Midis integrimit dhe europianizimit

Nga Gentian Elezi

Hapësira europiane po përjeton një nga periudhat më të vështira që pas Luftës së Dytë Botërore. Kriza e zonës së euros, për shkak të dështimit të politikave të borxhit të disa shteteve, ka sjellë në debatin publik europian diskutime të reja mbi të ardhmen e projektit të madh europian. Së pari, diskutohet se çfarë lloj krize është kjo. Katër hipoteza kryesore janë ngritur në mjediset institucionale dhe akademike në Europë, për të shpjeguar arsyet e kësaj krize, përkatësisht: krizë e monedhës së përbashkët, krizë e borxheve, krizë e legjitimitetit nga pikëpamja e marrjes së vendimeve dhe krizë institucionale e Brukselit. E megjithatë gjasat për një shpërbërje si të monedhës së përbashkët, ashtu edhe të vetë Bashkimit Europian, janë shumë të pakta. Analizat kosto-benefite që kanë udhëhequr këtë projekt që nga fillimet e veta, të shtyjnë të mendosh që leverdia është më e madhe nëqoftëse kjo situatë përballohet dhe vazhdohet me integrimin e mëtejshëm.

Po ku qëndron Shqipëria në gjithë këtë proces? Sa fitojmë dhe sa humbasim nga integrimi europian? Ka qenë dhe është një proces burokratik dhe i zbrazët në përmbajtje apo ka sjellë elementë të ndryshimit në funksionimin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar? Pra, ku ka qëndruar Shqipëria në hapësirën midis integrimit dhe europianizimit?

Pyetjet e mësipërme kërkojnë studim dhe analizë të thelluar të procesit, por duke u bazuar te mënyra e funksionimit të Bashkimit Europian dhe teoritë kryesore që shpjegojnë ndërveprimin e tij me shtetet e tjera, mund të formulohen disa qëndrime dhe arsyetime edhe mbi realitetin shqiptar dhe ndërlidhjen e tij me të ardhmen europiane.

Së pari, vetë titulli i esesë kërkon një sqarim të termave të përdorur. Ku ndryshon integrimi europian nga europianizimi? Proceset integruese njihen si bashkime të disa pjesëve, të elementëve të ndryshëm për të formuar diçka të re. Në rastin e Bashkimit Europian, ky proces ka filluar dhe është zhvilluar në mënyrë graduale, duke u mbështetur tek i ashtuquajturi ‘efekt dytësor’ (spillover). Ky koncept mbështet idenë se integrimi në një sektor, sjell në mënyrë të pashmangshme integrim edhe në sektorë të tjerë të ndërlidhur. Pra, duke i dhënë shpjegime funksionaliste procesit, integrimi ka vazhduar në mënyrë të pashmangshme, ashtu si orteku i borës që zbret vrullshëm duke u zmadhuar, për shkak të përfitimeve dhe rritjes së bashkëpunimit që sillte. Integrimi është parë si proces bashkimi të pjesëve të ndryshme të secilit realitet dhe, ashtu si ndërthurja apo mbivendosja e disa rrathëve, kjo ka sjellë krijimin e një hapësire të përbashkët ku ka shkallë të lartë uniformiteti.

Ndërkohë që integrimi ka të bëjë më shumë me procesin pothuajse mekanik të adoptimit të rregullave dhe institucioneve të përbashkëta në një hapësirë të caktuar dhe unifikimit të vendim-marrjes vetëm në atë hapësirë, europianizimi është pasoja e këtij procesi. Europianizimi ka të bëjë me asimilimin dhe përbrendësimin e këtij produkti të përbashkët, nga institucionet, aktorët politikë, por mbi të gjitha nga shoqëria. Në kohët e sotme, ritmi i prodhimit dhe adoptimit të rregullave dhe institucioneve të reja është shumë më i madh se sa aftësia për t’i kuptuar dhe zbatuar ato. Ky është një problem i shumë shoqërive në kohën e globalizimit, por theksohet edhe më shumë në vendet post-totalitare me kapacitete të ulëta administrative dhe institucionale. Në këtë kuadër, hallka e dobët e hapësirës midis integrimit dhe europianizimit të Shqipërisë qëndron pikërisht tek kuptimi dhe zbatimi i asaj çka ‘kopjohet’ nga Bashkimi Europian. Performanca e vendit nga pikëpamja e adoptimit të rregullave dhe institucioneve sipas modelit europian është mjaft e kënaqshme. Kjo nuk do të thotë që nuk ka probleme me cilësinë e ligjeve dhe mënyrën se si i përshtasim në realitetin shqiptar, përkundrazi.

Por moment edhe më delikat mbetet aftësia e kuptimit dhe e zbatimit. Zbatueshmëria e legjislacionit komunitar dhe më gjerë, është tregues që ndikon drejtpësëdrejti në legjitimimin e këtij procesi dhe për rrjedhojë edhe në vetë nivelin e europianizimit. Duke adoptuar ligje dhe duke ngritur institucione, pa i kuptuar dhe pa i përshtatur me realitetin, ulet efikasiteti i zbatimit të këtyre normave dhe për rrjedhojë dobësohet procesi i europianizimit. Këtu janë me vend edhe kritikat për mënyrën se si është administruar ky proces në vende si Shqipëria. S’ka dyshim që Bashkimi Europian e ka të qartë kushtëzimin drejt anëtarësimit dhe kushdo duhet të përmbushë kriteteret dhe kushtet e paracaktuara. Por rruga se si shkohet atje nuk mund të jetë e njëjtë për secilin shtet, aq më tepër kur kanë karakteristika dhe nuanca të ndryshme. Vitet e tranzicionit kanë kërkuar sprova jashtëzakonisht të mëdha për vendet ish komuniste, duke reformuar njëherësh disa sektorë të shoqërisë dhe duke ndryshuar panoramën institucionale të mënyrës së funksionimit të saj. Ky proces ka ecur paralelisht me integrimin, por ky i fundit ka diktuar hapin dhe përmbajtjen e reformave, më shumë se sa nevojat dhe interesat e mirëpërcaktuara të vetë vendeve. Nuk po themi që kërkesat e Bashkimit Europian janë të dëmshme për Shqipërinë. Demokracia e konsoliduar, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, ekonomia funksionale e tregut, etj., janë padyshim aspirata të vendit, por axhenda dhe ritmi i paracaktuar nga Brukseli lidhur me punën në këto fusha është përgatitur në mënyrë uniforme për të gjithë vendet, pa bërë dallime thelbësore në kapacitetet financiare, karakteristikat dhe nevojat e tyre kohore. Duke përfituar nga dobësia e aftësive negociuese të institucioneve shqiptare, Bashkimi Europian është imponuar pikërisht në këto terma. Kjo ka bërë që procesi i integrimit të shndërrohet nga mjet për europianizimin e Shqipërisë, në qëllim në vetvete.

Pasoja e dytë, e lidhur me argumentimin e mësipërm, ka të bëjë me mënyrën se si kjo lloj qasjeje ndaj procesit ndikon në të ardhmen tonë si anëtarë të Bashkimit Europian. Parulla historike e Bashkimit Europian, e artikuluar nga themeluesit e tij, ka qenë “bashkim në diversitet”. Kjo nënkuptonte që procesi i integrimit duhet të krijojë terrene të përbashkëta, por duke përfshirë në gjirin e vet të gjithë shumëllojshmërinë e kulturave dhe karakteristikave të shoqërive të ndryshme që i bashkoheshin këtij projekti. Me imponimin e Bashkimit Europian nëpërmjet procesit të kushtëzimit dhe me forcimin e rolit të institucioneve të tij në proceset e anëtarësimit të viteve të fundit, gjithmonë e më shumë ky raport po shndërrohet në një varësi me një drejtim. Për arsye strukturore të brendshme, por edhe për shkak të karakteristikave të vendeve jashtë Bashkimit Europian, duket se kjo bashkësi tashmë nuk ofron shumë hapësirë për përthithjen e vlerave dhe kulturave të shoqërive jashtë saj. Gjithmonë e më shumë procesi i integrimit po i ngjan një uniformimi radikal, ku vendit aspirant i kërkohet të përshtatet ndërkohë që vetë Bashkimi Europian nuk ndryshon më. Fleksibiliteti dhe hapja e tij në këtë drejtim duket se ka përjetuar një tkurrje në vitet e fundit, duke e bërë atë një strukturë edhe më konservatore dhe të kujdesshme ndaj ‘të huajit’. Duket sikur Europa është kaq, kjo që u ndërtua tashmë, prandaj kushdo që kërkon të hyjë nuk ka ç’të kontribuojë më në pasurimin e saj, por thjesht duhet të përshtatet. Kjo nuk ka si të jetë e vërtetë dhe cënon në thelb vetë parimin e origjinës së këtij projekti. Por asnjëherë si më parë Bashkimi Europian nuk ka hasur vende aspirante kaq të dobët e kaq problematikë. Për rrjedhojë, mënyra se si Shqipëria po shkon drejt anëtarësimit reflekton nxitim dhe pakujdesi nga pikëpamja e përmbajtjes së procesit. Duhet një vëmendje më e lartë ndaj këtij aspekti, duke treguar më shumë kujdes edhe në kërkesat e Brukselit dhe, mbi të gjitha, në afatet kohorë që imponohen. Patjetër që Shqipëria ka humbur shumë kohë në rrugën e integrimit, por shpejtimi i këtij procesi thjesht e vetëm formalisht, cënon emancipimin dhe europianizimin e vendit si dhe rrezikon ta prezantojë atë para derës së Bashkimit Europian si një vend që nuk ka gjëra për të ofruar.

Së fundi, i gjithë ky proces duhet të shkëputet sa më shumë nga retorika e politikës së brendshme. Dëmi që i ka sjellë integrimit keqpërdorimi dhe bashkëngjitja që i është bërë me kauza të rëndomta të rendit politik të ditës, është i vështirë për t’u matur,  por i lehtë për t’u vëzhguar. Rreziku i moskuptimit dhe delegjitimimit të procesit në sytë e shoqërisë shqiptare rritet edhe më shumë nga kuptimi kallp që i jepet integrimit nga ana e klasës politike. Një shembull i qartë është rrëmuja mediatike e debateve dhe mesazheve që palët politike krijojnë çdo vit, pas publikimit të raportit të progresit që Komisioni Europian publikon në kuadër të monitorimit të Shqipërisë. Çdo vit, ‘kacafytja’ politike zhvillohet duke pushtuar ekranet televizive dhe orientohet drejt interpretimeve të gotës gjysmë plot ose gjysmë bosh. Të paktën vitin e kaluar, palët ranë dakord që gota ishte bosh dhe beteja u zhvendos në terrenin e përkatësisë së fajit. Ashtu si mbreti Midas në mitologjinë e lashtë greke që kthente në ar çdo gjë që prekte, duket sikur politika shqiptare cënon çdo proces që prek dhe e vesh me petkun e përplasjes politike. Çështja e integrimit duhet të dalë nga kjo vorbull dhe duhet të marrë pamjen e një projekti kombëtar, mbi politikën. Ajo duhet të angazhojë gjithë grupet e tjera të shoqërisë, nga akademikët e intelektualët, tek ekspertët, grupet e interesit, shoqatat e ndryshme, etj. Shteti dhe politika shqiptare janë aktorët kryesorë të këtij procesi, por autorësia dhe, për rrjedhojë, përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm tek ta, por duhet shpërndarë në gjithë shoqërinë shqiptare. Në këtë kuadër, duhen nxitur sa më shumë debatet dhe nismat që analizojnë e kërkojnë ta kuptojnë këtë proces, duke ballafaquar idetë dhe ofruar zgjidhje sa më të përshtatshme për terrenin shqiptar.

 

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 30/01/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: