Shansi i fundit

Nga Gjergji Filipi

Sfida e udhëheqësve politikë të tranzicionit mbetet ende e hapur, ndërsa ata nuk kanë arritur t’i binden me kurajo e përgjegjësi vullnetit të shqiptarëve për t’iu bashkuar Europës.

Slogani me të cilin studentët protestues rrëzuan regjimin komunist në Shqipëri më 1991 ishte: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Dy dekada pas rënies së regjimit mbi 80 përqind e shqiptarëve ende e kërkojnë këtë. Në daljet publike të udhëheqësve të vendit dëgjojmë vazhdimisht se “prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian”. Por, në këtë pikë, ka një problem më këtë shpallje të përsëritur shpesh. Si me shumicën e shpalljeve publike në Shqipëri, sidomos këtë e ka zënë inflacioni.

Është e vërtetë që objektivi i integrimit në BE është një nga çështjet e pakta me të cilën bashkohen edhe partitë kryesore politike, qoftë edhe ato më thellësisht të ndara. Gjithashtu shpallet gjerësisht se procesi i integrimit europian është forca nxitëse për disa nga reformat më të nevojshme të vendit. E megjithatë në vitet e fundit, shumë përpara se makina shqiptare të arrijë formalisht linjën e startit të garës së anëtarësimit, motori i saj gulçon rëndë.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me BE në vitin 2006, 13 vjet pasi një vend tjetër ballkanas, Bullgaria, nënshkroi Marrëveshjen e saj Europiane. Ndërsa evenimenti u festua shkurtimisht, i gjithë momentumi i shumëpritur për europianizimin e shoqërisë shqiptare humbi pas glorifikimit politik të aktit të nënshkrimit. Që prej asaj kohe, integrimi europian u rikthye sërish në një fjalë frymëzuese për fjalime elektorale. Të gjithë udhëheqësit mbështesin publikisht Shqipërinë Europiane dhe askujt nuk i kërkohet realisht të punojë për ta bërë të prekshme për shqiptarët këtë ëndërr të bukur. Vazhdon të lihet për më vonë përkthimi i kësaj aspirate popullore të mbipërdorur për të fituar pushtet, në përfitime të drejtpërdrejta për qytetarin shqiptar, pronarin autor të vërtetë dhe të vetëm të: E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”.

Nga ana tjetër, BE sillet pasive me një situatë të tillë. E ka parë Shqipërinë si një nxënës të urtë të rajonit shumë problematik. Nuk është më i miri i klasës së Ballkanit,  por as edhe më i keqi. Në kontekstin e politikës ballkanike, stabiliteti i Shqipërisë dhe mbështetja e saj për politikat e BE-së në rajon mund të merren të garantuara. Në rastin e Shqipërisë nuk ekziston asnjë shqetësim europian mbi konflikte etnike apo përcaktim kufijsh, shqetësime këto që ekzistojnë në shumicën e fqinjëve të tjerë. Në Shqipëri nuk ekziston asnjë lëvizje apo parti, që i lë pa gjumë diplomatët e BE-së.

Janë vendet e tjera të rajonit të mbetura jashtë BE-së që e kanë tërhequr me sukses vëmendjen e tyre. Kroacia, nxënësi i shkëlqyer, i pranuar tashmë për t’u anëtarësuar. Serbia, me vendosmërinë e pjesëve influenciale të elitës së saj për të kundërshtuar drejtpërdrejt interesat e BE-së në Kosovë e rajon, është  pikërisht  nxënësi  më  i  vështirë  i  klasës  që  i  bën  zyrtarët  e  BE-së  të shqetësohen dhe për të cilin bëhen lëshime në emër të ‘lojës së madhe’. Vështirësisht e besueshme në dritën e së shkuarës së rajonit,  por edhe sepse pothuajse gjysma e popullsisë atje voton vazhdimisht partitë që janë kundër integrimit në BE, Serbia është që prej pak javësh zyrtarisht vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Kjo sjellje e zyrtarëve europianë nuk është irracionale. Një Serbi demokratike dhe e qëndrueshme është shumë e rëndësishme. Sidoqoftë, ajo që të habit është se udhëheqësit shqiptarë duket se janë mjaftuar me rolin e nxënësit të urtë e pasive në sytë e BE-së, ndërkohë që në sytë e shqiptarëve impenjohen intensivisht me lojëra démodé të tipit kujt i ngelet derri [faji].

Në Ballkan kemi një dinamikë të re pas dështimeve të njëpasnjëshme të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Europianizimi i rajonit po shkon drejt një renditje të re. Kroacia konsiderohet si jo më Ballkan’, meqënëse do të bëhet anëtare e radhës me të drejta të plota në BE vitin që vjen. Në vitin 2012, vendet e Ballkanit janë ndarë në dy kategori: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që kanë statusin e vendit kandidat dhe po përfshihen në negociata për anëtarësim të plotë në BE; dhe dy vendet e mbikqyrura intensivisht nga ana e BE-së, Kosova dhe Bosnja, plus Shqipërinë janë lënë prapa në një kategori të vetme: të stigmatizuara si shoqëri që ëndërrojnë Europën, por iu mungon kurajua dhe vendosmëria për të vepruar në përputhje me retorikën e tyre.

Dëgjojmë se në Shqipëri të ardhurat mesatare për frymë janë rritur, investimet e huaja direkte janë rritur gjithashtu, papunësia duket në nivele të ulëta në krahasim me rajonin, numri i turistëve të huaj është shumëfishuar dhe investimet private e publike kanë transformuar infrastrukturën fizike të vendit, portet, rrugët, plehrat dhe stacionet energjitike. Nga pikëpamja e kriterit ekonomik duket se jemi më mirë se fqinjët e rajonit dhe nuk duhet të jemi shumë më keq se sa janë mesatarisht qytetarët e BE-së sot.

Por në fakt, nëse dikush do ta prezantonte këtë vizion si pjesë të një programi politik, kundërshtari do t’ja hidhte poshtë si një fantazi të shfrenuar demagogjike.

Integrimi europian do të ishte një premisë e shkëlqyer për një sukses të gjithanshëm për Shqipërinë. Historia, madje ajo afatshkurtër e BE-së njeh disa histori suksesi.

Francesco Grillo, nga London School of Economics, sugjeron se nëse tendencat aktuale mbeten të pandryshuara, edhe Rumania mund t’ia kalojë Italisë në vitin 2020! Qëllimi i kësaj fraze ishte të shokonte Italianët, por deklarata nuk do të funksiononte nëse nuk do të kishte fakte të vërteta. Po të vëresh ecurinë e Rumanisë dhe transformimin e saj që prej fundit të viteve ‘90-të është jashtëzakonisht domethënës. Një nga shkencëtaret politike avant-garde në Rumani, Alina Mungiu Pippidi, ka vërejtur se:

“Ekzistenca e një opsioni Europian parandaloi që Rumania të mbetej si Shqipëria, ose të bënte prapa për t’u kthyer në një Bjellorusi të re… Integrimi Europian dhe perspektiva e pranimit në BE kanë formësuar politikën rumune më shumë se kushtetuta e ligji elektoral, dhe është pikërisht në këtë ambient sfidues ku Europa ka arritur sukseset e saj më të mëdha deri tani.”

Duke vështruar prapa në kohë, Alina Mungiu-Pippidi këmbëngul se “ajo që është e rrallë dhe ka nevojë për shpjegim në rastin e Rumanisë nuk është ndarja e vështirë me të kaluarën e saj komuniste, por rezultati final pozitiv: nënshkrimi i Traktatit të Pranimit me Bashkimin Europian në Prill 2005.” Procesi i pranimit në BE ka luajtur një rol kyç në transformimet dramatike të dekadës së fundit:

“Perspektiva e pranimit në BE i hapi derën një forme të re të ndryshimit politik, një ndryshim i nxitur nga poshtë por që avantazhin e merrte nga kushtëzimi i jashtëm, e domosdoshme kjo në një shoqëri ku njerëzit e pushtetshëm qëndronin mbi ligjin.”

Perspektiva për anëtarësim në BE ka pasur një ndikim thelbësor duke luajtur rolin e spirancës për reforma. Nxitja për t’iu bashkuar BE-së u bë një ndër nismat më të fuqishme për të ndërmarrë reformat madhore në të gjitha vendet kandidate. Por ky nuk ishte vetëm një proces reformimi teknik. Vullneti dhe perspektiva për anëtarësim në BE patën efektin e tyre më të thellë e unik në çdo dimension të shoqërisë në vendet aplikuese, qoftë kjo në cilësinë e administratës, rindërtimin e shoqërisë civile, marrëdhëniet mes aktorëve politikë e mes institucioneve të shtetit, apo edhe në marrëdhëniet ndëretnike. Energjia  që la pas ky ndryshim  ishte  një  publik  rumun  i  cili  dëshironte  t’i  bashkohej Europës në mënyrë të dëshpëruar dhe e kishte zët të lihej prapa.

Shqipëria ishte e para ndër vendet e rajonit e cila filloi negociatat me BE për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në vitin 2003. Negociatat u mbyllën me sukses dhe Marrëveshja u nënshkrua në Qershor 2006, duke shënuar kështu dhe përmbushjen e hapit të parë madhor të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Në prill 2009 Shqipëria u anëtarësuar në NATO. Ky është padyshim një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, por nuk na vendos apriori në avantazh në procesin integrues. Vendet e tjera konkurrente të rajonit, ndonëse nuk janë kurrorëzuar si të tillë, kanë treguar sigurisht se kanë më shumë ambicie drejt BE-së. Në prill të 2008-ës, menjëherë pas nënshkrimit të një MSA-je kushtëzuese, Presidenti Serb Boris Tadic tha në një konferencë për shtyp në Luksemburg, se Serbia synon “të bëhet një vend kandidat zyrtar brenda fundit të vitit”. Maqedonia me gjithë bllokimin e saj për çështjen e emrit nga ana e Greqisë, u sigurua nga Komisioneri Fule në 15 mars për një procedim de facto të negociatave të anëtarësimit në BE. Mali i Zi është vendosur se do të nisë formalisht negociatat e anëtarësimit në Qershor 2012.

Në rastin e Shqipërisë  kemi të bëjmë me çështjen e kredibilitetit të vetë qeverisë. Qeveria shqiptare ka pohuar në 2008-tën në Strategjinë e saj Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, kuadri themelor i politikave zhvillimore të vendit, se “dhënia e statusit të kandidatit për në BE do të bëhej e mundur brenda një periudhe dy-vjeçare”.

Kostoja e vonesës është reale për ne qytetarët shqiptarët. Duke marrë dy herë rradhazi përgjigje negative për statusin e vendit kandidat Shqipëria humbi sërish momentumin rajonal. Akoma më keq, nëse do të marrë edhe përgjigjen e tretë negative në vjeshtën e këtij viti mund të humbasë përfundimisht trenin për t’uy bërë vend anëtar njëkohësisht me vendet ‘e kopsitura’ të rajonit, me të cilat në fakt jemi në garë nga këndvështrimi konkurrencial ekonomik e financiar. Nga ana e BE-së ka dukshëm një nxitje zgjeruese përsa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa Kroacia vitin e ardhshëm është vendosur të bëhet vend antar me të drejta të plota në BE, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia i kanë hipur tashmë trenit drejt antarësimit në BE.

Impakti më i madh sidoqoftë do të jetë mbi vetë Shqipërinë. Progresi real drejt rekomandimeve të BE-së do t’i bënte qytetarët shqiptarë të kuptojnë se tranzicioni i frikshëm e i lodhshëm nuk do zgjasë përgjithmonë.

Me sa duket, pranimi në BE nuk përbën një qëllim aq real sa proklamohet publikish, nga ana e  udhëheqësve tanë. Nuk duket të jetë epiqendra e politikave tona të brendshme e të jashtme. Nuk duket të jetë udhërrëfyesi i administratës e diplomatëve. Objektivi i pranimit në BE duhet të lidhet me një vizion ndryshe mbi zhvillimin e vendit dhe një sërë përfitimesh konkrete për shqiptarët, sigurisht përtej përfitimit sipërfaqësor të lëvizjes pa viza (edhe atë na e dhuruan pas Bosnjës). Integrimi europian ‘prej vërteti’ duhet të jetë vizioni ambicioz e i qënësishëm për një Shqipëri të re moderne e bashkëkohore.

Ka ardhur koha për Shqipërinë dhe shqiptarët të zgjohen ndaj këtij rreziku dhe t’i vendosin vetes e vendit një qëllim ambicioz. Shqipëria ka nevojë të gjejë formën për të shprehur politikisht konsensusin e fortë popullor përsa i përket integrimit europian. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet të ndalojnë së thëni vetes që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së dhe të bëjnë hapa konkretë, pra të prekshëm për qytetarët, drejt trajtimit të tyre si europianë. Mbetet urgjente përmbushja sa më e shpejtë e me çdo kosto e të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Lufta e gjelave në politikën lokale po krijon kosto të parikuperueshme për qytetarët shqiptarët. Në fund të fundit, ç’i intereson shqiptarëve europianë se kush e ka fajin apo se në c’mënyrë duhen përmbushur këto rekomandime, kur në fakt ajo që po ndodh në realitet është përsëritja e një gabimi fatal të së shkuarës: po humbasim trenat e rradhës për të pasur një nivel jetese më të mire, nivelin europian të merituar të jetesës në Shqipërinë tonë të dënuar nga përballjet historike prej së jashtmi, por në dekadat e fundit dhe të rraskapitur nga përballjet histerike prej së brendshmi.

Sa i përket qytetarëve shqiptarë, një Shqipëri vërtet europiane është e mundur. Ata shprehen e rrojnë me vlera si europianë, konsumojnë, kursejnë dhe dërgojnë remitanca në shtëpi me shpresën dhe aspiratën e një Shqipërie europiane. Gjithçka pritet është që udhëheqësit, le të mos jenë më të mirë seç meritojnë shqiptarët, por minimalisht t’i binden me kurajo e përgjegjësi vullnetit të tyre. Çdo ditë që kalon është një ditë e munguar nga jeta prej qytetari europian e secilit shqiptar, që nga ana e tij, i ka mbibërë detyrat e shtëpisë. Është koha që të na jepet shpagimi i shumëpritur, madje tashmë duket të jetë disi vonë.

Rreth Moderatori

journalist

Postuar më 18/03/2012, te Debati për integrimin. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: