Pse nuk ka vend për euro-optimizëm?
Nga Fatos Tarifa
Në mes të viteve 2000, kur Jeremy Rifkin botoi librin e tij The European Dream, ishin të shumtë ata që, edhe këtë herë, e besuan fabulën mbi fundin e “ëndrrës amerikane” dhe triumfin përfundimtar të Projektit Europian. Autori i këtyre radhëve nuk bën pjesë ndër ta. Në këtë ese unë përpiqem të argumentoj tezën se “Ëndrra europiane” nuk është bërë dhe s’mund të bëhet realitet.
Në vitin 1870, Viktor Hygo ishte ndër të parët intelektualë europianë që kishte vizionin e një Europe të bashkuar. Atë vit, duke mbjellë në kopshtin e tij fidanin e një peme, Hygoi parashikoi se, kur ai fidan të rritej, bashkë me të do të ishin krijuar edhe “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kanë kaluar më shumë se 140 vjet dhe ëndrra e Hygoit, ashtu si edhe pema që mbolli ai, është akoma gjallë, veçse jo e tillë që të justifikojë optimizmin tonë. Sukseset e mëdha të Europës pas Luftës së Dytë Botërore nuk mund të mohohen. Ajo mundi t’u japë fund armiqësive dhe luftrave që e kishin karakterizuar historikisht kontinentin tonë; krijoi një balancë të re midis të drejtave pronësore të individit dhe të mirës publike, midis politikës rregullatore në ekonomi dhe tregut të lirë, midis lirisë dhe barazisë. Këto suksese e kishin bazën në eksperiencën e hidhur historike dhe në mësimet e nxjerra nga tmerret e dy luftrave botërore, si edhe nga mësimet e nxjerra nga diktaturat fashiste dhe komuniste.
Brezi i elitave europiane të pasluftës projektoi krijimin e shoqërive më demokratike në Europë. Ata kërkuan të reduktonin varfërinë ekstreme dhe t’u ofronin qytetarëve të tyre shërbimet sociale të domosdoshme, në një mënyrë që qeveritë e periudhës midis dy luftrave nuk e kishin bërë. Për dekada me radhë, shumë shoqëri europiane i arritën pak a shumë këto qëllime dhe, në fakt ato kanë plotësisht të drejtë të krenohen me to. Qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Europa Perëndimore ka qenë e qetë dhe ekonomikisht shumë e zhvilluar; ajo s’ka njohur asnjë luftë. Sistemi i shtetit të mirëqenies ka qenë i admirueshëm, deri sa ai u bë shumë i kushtueshëm dhe thuajse i papërballueshëm, në atë masë sa ritmet e rritjes ekonomike në Europë ranë shumë duke e bërë të vështirë për të që të konkurojë në tregjet globale.
Suksesi i Projektit Europian mendohet se ka patur për bazë edhe ndjenjën e një identiteti të përbashkët europian dhe të vlerave të përbashkëta europiane si, respekti për dinjitetin njerëzor, shteti i së drejtës, paqja, kujdesi për mjedisin, toleranca ndaj diversitetit të kulturave etj., edhe pse vlera të tilla nuk janë specifikisht europiane. Por, a ishin vallë vlerat e përbashkëta, apo ishin interesat materiale të përbashkëta ato që i ofruan vendet e Europës Perëndimore për të formuar komunitetin ekonomik europian më 1957? Është e vërtetë që Zhan Mone, ideatori i Bashkimit Europian, është shprehur më vonë se, nëse do t’i duhet ta niste Projektin e tij nga e para, ai do t’i kish dhënë më shumë rëndësi kulturës sesa ekonomisë. Sidoqoftë, Europa që ai projektoi nisi me ekonominë, dhe jo pa arsye. Me gjithë përpjekjet që janë bërë për të krijuar dhe forcuar ndjenjën e një tradite kulturore të përbashkët dhe të vlerave të përbashkëta (krijimi i himnit dhe i flamurit europian, caktimi çdo vit i një kryeqyteti europian të kulturës, festivali i këngës në Eurovizion etj.), sentimentet e një solidariteti europian dhe të vlerave të përbashkëta europiane nuk kanë ardhur duke u forcuar në ndonjë mënyrë të ndjeshme. Madje, europianët akoma nuk bien dakord se deri ku shtrihet kontinenti i tyre dhe nëse Britania e Madhe është më pranë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, apo është më pranë Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë. Sepse, në fakt, ndjenjat e solidaritetit midis kombeve kaq të ndryshëm, si ata që përbëjnë BE-në, të krijuara në këta dhjetëvjeçarët e fundit, nuk mund të krahasohen dhe të konkurrojnë lehtë ndjenjat kombëtare të rrënjosura në shekuj. 90 përqind e europianëve të sotëm ndjehen të lidhur më fort me vendin dhe kulturën në të cilën janë lindur, sesa me një institucion supranacional, siç është Bashkimi Europian.
Mëse një herë në historinë e këtyre 40-50 vjetëve të fundit, është besuar se modeli europian kishte krijuar një epërsi të ndjeshme ndaj çdo modeli tjetër dhe se atij i takonte e ardhmja. Në vitet 1980, ishte shumë i përhapur besimi se Europa (madje edhe vetëm Gjermania, ashtu si edhe Japonia), shumë shpejt do e linin pas Amerikën nga pikëpamja e zhvillimit teknologjik dhe e fuqisë ekonomike. Në mes të viteve 1990, ishin të shumtë ata që mendonin se Europa e bashkuar ofronte një “model për mënyrën sesi do të organizohej bota në shekullin e 21-të”. Disa mendonin se Europa po e udhëhiqte botën drejt një “epoke postmoderne”, në të cilën interesat kombëtare të shteteve dhe politika e fuqisë do t’ua linin vendin të drejtës ndërkombëtare, institucioneve supranacionale dhe “sovranitetit në ortakësi”. Të tjerë shpreheshin se Europa është bërë “fuqia kryesore civile e botës”, e cila projekton një influencë dominuese në një “sistem global gjithnjë e më paqësor dhe bashkëpunues”. Fatkeqësisht, edhe sot ka njerëz naivë, të cilët besojnë sinqerisht se bota po ndjek të njëjtën rrugë që ka ndjekur Bashkimi Europian.
Por, nëse gjërat shihen me realizëm, Europa nuk është zhvilluar si një shtet “postmodern”, “post-westfalian”, apo si një “post-nation-state”, jashtë strukturave të sistemit shtetëror, për t’u bërë eventualisht avangarda e rendit të ardhshëm botëror, në të cilin marrëveshjet dhe institucionet juridike ndërkombëtare që synojnë zbatimin e normave humanitare do të mund të parandalonin çdo konflikt midis shteteve dhe çdo burim luftrash. Madje, 55 vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, i cili shënoi fillimin e “Projektit Europian”, vetë europianët vazhdojnë të jenë të pasigurtë se cila është Europa që ata po krijojnë, ose që duan të krijojnë.Askush nuk e vë në dyshim faktin që unifikimi europian ka bërë progres shumë të madh qysh nga fillimet e pasigurta të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, në vend që të ushqejmë iluzione mbi një Europë të bashkuar si një projekt postmodern dhe si liderja e ardhshme e globit, ne duhet të pranojnë realitetin e një Europe të përbërë nga shtete të pavarura kombëtare, ku BE-ja vazhon të luajë një rol, por ama një rol dytësor në përcaktimin e fatit politik të kontinentit. Institucionet qendrore të Bashkimit Europian vazhdojnë të kritikohen gjerësisht për mungesë efektiviteti dhe, akoma më shumë, për deficitin e legjitimitetit të tyre demokratik. Pierre Manent, në librin e tij Një botë përtej politikës, shkruan se “europianët janë përfshirë në një aventurë të pasigurt për të ndërtuar një demokraci pa një popull”. Sipas tij, ndërsa “amerikanët duket se gjithnjë e më shumë e identifikojnë çdo gjë që ata bëjnë (dhe çdo gjë që ata janë) me demokracinë, europianët përpiqen t’i ndajnë virtytet e tyre demokratike nga të gjitha karakteristikat e tjera të tyre dhe, në këtë mënyrë, të shkëputen nga mëkatet e tyre të së kaluarës”.
Edhe pse Bashkimi Europian mund të mendohet se është bërë sot “blloku më i madh ekonomik dhe unioni më i madh demokratik, i përbërë nga gjysmë milliard njerëz”, BE-ja ndoshta nuk do të jetë asnjëherë në gjendje të sigurojë atë unitet në marrjen e vendimeve që e gjejmë në Shtetet e Bashkuara, ose në të gjitha fuqitë e mëdha tradicionale, sidomos kur është fjala për krijimin dhe zbatimin e një politike të përbashkët europiane të jashtme dhe të sigurisë, e cila t’i shërbente një interesi të përbashkët europian. Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka një “interes kombëtar europian”. Në fushën e politikës së jashtme, BE-së i mungon ajo çfarë Robert Schuman e quante “solidaritet de facto”. Në Bashkimin Europian nuk gjen as kohezion të brendshëm apo solidaritet, dhe as vullnet politik për të patur një politikë të përbashkët europiane të jashtme apo të sigurisë. Kjo e bën Bashkimin Europian esencialisht inefektiv dhe legjitimon shqetësimin real që ndërsa Ballkani po europianizohet gjithnjë e më shumë, vetë Europa mund të ballkanizohet.
Me gjithë arritjet e mëdha në drejtim të një integrimi gjithnjë e më të thellë ekonomik, politik, juridik dhe social, Bashkimi Europian vazhdon të mbetet një grupim vendesh tepër heterogjene, pa objektiva afatmesme dhe afatgjata, të cilat të përputheshin në çdo rast me interesat dhe objektivat e veçanta të shteteve anëtare. Paradoksi i një Europe të tillë është, siç vë në dukje Brzezinski, se “Komuniteti Europian, me zgjerimin e tij, u vetequajt Bashkimi Europian. Por, ajo që ka ndodhur në të vërtetë është se, si rrjedhojë e zgjerimit, Bashkimi Europian është bërë Komuniteti Europian”. Për arsyet e mësipërme, BE-ja ka sot një aftësi të kufizuar për të vepruar si një organizëm i vetëm politik. Ndërsa në nivelin e shteteve të veçanta Europa vazhdon të jetë vitale, kolektivisht ajo është shumë më pak se shuma e pjesëve të saj.
Aktualisht, Bashkimi Europian ndodhet në një udhëkryq të tillë, në të cilin ai ende nuk di se ç’drejtim duhet të marrë për të vazhduar më tej. Arsyet për të qenë pesimistë për të ardhmen e tij janë po aq të shumta dhe të rëndësishme sa edhe ato që motivojnë optimizmin e disave. Kriza aktuale e Eurozonës dhe ndikimi i saj në ekonominë europiane dhe atë globale na bën të mendojmë se Projekti Europian edhe mund të dështojë. Qysh në kohën kur në Bon, në Paris dhe në Bruksel filluan të mendojnë seriozisht dhe të planifikojnë krijimin e euros, si monedhë e përbashkët e vendeve të BE-së, Gjermania, e cila përfaqëson ekonominë më të fuqishme në Europë dhe kondiserohet si “shkëmbi” i Unionit Monetar Europian, nuk e fshihte shqetësimin e vet se, me euron, një krizë financiare në Europë do ta “ngrinte” ekonominë e saj. Kancelari gjerman në atë kohë, Helmut Kohl, paralajmëronte se, nëqoftëse për anëtarësimin në Eurozonë nuk viheshin kushte dhe nuk zbatoheshin rregulla strikte, unioni i ri monetar do të ishte i paqëndrueshëm. Me krijimin e aurozonës, në vitin 1999, Milton Friedman, fituesi i Çmimit Nobel në ekonomi (më 1976), paralajmëroi se euro nuk do të mund t’i rezistonte krizës së parë ekonomike në Europë. Kriza e sotme financiare dëshmon se Kohl dhe Friedman kishin plotësisht të drejtë. Londra, gjithashtu, e shqetësuar për fatin e ekonomisë britanike, nëse ajo do të hiqte dorë nga monedha e saj e fortë, vazhdon të refuzojë hyrjen në Eurozonë. Kohët e fundit, madje, në Britaninë e Madhe, janë intensifikuar zërat e atyre që kërkojnë daljen e vendit të tyre edhe nga vetë Bashkimi Europian.
Unë mendoj se vizioni i Hygosë për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, sado i iluminuar që është, nuk ka gjasa të materializohet në një kontinent, i cili, pavarësisht paqes së gjatë dhe prosperitetit të arritur qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vuan një krizë strukturore, një krizë legjitimiteti dhe, ipso facto, dëshmon deficitin demokratik të Bashkimit Europian. Nëse integrimi europian nuk thellohet në drejtim të federalizimit të Europës, mund të ndodhë që pesha dhe roli i kontinentit tonë në ekonominë dhe në politikën globale të bien përballë Amerikës, Kinës dhe fuqive të tjera që po ngrihen.
Postuar më 18/03/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0