pjesë e Traktatit të Varshavës dhe për rrjedhojë të prekshëm nga doktrina e Brezhnjevit, e cila një cënim të regjimit komunist në një shtet e konsideronte sulm ndaj gjithë bllokut e për rrjedhojë pengonte shkëputjen e çdo shteti nga blloku. Nëse ne do të kishim asokohe një pari largpamëse e patriotike që do ta kishte pikasur siç duhet momentin dhe do të ishte reformuar kuptohet që ndihma ndaj Shqipërisë do të vërshonte e pakursyer për të inkurajuar shtetet  e tjera komuniste që të ndiqnin të njëjtin shembull. Fatkeqësisht ngjau një rikthim i rrotës së historisë. Ramiz Alia priti me shpresë për të ruajtur status quo-në deri në moment të fundit dhe vetëm kur e pa se mund të pësonte fatin e Çausheskut nëse e mbante më gjatë regjimin në këmbë filloi të lëshojë pe paralelisht duke u përpjekur që të ndërmerrte hapa që të kontrollonte procesin e tranzicionit me metastazat e komunizmit të infiltruara në opozitën e parë anti-komuniste.

Ne kushtet kur Perëndimi kishte një gatishmëri të posaçme  për t’i dhënë një dorë Shqipërisë që të zhvillohej shpejt gjatë viteve ‘90-të për të shërbyer si model ndryshe në një Ballkan të përfshirë nga flakët e konfliktit etnik, elita shqiptare e kohës jo vetëm që nuk e kapitalizoi këtë klimë të favorshme, por u katandis në humnerën absurde të paprecedent të vitit 1997. Edhe era e mirë ndërkombëtare që fryu në Shqipëri, në vitin 2008, me pavarësimin e Kosovës dhe futjen e Shqipërisë në NATO u fashit shpejt prej konflikteve të brendshme dhe futjen e një cikli refuzimesh të njëpasnjëshme për të marrë statusin e kandidatit për t’u futur në BE.

Një ndër problemet e Shqipërisë është se vendet anëtare me peshë në rajon kanë dhënë modele relativisht të shtrembëta. Rajone të tjera të Europës post-komuniste kanë pasur fatin që të kenë pranë vende anëtare që kanë shërbyer si lokomotiva të integrimit. Kështu republikat balltike kanë përfituar shumë nga roli aktiv konstruktiv i Suedisë dhe Finlandës, kurse shtetet e Vishegradit si Hungaria, Çekia, Polonia dhe Sllovakia kanë përfituar nga shtysa e fortë e Gjermanisë. Ne kemi pasur aktive Italinë, e cila gjatë gjithë viteve ‘90-të ka qenë lëmsh me problemet e brendshme politike dhe në përgjithësi ka një politikë të jashtme shumë më pasive krahasuar me potencialin apo peshën ekonomike. Greqia mandej është parë si palë e konflikteve të brendshme ballkanike që vetëm i ka hedhur benzinë zjarrit. Pra një ndër fatkeqësitë e shqiptarëve është se e njohin Bashkimin Europian prej derës së pasme. Italia me skandalet e panumërta të Berluskonit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, me faktin që ka 19 deputetë që kanë marrë dënim të formës së prerë nga gjykata, apo mbi 110 të tjerë që kanë çështje gjyqësore të hapura bën në njëfarë mënyre që dallaveret e politikanëve shqiptarë të duken normalitet i kapërdishëm. Po ashtu Greqia e qeverisur nga i njëjti grusht familjesh oligarkike prej dekadash dhe e zhytur në krizën aktuale katastrofike që po shoqërohet me zbardhjen e abuzimeve të panumërta lë të mendohet se anëtarësimi nuk është ndonjë garanci kushedi se çfarë për të ardhmen dhe se elitat janë oligarkike edhe brenda BE-së.

Një tjetër rrethanë rënduese për imazhin e Bashkimit Europian në sytë e shqiptarëve është padyshim marrëdhënia me standarde të dyfishta me Kosovën nëpërmjet misionit EULEX. Tolerimi që i bëhet strukturave paralele e militare të Beogradit në veri të Ibrit si dhe karotat e njëpasnjëshme që kanë marrë serbët prej Brukselit në kushtet kur nuk kanë dëshmuar ndonjë kthesë domethënëse prej oreksit shovinist të mëparshëm lë të mendohet se Brukseli zbaton politika me hatër e jo me parime të barabarta për të gjithë. Megjithatë ngelen aq të shumta kushtet e papërmbushura nga Shqipëria sa është e vështirë të thuhet me plot gojën se stadi ynë në procesin e integrimit evropian vjen prej BE-së dhe jo prej përgjegjësive tona.

Por në vendet fqinje që kanë ecur përpara elita ka dëshmuar më shumë kurajë dhe përgjegjësi lidhur me fatin e vendit. Rasti më i skajshëm i sakrificës është padyshim ai i kryeministrit Zoran Gjinçiç, i cili u vra pikërisht sepse ndryshoi kursin e vendit duke e çuar drejt perëndimit, dhe u përpoq që të instalojë demokracinë dhe shtetin ligjor në Serbi. Milo Gjukanoviçi vendosi të largohej nga posti i kryeministrit të Malit të Zi për të zhbllokuar procesin e integrimit të vendit, duke e bërë këtë sakrificë për të siguruar statusin e vendit kandidat. Ivo Sanaderi në Kroaci në fakt u bë, në një farë mënyre, viktimë e reformës që ai vetë ndërmori sepse ai ishte njeriu që shtyu përpara reforma radikale në sistemin e drejtësisë për të përmbushur një ndër kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim duke e pajisur Kroacinë me një sistem aq të pavarur dhe efikas sa nuk e pati për gjë që të ndërmarrë hetime edhe ndaj vetë kryeministrit. Fatkeqësisht politikanët tanë në vend që të jenë të gatshëm të sakrifikojnë karrierën e tyre për Shqipërinë, dëshmojnë se nuk e kanë për gjë të sakrifikojnë Shqipërinë për hir të karrierës së tyre.

Udhëheqës apo përfaqësues të elitës që të jenë të gatshëm të bëjnë sakrifica të mëdha janë të rrallë në përgjithësi dhe nuk mund të varen të gjitha shpresat tek fati se mos kismet vjen ndonjë lider i ndriçuar dhe bën kthesën. Zakonisht garancia që elitat luajnë rol konstruktiv dhe përparimtar në shoqëri vjen nga nevoja që kanë ato për të patur legjitimitet për të ushtruar pushtetin si dhe nga kërcënimi që vjen prej konkurrencës së pranishme që mund t’i zëvendësojë. Janë këto dy presione stimuli kryesor që i shtyn përfaqësuesit e elitës të jenë më të kujdesshëm për  mënyrën se si sillen në momentet historike sepse shumë lehtë mund të qarkullohen dhe të bëhen pjesë e së kaluarës. Fatkeqësisht sistemi ynë zgjedhor, i shoqëruar me manipulimin e institucionalizuar të votave, e ka bërë presionin e votuesve, pra nevojën për legjitimitet, pothuaj të papërfillshëm. Po ashtu kontrolli i plotë i shumë sektorëve nga i njëjti grusht njerëzish kombinuar me rrjedhjen e trurit që ka sjellë emigracioni masiv shqiptar bën që konkurrenca për përfaqësuesit aktualë të elitës shqiptare të jetë pothuaj inekzistente. Me pak fjalë  mungesa e  presionit nga poshtë dhe e konkurrencës së aktorëve alternativë ka mundësuar riqarkullimin e të njëjtave elita në çdo sektor: politikë, ekonomi, media, shoqëri civile e institucione fetare. Kjo gjë  dëshmon për kalcifikimin e mirëfilltë të një lloj oligarkie moderne, e cila i ka interesat të lidhura ngushtë me status quo-në dhe nuk ka interes të mirëfilltë për integrimin europian. Për rrjedhojë zgjidhja e këtij ngërçi dhe rimarrja e procesit të integrimit vjen vetëm nëpërmjet zhbllokimit të situatës së procesit zgjedhor si dhe shtimit të hapësirës për konkurrencë të aktorëve të rinj në jetën publike e profesionale shqiptare.

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 18/03/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. 1 Koment.

  1. Adri, megjithese shume e mire ne vetvete, kjo eshte vetem nje hyrje e pergjithshme. Une do te kisha deshire qe te krijohej nje debat me i gjere me persona te tjere ne menyre qe te nxirren pergjegjesite dhe rruget e mundshme per zgjidhjen e rrugetimit te gjate te Shqiperise drejt BE-se. Odiseut i kushtoi me pak kohe per te arritur ne Itake, megjithese pati kunder disa prej perendive te Olimpit. Cfare e pengon rrugetimin e Shqiperise? Besoj se pas 100 viteve te shpalljes se pavaresise ka nevoje per nje stock-taking exercise!
    Ka shume kohe qe BE ka percaktuar 12 kushtet qe duhen plotesuar. A ka bere ndonje parti politike nje program te mirefillte per adresimin/plotesimin e ketyre kushteve? Une nuk kam degjuar qe te kete dicka te tille. Kjo tregon se gjendja e tanishme i shkon per shtat kesaj pseudo-elite te instaluar dhe tregon mungesen e kapacitetit te saj per te shkuar pertej lojes ma le-ta lashe. E ke fajin ti – jo e ke fajin ti, nje ushtrim qe kerkon nje sforco kaq te madhe intelektuale sa ka mundesi t’i pelcase damari ndonjerit apo ndonjeres?! Me sa duket elita jone nuk ka as busull dhe as sens orientimi, por vetem arrogancen qe te vertitet pa drejtim sepse pasagjeret nuk bejne ze.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: