Përralla me Europë
Nga Ermal Hasimja
Kur lexoja librat e mi të parë të fëmijërisë çuditesha plot naivitet mbi “aftësinë” e autorit për të kapur dhe paraqitur mendimet e personazheve. Si ka mundësi që filan autor, jetues në ditët tona dhe ndoshta edhe fqinj te pallati tjetër, paska mësuar çfarë mendonte Skënderbeu teksa shihte hordhitë otomane, ose sesi arsyetonte Ali Pasha duke bërë strategjitë e sundimit?
Të njëjtën ndjesi mund ta përftojnë sot protagonistët dhe dëshmitarët e shkërmoqjes së komunizmit kur shohin sot politikanë apo njerëz të mediave të interpretojnë pasionin e pangishëm të shqiptarëve për Europën. Duhet të kishte aq shumë thonjëza në këtë tekst sa vendosa të mos përdor asnjë. Sepse pikërisht efektet e këtij pasioni për Europën janë interpretuar, shkruar e rishkruar sipas nevojave politike mbi bazën e disa paradigmave popullore e populiste. Në këtë shkrim do të merrem me disa më kryesoret prej tyre. Jo dhe aq për kënaqësinë e çmontimit të tyre, sesa për të shqyrtuar njëfarë paaftësie të elitave tona për të bërë politikë.
Së pari, kornizimi i pasionit europian presupozon njëfarë qëndrueshmërie të subjektit. Nënkuptohet me qëllim se shqiptarët e kanë dashur Europën njësoj, gjithmonë dhe për të njëjtat arsye. Pothuajse qëllimisht dhe për hir të korrektësisë politike ndaj europianëve është ndrydhur në nivel ligjërimi motivi kryesor i pasionit integrues: motivi ekonomik. Ata që arrijnë të kthehen në fillimvitet ’90 mund të kujtojnë se objekti i dëshirës europiane ishte i ndërmjetësuar nga Raiuno dhe imazhet e pasurisë dhe zhvillimit ekonomik. Slogani “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, i cili sot (por edhe atëherë) shfaq pothuajse vetëm aspektin simbolik (bashkimi me familjen europiane prej të cilës na ndanë pa të drejtë), merr tjetër kuptim në atmosferën e zymtë të një shoqërie që ushqehet me triska. Pikërisht sepse motivi simbolik ishte dytësor, me qindra mijëra shqiptarë nuk e patën problem të shkojnë edhe në vende që konsideroheshin si armiqësore e madje një pjesë e tyre nuk e patën as problem të fshijnë identitetin e tyre për të fituar një të ri: në mos për vete, të paktën për fëmijët. Kësisoj, nuk bëhej më fjalë për bashkim me familjen europiane në cilësinë e shqiptarit, por tentativë adoptimi nga një familje e pasur.
Sigurit motivi simbolik ekzistonte dhe nuk mund të mohohet, por ai rezulton dytësor. Përgjithësisht na ka ardhur turp (dhe mirë kemi bërë) të dalim hapur e të themi se Europën e duam kryesisht sepse besojmë se do të na bëjë të pasur. Nuk mendoj se është dhe aq e rastësishme që qëndrimet e para të kthjellëta ose jo euroskeptike janë gjallëruar sidomos kohët e fundit dhe intensifikuar edhe nga heqja e vizave. Është e pritshme që heqja e vizave dhe sidomos heqja e iluzionit se Europa do të na bëjë si Zvicra të nxisë edhe më tepër qëndrime të tilla. Edhe këtu, gjithsesi nuk duhet shkuar në përfundime absolute, sepse ka njerëz që janë euroskeptikë të trajtave të ndryshme për arsye krejt të tjera nga ato që përmenda më lart. Megjithatë këtu po flasim për prirje të përgjithshme.
Mund të thuhet me të drejtë, sikurse është vënë në dukje nga autorë të ndryshëm, se procesi i fokusimit te integrimi është pasojë e mungesës së besueshmërisë së votuesve ndaj partive dhe institucioneve në përgjithësi. Elitat vendase e kanë të nevojshme të certifikohen nga ndërkombëtarët në kushtet kur votuesit nuk u besojnë më. Gjithashtu është më e lehtë të interpretosh raportet e europianëve sesa të pranosh pasojat e performancës politike në vend. Prandaj presim deklaratat europiane për të parë nëse zgjedhjet janë vjedhur pak, shumë apo mjaftueshëm. Mirëpo ky fokusim drejt certifikimit europian mund të jetë i gabuar, sidomos pas davaritjes së iluzioneve mbi “dorën e ngrohtë të Europës” që na pret e shtrirë dhe bujare. Ekziston mundësia që votuesit ta kenë kuptuar se europianët as nuk e kanë përparësi absolute Shqipërinë dhe as nuk e kanë ndërmend t’i zgjidhin problemet tona duke i marrë vetë në dorë. Në njëfarë kuptimi edhe besueshmëria e tyre vuan inflacionin. Ajo nuk është e lartë në vetvete, por është e lartë në kushtet e mungesës së besueshmërisë ndaj politikës vendase.
Ligjërimi i integrimit gjithashtu presupozon vazhdimisht njtrajtshmërinë lineare të nevojave simbolike të votuesve. Në Shqipëri debati mund të rezultojë i panevojshëm. Një pjesë e mirë e shqiptarëve, siç u tha më lart, mund ta shohin Europën thjesht me syze ekonomike. Ironikisht, pjesa më e vëmendshme drejt aspektit simbolik mund të jetë ajo që është më euroskeptike. Aktualisht euroskepticizmi nxitet më zëshëm se kushdo nga autorë të majtë, madje të majtë radikalë. Ashtu si dhe ndonjë kategori fetare. Do të ishte e logjikshme që të shiheshin edhe prirje euroskeptike nga e djathta liberale (ose siç është në modë të shihet akuzueshëm: neoliberale), por kjo mbetet për t’u parë. Të tjerët që mund të jenë kundër përgjithësisht heshtin dhe me shumë gjasa janë pjesë e pakicave jodomethënëse. Hiq problemet identitare e fetare, dyshimet ndërtohet kryesisht mbi arsye ekonomike, gjë që vërteton tërthorazi edhe një herë se çështja e integrimit nuk është dhe aq simbolike, por ekonomike, pavarësisht, p.sh. se të majtët euroskeptikë përdorin ambalazh konceptesh drejtësie për të mbështjellë kërkesa të tilla si proteksionizmi.
Mund të thuhet pra se ka një hendek të madh mes ligjërimit për integrimin dhe pritshmërive ndaj tij. Ky hendek është gërmuar dhe mirëmbajtur në mënyrë të vetëdijshme për arsyet e paraqitura më lart prej vetë elitave politike dhe nuk është thjesht një problem kuptimi. Ai është në rradhë të parë, në shumë përmasa, një problem përfaqësimi politik. Një nga sprovat e para të këtij hendeku mund të jetë tundimi nacionalist, aq më tepër nëse do të ushqehej nga ndonjë qëndrim i mundshëm negativ i europianëve ndaj lëvizjeve me frymë të tillë. Nacionalistët shqiptarë janë ende në hyrjen e shpellës së Ali Babës që kanë zbuluar: thesaret e saj do t’u hapin oreksin dhe mund t’u japin guximin e nevojshëm për t’u përballur me armiqësinë europiane. Njësoj si në vende të tjera të rajonit. Fatkeqësisht në vend të përballjes së nevojshme mes interesave tanë dhe atyre europianë, mund të nxitet një përballjes mes nacionalizmit tonë dhe interesave europianë.
Njësoj ai shkrimtarët që mëtojnë të futen në mendjen e protagonistëve historikë, politikanët tanë, jo vetëm kanë formuluar mendimet dhe pritshmëritë tona europiane, por edhe na i kanë shërbyer të ripërtypura e pa shije, ca për hir të gjuhës politikisht korrekte ndaj Europës e ca për paaftësi përfytyrimi të perceptimit shqiptar ndaj saj. Ka shumë mundësi që çfarëdo suksesi i rëndësishëm në arenën politike shqiptare në të ardhmen, të ketë mes shkaqeve të tij edhe një rimendim të kësaj marrëdhënieje të shformuar.
Postuar më 05/03/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0