Dimensioni i munguar i integrimit
Nga Helios Reveli*
Është mëse e pranuar tani se integrimi në Bashkimin Europian është konsideruar apo ‘shitur’, nën ‘vizionin’ e një ‘Toke të Premtuar’ dhe si e tillë, ajo, ‘qenia supreme’ megjithëse jo dhe aq metafizike në rastin tonë, do përcaktojë se deri kur do vazhdojë ky rrugëtim ‘nëpër shkretëtirë’, ndërsa ndëshkohemi që s’jemi sjellë ende denjësisht. Nëse do t’i mbahemi analogjisë, atëherë le të jemi optimistë se kemi kaluar gjysmën e rrugëtimit, por 40 vitet duan ende kohë. Por kohë për çfarë?
Mjafton vetëm të konstatohen rezultatet e sondazheve, intervistave mediatike apo edhe të studimeve, projekteve apo proto-projekteve të fokusuara mbi çështjen e integrimit dhe problematikave në lidhje me BE-në për të kuptuar mënyrën se si konsiderohet në masë të madhe ky integrim. Megjithatë nuk duhet të mohohet se ndërgjegjësimi lidhur me kuptimin dhe thelbin e këtij integrimi, është përherë në rritje. Pas 22 vjetësh ‘proces ndërgjegjësimi’ dhe Toka e Premtuar mbetet gjithmonë e më shumë ‘tokë e premtuar’, por pa arritur të shohim qartësisht se çfarë çalon realisht në këtë rrugëtim. Qasja që ne duhet të kemi karshi BE-së nuk duhet të shihet vetëm në aspektin teknik të kopsitjes së letrave, por i duhet kushtuar rëndësi boshtit institucional, mbi të cilën do të funksionojë dhe do të arrijë rezultatet. Ajo ka të bëjë me pranimin dhe përvetësimin e logjikës mbi të cilën funksionojnë këto institucione, pra përkrahja e një tërësie vlerash dhe parimesh që përbën thelbin e asaj që quhet ‘Procesi i Europianizimit’, por duke patur gjithmonë parasysh kontekstin shqiptar.
Tërësia e kërkesave insitucionale si respektimi i pronës, zgjedhje të lira, luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, përmirësimi i infrastrukturës nuk mjaftojnë për të veshur petkun e qytetarit europian apo atyre vlerave të cilat deklarohen si shtyllat e vërteta të strukturës europiane. E them këtë sepse e kemi konceptuar Europën në mënyrën më “vulgare” e ndikuar si fillim nga një kulturë minimale rreth konceptit të saj pas viteve të gjata nën sistemin komunist. Këto vite jo vetëm penguan njohjen, por siç dihet, legjitimuan vlera krejt të kundërta me ato ku bazohet BE: individualiteti në pluralitet përkundrejt atomizimit në masë. Pasojat e këtij formësimi në aspekte të demokracisë shqiptare meritojnë studim të mëvetësishëm, por do të përmendja vetëm mungesën ende të theksuar të një kulture qytetare pjesëmarrëse, dmth të kemi mundësinë e ndikimit dhe të formësimit të politikave. Në krahasim me Europën ne nuk kemi të skalitur sensin komunitar midis njëri-tjetrit, kulturën angazhuese në komunitete dhe një ndërgjegjësim të thellë për mjedisin ku jetojmë. Nëse flasim për liberalizmin si tërësi parimesh, ku bazohet një strukturë adekuate pushteti, ne për fat të keq, nuk gjejmë ilustrime entuziaste në kujtesën tonë historike, përfshi këtu edhe 22 vitet post- komuniste.
Sigurisht, Europës i kemi marrë modelin e kazinosë, modelin e makinave luksoze, veshjen, telenovelat, por ende nuk i kemi marrë modelin e librarive, bibliotekave, përgjegjësisë publike etj. Kjo është sfida e ardhshme, nëse duam që minimumi i standardeve që na është kërkuar të realizohet dhe jo vetëm kaq, por të ketë edhe qëndrueshmëri e përmirësim në kohë. Mendoj se problemi nuk qëndron tek makinat luksoze, por qëndron gjetiu. Ne zbatojmë pa kriter komandën “copy paste”, dhe këtë nuk e bëjmë vetëm për çka u përmend më sipër, por edhe për shumë aspekte të tjera. Duke filluar nga i ashtuquajturi përafrim i legjislacionit të BE-së me Shqipërinë. Ligjet, praktikat, që na rekomandon BE-ja funksionojnë apo e kanë kaluar testin në ato vende me zhvillim kulturor, ekonomik, social të ndryshëm nga ai yni. Çdo përafrim i legjislacionit që bën BE-ja me Shqipërinë, duhet ndërtuar në kontekstin shqiptar, sigurisht me ekspertizën dhe eksperiencën e të huajve. Bërja e një ligji nuk është qëllim në vetvete, por duhet të përfaqësojë kërkesat e komunitetit, të përfaqësojë shpirtin e një populli.
Pikërisht, praktika “copy paste” nuk e shëron problemin, por e përkeqëson më tej atë. Mjafton të përmendim ligjin antiduhan, në kushtet e një ndërgjegjsimi të ulët mbi çështjen, si dhe një efiçence të dobët të atyre strukturave që duhet të jenë garant të respektimit të këtij ligji. Këto lloj ligjesh si ai antiduhan janë ligje me natyrë postmateriale dhe shoqëria jonë ende nuk është në atë stad. Dmth shoqëria ka një ritëm tjetër nga ligji në fjalë, shkurt janë në shpejtësi të ndryshme me njëri-tjetrin. Qëllimi nuk është të analizoj të tilla raste konkrete, por të theksoj vetëm praktikën e “copy paste” duke na kthyer në imitues të shëmtuar pa kaluar në skanera që marrin parasysh variablat kulturorë konteksualë, dhe për më tepër të pasuar nga një mungesë e plotë e planeve post-implementim që sigurojnë mbarëvajtjen e këtyre politikave. Ne vazhdojmë të sillemi më logjikën se gjithçka që vjen nga jashtë, madje edhe sikur të mos e kuptojmë, është e shkëlqyer dhe mund të funksionojë tek ne. Vazhdojmë me idenë që gjithçka e huaj ia vlen dhe në këtë mënyrë pa dashje ndrydhim aftësitë dhe mundësitë tona për të krijuar diçka që ndoshta mund të jetë më e mirë se oferta që na vjen nga jashtë.
Për ta ilustruar më qartë këtë lloj sjellje imituese që vret origjinalitetin dhe aftësinë për të krijuar, gjë që vërehet gjerësisht në shoqërinë shqiptare, do të doja të sillja një fragment nga një ese e Faik Konicës e titulluar “Levantinët” që më duket shumë aktuale ende sot, ndonëse e shkruar shumë vite më parë. Levantinët janë një klasë më vete mes shqiptarëve, të cilët shquhen nga mënyra e veshjes, e sjelljes si dhe në mendime e gjuhë. Levantinët janë parasëgjithash imitues, domethënë janë njerëz që kanë përpara syve të mendjes një shembull qytetarie a stërvitjeje, të cilën dëshirojnë ta imitojnë. Por problemi qëndron së çfarë shembulli imitojnë. Levantinët imitojnë si majmunë çdo lloj qytetërimi, (në rastin tonë, gjithçka që është oksidentale) dhe urrejnë çdo gjë shqiptare, që nga gjuha deri te veshja kombëtare. Këta levantinë ai i sheh si armiqtë më të rrezikshëm të përparimit kombëtar. Ndërkohë që Europa nuk duhet parë si një pikë ideale, apo si një pikturë e përkryer që duhet kopjuar medoemos, përkundrazi duhen marrë në konsideratë elementët e saj më të mirë.
Vetë integrimi nuk shihet nga strukturat europiane si asimilim europian, por si ruajtje e tërësisë identitare duke synuar integrimin e parimeve dhe vlerave kryesore mbi të cilat mbahet kjo strukturë. Në fund të fundit ne, dhe gjithë Ballkani së bashku me Turqinë, konsiderohemi nga BE si tjetri që mikpritet në shtëpinë e saj. Do t’i referohesha konceptimit që Derrida ka mbi këtë raport duke filluar me konceptin e tolerancës ku BE-ja e sheh Lindjen në përgjithësi si një koncept që presupozon ekzistencën e një superiori që i vë një prag një inferiori dhe e toleron deri në atë prag. Në të njëjtën kohë dhe një koncept që përfshin edhe elementin biologjik të asimilimit brenda, pra që nënkupton asimilimin e kulturave të ndryshme nga kultura europiane, duke përmendur këtu që ai i kushton vëmendje çështjes së emigrantëve. Pra, sipas tij, Europa mikpret tjetrin, por tregon se është rrugës për t’u kthyer në “i njëjtë”. Ndërkohë Derrida propozon që Europa ka si sfidë të fundit “mikpritjen e pakushtëzuar” që nënkupton pranimin e tjetrit, ndonëse të ndryshëm nga kultura jote pa trajtuar domosdoshmërisht çeshtje teknike. Por kjo lloj politike e mikpritjes së pakushtëzuar, e zbatuar si e tillë mirëfilli, do të bëjë që vetë shtëpia europiane si e tillë nuk do të ekzistojë dhe vetë koncepti i mikpritjes do të humbasë kuptimin e tij. Unë besoj se BE është duke u përballur më këtë sfidë duke patur parasysh integrimet e fundit të vendeve ballkanike si dhe dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, së fundmi. Por megjithatë ky pakushtëzim nuk është tërësisht i pakushtëzuar. Është e qartë që në të tilla vendime kanë rëndësi edhe shumë variabla të tjera përveç përmbushjes së disa kushteve teknike. Por le të rikthehemi tek Shqipëria.
Retorika nervoze e politikanëve në vendin tonë me formulim të tipit: “Kemi qënë gjithnjë pjesë e Europës, dhe s’ka pse mos të jemi sërish atje”, më së shumti tradhton atë pasiguri dhe mungesë bindjeje që ekziston mes nesh lidhur me përkatësinë tonë europiane. Ndjeshmëritë emocionale dhe shpirtërore kanë pak vlerë në ndërtimin e gjykimeve politike reale e objektive. Duhet pranuar pa inferioritet se, kemi fare pak argumenta historikë për të menduar se kemi qënë historikisht pjesë e Europës, ndryshe nuk e kemi kuptuar aspak se çfarë përfaqëson Europa e sotme. Dhe pa e kuptuar Europën e sotme gënjejmë veten duke thënë se një ditë do të jemi pjesë e saj. Pra le të arrijmë të kuptojmë që ne do të quhemi si tjetri i Europës dhe se ajo po tregohet mikpritëse, por siç u shpreha më sipër, nuk besoj se ajo po na kushtëzon duke u bërë nga ‘tjetri’ në ‘tjetri i njëjtë’, por po kushtëzon faktin se duhet më së paku të tregojmë se ne jemi të aftë të respektojmë frymën e ‘kësaj familjeje’ dhe ‘rregullat e saj të lojës’ çka është normale kur dikush të mikpret.
Synimi ynë i vetëm, pra, nuk duhet të jetë nënshkrimi, apo zbatimi i procedurave formale, por europianizimi në kushtet e shqiptarizimit. Këtu qëndron problemi se jemi tjetri dhe jo i njëjti, por le të jemi ne të gatshëm të marrim përsipër integrimin në këtë familje dhe jo ‘të njëjtë si kopje të shëmtuara’. Kjo është sfida më e madhe e jona, të cilën po e arritëm mund të themi pa frikë se jemi pjesë e saj. Kuptimi i plotë i përmasave që përmban sfida për “europianizim”, do t’i jepte mundësi Bashkimit Europian që të formulonte një vizion e strategji të qartë mbi integrimin e Shqipërisë. Por, po aq mundësi do t’iu jepte edhe elitave politike të vendit tonë për t’u angazhuar realisht në detyrën shumëdimensionale të “europianizimit”.
Si përfundim, procesi i integrrimit është kompleks dhe kërkon angazhim të dyanshëm, si nga ana e BE-së ashtu dhe e Shqipërisë. Duhet ta pranojmë pa komplekse se një pjesë të mirë të vlerave që mishëron Europa, ne i kemi mësuar shumë vonë, dhe ndoshta për shumë kohë do të jemi ‘tjetri’ i integruar edhe nëse do ishim formalisht në BE. Më së miri kjo po shihet në rastin e Greqisë mbi të cilën gjithmonë e më tepër po përdoret kjo terminologji që përcakton një popull me një frymë ndryshe: ‘përtac, abuzues etj’ dhe vështirësitë që ka BE për të riafirmuar solidaritetin europian duke u strukur më së shumti në argumente pragmatike si ‘ndihmojmë Greqinë sepse interesi ynë është i lidhur me fatin e bankave. Nëse Greqia dështon, ne rrezikojmë të kemi një sistem bankar europian që zhytet dhe më tej në kursimet e vendeve tona‘ Kështu që, duhet ta themi pa droje, se me Europën afrohemi, por s’jemi. Nëse nuk do ta kuptojmë këtë element të rëndësishëm, se nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë, integrimi do të kryhet kuturu dhe pa ndonjë vizion të qartë, dhe më e rëndësishmja nuk do të jetë një mjet në zhvillimin e vendit dhe mirëqenies së qytetarëve. Për këtë duhet më shumë debat, mundësi diskutimi. Këto debate nuk duhet të jenë luks i disa qarqeve të ngushta intelektuale apo seminareve të ndryshme. Vetëm duke e kthyer çështjen e integrimit në një debat jo të përvetësuar dhe monopol të figurave politike, por si domosdoshmëri për të njohur veten tonë në raport me procesin, atëherë do të mundemi që një ditë të ‘mikpritemi’ në këtë familje, por le të jemi të gatshëm për të mos u kthyer në miq të diskutueshëm, siç është Greqia sot.
*Autori është student në London School of Economics
Postuar më 25/03/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0