Çdemokratizimi si pengesë e integrimit Europian
Nga Ditmir Bushati
Pas përfundimit të një debati televiziv në vjeshtën e vitit të kaluar, sikurse ndodh rëndom me vijimin e debatit për inerci edhe pas mbarimit të programit televiziv, teksa po debatoja me një analist, që pa frikë mund të konsiderohet si “restaurues qeveritar”, dhe një prej pronarëve të një televizioni gjithaq proqeveritar, më shokoi qëndrimi i tyre i njëzëshëm për ngjarjen tragjike të 21 Janarit dhe vjedhjen ditën për diell të zgjedhjeve vendore në Tiranë. Sipas tyre, “ngjarjet e 21 janarit 2011 treguan forcën e shtetit, përfshi këtu edhe vrasjet e katër qytetarëve të pafajshëm, të cilat ishin të nevojshme në funksion të vendosjes në vend të dinjitetit të shtetit. Ndërsa, Tiranën nuk mund ta linim më. Aq më tepër që kur mbetesh për një grusht votash, ai që është në pushtet s’do mend që do ta ndryshojë rezultatin në favor të tij”.
Biseda e mësipërme me teknologët politikë të pushtetit, identike me qëndrimet publike poshtëruese të kryeministrit dhe të tijve, nuk reflekton asfare mendësinë e një vendi që aspiron të jetë pjesë e vlerave dhe shoqërisë europiane. Përkundrazi, nxjerr edhe më në pah spiralen e rrezikshme të çdemokratizimit dhe bjerrjen politike, e mbi të gjitha etike dhe morale të jetës publike në Shqipëri.
Në gjykimin tim, ky proces ka hedhur rrënjë me shpërthimin e fabrikës së vdekjes në Gërdec, shkaktarët e së cilës nuk u përballën me drejtësinë. Për të vijuar me dy procese zgjedhore të njëpasnjëshme, të ngjashme me ato që zhvillohen në vendet që mbarojnë me prapashtesën “stan”, të cilat gjeografikisht, politikisht dhe ekonomikisht kanë një destinacion të ndryshëm nga destinacioni ynë europian. Për të kulmuar, me vrasjet e katër protestuesve të pafajshëm nga garda republikane, në 21 Janar 2011. Që u pasua nga manipulimi dhe fshehja e provave. Sikundër kërcënimi konstant i pushtetit ndaj institucionit të akuzës dhe shërbimit informativ kombëtar, shoqëruar me marrjen në mbrojtje politike të zinxhirit komandues të gardës republikane.
Shkrimtari i njohur hungarez Gyorgy Konrad shpjegon në mënyrë elokuente avantazhet e një sistemi demokratik kur shprehet se: “përfitimi kryesor nga demokracia është mbrojtja, e garantuar me ligj, e dinjitetit të qytetarëve të një vendi nga poshtërimi prej duarve të udhëheqësve të tyre. Ajo mbron të dobëtin nga i forti dhe siguron mjetet për te reaguar”.
Mirëpo, ngjarjet e mësipërme, të cilat përcaktuan rrjedhën e 2011, pasojat e të cilave do t’i vuajmë, për sa kohë urdhëruesit dhe ekzekutoret nuk do të përballen me drejtësinë, kontrastojnë katërcipërisht me vlerat që duhet të përçojë një shoqëri demokratike, duke dëshmuar mjerueshëm relativizmin e të drejtës për të jetuar, sa herë që pushtetit i lispet marrja e saj.
Ky nuk është assesi një konstatim cinik. Edhe sikur të mos jetosh në Shqipëri, mjafton t’i hedhësh një sy raporteve dhe indekseve të organizatave ndërkombëtare mbi gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për të dalluar dhe kuptuar rrëshqitjen e Shqipërisë nga shinat e integrimit Europian drejt çdemokratizimit.
Në vend të përmbushjes së agjendës europiane, e cila në thelb synon përmirësimin e standardeve demokratike dhe jetës ekonomike e shoqërore, modeli i çdemokratizimit që përjeton Shqipëria 100 vjeç karakterizohet nga dhunimi i vullnetit popullor, relativizmi i të drejtës së jetës nga pushteti, kthimi i Kuvendit si në një organ ratifikues ndaj vendimeve autokratike të qeverisë dhe asfiksues ndaj opozitës, rrënimi e korruptimi i institucioneve kushtetuese, të cilat nuk përfaqësojnë më shtetin, por pushtetin, çimentimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, shpërdorimi i parave publike, kërpudhizimi i kompanive dhe sipërmarrësve që sigurojnë të ardhura vetëm nga fonde publike, keqpërdorimi pasurive kombëtare; klientelizmi, nepotizmi dhe paaftësia e administratës publike.
Thënë ndryshe, ky model çdemokratizimi bazohet në vendimmarrjen dhe ushtrimin diskrecionar të autoritet qeverisës në shërbim vetëm të një kaste njerëzish të lidhur me interesat e pushtetit. Duke thelluar gjithashtu polarizimin shoqëror dhe penguar zhvillimin ekonomik e shoqëror në mënyrë kohezive.
Kjo spirale e çdemokratizimit përbën pengesën kryesore të jetësimit të projektit të integrimit europian. Pasi çdemokratizimi inspirohet nga interesat pasurore të kastës që qeveris dhe nuk përkon me aspiratën europiane të shqiptarëve, në rrugën e zhvillimit dhe transformimit demokratik. Afërmendsh, procesi i integrimit europian nuk përfshin vetëm një fushë të zhvillimit të vendit, por në formën e një spiraleje ngjitëse prek pak nga pak të gjitha fushat, duke depërtuar në zemër të konceptit dhe modelit të qeverisjes. Pra, është një proces në të cilën e gjitha jeta publike e një vendi aspirant i nënshtrohet një shqyrtimi të hollësishëm në funksion të përmirësimit të gjithanshëm.
Është fakt i pakundërshtueshëm se Shqipëria megjithëse e filloi më herët procesin e integrimit europian, krahasuar me disa prej vendeve të rajonit, sot e sheh veten në vagonin e fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë aderimin në BE. As mbështetja popullore që gëzon ky proces në Shqipëri nuk ka shërbyer si incentiv për elitën politike, për t’u përfshirë në një kurs reformash shtet-ndërtuese.
Për shembull, Kroacia vërtetoi se, procesi i zgjerimit pavarësisht ndërlikimeve që ka pësuar në vite, konfirmohet si një mundësi e patjetërsueshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u transformuar e demokratizuar. Aderimi i pritshëm i Kroacisë në BE dëshmon gjithashtu se procesi i zgjerimit do të vazhdojë për sa kohë reformat përmbushen, duke rrëzuar çdo alibi të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e shohin si varkë shpëtimi krizën ekonomike të BE-së, për të mos përmbushur kësisoj reformat që nevojiten për rrugëtimin europian.
Nënvizoj reformat, pasi Kroacisë iu desh të ndërmerrte vendime të dhimbshme në funksion të jetësimit të ëndrrës Europiane. Iu desh të distancohej nga rruga e ndjekur nga ish heroi i luftës dhe njëkohësisht ish Presidenti Franjo Tudjman. Iu desh të dorëzonte një nga një të gjithë ish heronjtë e luftës pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë. Gjithashtu, iu desh të fuqizonte rolin e prokurorisë dhe të dërgonte para drejtësisë ish kryeministrin Ivo Sanader, arkitektin e disa prej reformave të ndërmarra, dhe një pjesë të kabinetit të tij qeveritar, për shkak të këmbënguljes së BE-së, për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Të njëjtin shembull u detyrua të ndjekë edhe Mali i Zi me largimin nga skena politike të Milo Djukanovicit, moment që shënoi pikën e kthesës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe fillimin e bisedimeve të pritshme për aderim në mesin e vitit 2012.
Aristoteli thoshte një herë e një kohë se shteti është një entitet moral. Në këtë kuptim, transformimi i tij demokratik ka nevojë për një udhëheqje morale me vizion për të ardhmen, e gatshme për të sakrifikuar pushtet. Rasti i Kroacisë vërteton pikërisht një gjë të tillë. Krejt e kundërta ngjet me ne. Krahas evidentimit të një udhëheqje imorale, dështimi i paprecedentë i Shqipërisë për dy vite radhazi për të siguruar statusin e vendit kandidat dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, është një tregues i qartë i faktit se pikëpamjet e BE në lidhje me rrugëtimin europian të Shqipërinë, janë të palëkundura. Ato bazohen mbi rezultate të prekshme që vijnë si pasojë e ndërmarrjes së reformave përmbajtjesore dhe jo mbi angazhime të papërmbushura që mbeten veç në letër. Për shkak të kësaj udhëheqje, vizioni i të cilës nuk kalon caqet e oborrit të vet të diskretituar, në mënyrë paradoksale, kemi një humnerë ndërmjet dy realiteteve: të vërtetin drithërues dhe atë ndritshmin në letër.
Plotësimi i 12 “detyrave të shtëpisë” që na ka lënë BE-ja, e që kanë të bëjnë me: funksionimin e duhur të Parlamentit dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në funksion të shtet-ndërtimit; ndërtimin e një procesi të shëndetshëm demokratik gjatë përzgjedhjes së emërtesave kushtetuese; mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në pajtim me standardet ndërkombëtare; reformën në administratën publike; reformën në drejtësi; luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar; garantimin e të drejtave pronësore në pajtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut; forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve; përmirësimin e trajtimit të të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje, përbëjnë në fakt tharmin e procesit të transformimit demokratik të shtetit shqiptar.
Pikërisht, mënyra se si do të adresohen këto çështje thelbësore për demokracinë dhe shtetin e së drejtës do të tregojë nëse Shqipëria do të shpëtojë nga spiralja e çdemokratizimit për të rivijuar ankorimin drejt BE-së. Viti 2012 ka një simbolikë të veçantë pasi shënon 100 vjetorin e Shqipërisë shtet. Ky 100 vjetor nuk duhet të shërbejë vetëm për festime dhe garë folklorike. Ai duhet të shërbejë si moment reflektimi e përgatitje serioze për një platformë zhvillimi strategjik mbarëshqiptare, në boshtin themelor të së cilës duhet të trupëzohet projekti i ri bashkimit me Europën. Në këtë kontekst, pyetja që sëmbon është nëse Shqipëria do të ritakojë fatin europian e do të kremtojë 100 vjetorin e saj si vend kandidat për në BE?
Përgjigja do të varet nga të paktën tri procese, të cilat i shoh të ndërlidhura me njëra-tjetrën:
1. Mënyra dhe procesi që do t’i paraprijë dhe shoqërojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
2. Ecuria dhe shëndeti i reformës zgjedhore, si garanci për evitimin e inxhinierimit të procesit zgjedhor.
3. Vijimësia e rezultateve të prekshme në lidhje me përmbushjen e standardeve të shtetit të së drejtës.
Këto janë procese vendimtare për vitin 2012, për të ndaluar spiralen e çdemokratizimit, si pengesa kryesore e transformimit demokratik të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Në këtë 100 vjetor të shtetit tonë, na duhet të demonstrojmë se jemi të pjekur jo vetëm për të përballuar sfidat e së tashmes, por edhe për të fituar të ardhmen.
Postuar më 30/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0