Midis integrimit dhe europianizimit

Nga Gentian Elezi

Hapësira europiane po përjeton një nga periudhat më të vështira që pas Luftës së Dytë Botërore. Kriza e zonës së euros, për shkak të dështimit të politikave të borxhit të disa shteteve, ka sjellë në debatin publik europian diskutime të reja mbi të ardhmen e projektit të madh europian. Së pari, diskutohet se çfarë lloj krize është kjo. Katër hipoteza kryesore janë ngritur në mjediset institucionale dhe akademike në Europë, për të shpjeguar arsyet e kësaj krize, përkatësisht: krizë e monedhës së përbashkët, krizë e borxheve, krizë e legjitimitetit nga pikëpamja e marrjes së vendimeve dhe krizë institucionale e Brukselit. E megjithatë gjasat për një shpërbërje si të monedhës së përbashkët, ashtu edhe të vetë Bashkimit Europian, janë shumë të pakta. Analizat kosto-benefite që kanë udhëhequr këtë projekt që nga fillimet e veta, të shtyjnë të mendosh që leverdia është më e madhe nëqoftëse kjo situatë përballohet dhe vazhdohet me integrimin e mëtejshëm.

Po ku qëndron Shqipëria në gjithë këtë proces? Sa fitojmë dhe sa humbasim nga integrimi europian? Ka qenë dhe është një proces burokratik dhe i zbrazët në përmbajtje apo ka sjellë elementë të ndryshimit në funksionimin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar? Pra, ku ka qëndruar Shqipëria në hapësirën midis integrimit dhe europianizimit? Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

2012, një vit pa ngjarje

Nga Sokol Balla

Një nga librat e mi të preferuar kur isha fëmijë dhe adoleshent, ka qënë romani fantastiko shkencor i Thanas Qeramës, “Një ngjarje në vitin 2044”. Letërsia për fëmijë e viteve 80, besoj ishte një farë escape nga rregulli i ngurtë i letërsisë zyrtare, dhe kjo solli lulëzimin e shkrimtarëve si Qerama, Dedja, Hysenbegas, apo Bushaka. Të cilët i lëshoheshin fantazisë në botën e fëmijëve, aty ku liria e saj, ishte më pak e kontrolluar. E për më shumë kur flitej për ashensorë që lidhnin tokën me Hënën, në 100 vjetorin e Çlirimit të vendit. Kuptohet, se kjo datë, dhe jo data 28 nëntor, duhej ngritur në qiell. Jo thjesht simbolikisht, por fjalë për fjalë. Ishte kompromisi i vogël që shkrimtarët duhet të bënin, që vepra e tyre të botohej.

Kjo m’u kujtua, ndërsa pak ditë më parë ndiqja një seancë në kuvend, ku zonja Topalli, tashmë me atributet de facto të kreut të shtetit, nisi festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë. Se ky vit është viti kur mbyllet një shekull nga ajo ditë historike, kur aspiratat e një kombi të vuajtur për t’u quajtur shtet, morën një karakter formal, që prej 5 shekujve, pasi i vetmi burrë shteti “pa dashje” (Skënderbeu), i dha lirinë këtyre trojeve, nga maja e tij e shpatës së gjakosur me gjak lindor anadollak. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Ura

Nga Besnik Mustafaj

Diku në maj 1994 gjendesha në Trieste i ftuar nga Universiteti i këtij qyteti  për një ligjëratë dhe, me atë rast, më takoi një gazetar i Corriere della Sera për një intervistë. Në njërën nga pyetjet e tij të para, – më kujtohet mirë, – ai më thoshte se Shqipëria ishte urë midis Orientit dhe Perëndimit.

Unë isha prej afro dy vjetësh ambasador i Shqipërisë në Francë dhe një përcaktim të tillë për vendin tim e kisha dëgjuar shpesh në mjedise politike, diplomatike, letrare, universitare. Në mënyrën se si shqiptohej nga bashkëbiseduesit, qofshin ata politikanë, diplomatë, shkimtarë apo universitarë, nuk kisha vënë re ndonjëherë shenja keqdashjeje apo nënçmimi. Përkundrazi. Kisha patur zakonisht përshtypjenn se të tjerët kishin gjetur kështu një metaforë ngacmuese për imagjinatën për të më pohuar me mirësjellje dhe modesti se nuk ishin krejt të paditur  rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje dinin diçka thelbësore, por të pamjaftueshme për të ndërtuar një bisedë  fort të ngritur, siç paramendohej të ishte biseda me një ambasador, një bisedë të ushqyer sigurisht nga kureshtja e stërholluar  intelektuale. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Europa në mes tonë

Nga Ardian Vehbiu

Njerëzit gjithnjë kanë ëndërruar për një vend tjetër, një tokë të lakmuar, ndonjëherë të premtuar, një truall ku një ditë të mund ta ndërtojnë jetën nga e para; një hapësirë ku të jetojnë në mirëqenie dhe paqe, ku të arrijnë nirvanën pa mundim, njohjen e vërtetë të vetes dhe të sendeve; një parajsë, një xhenet, fundja edhe një Kopsht të Edenit, një locus amoenus.

Brezi im do të mbahet mend jo si brezi që ëndërroi për të gjitha këto, meqë ëndërrimi është pjesë e të qenit njeri; por si brezi që, i vetmi nga të gjithë brezat, e përjetoi përnjëmend, edhe pse fare shkurt, ngjitjen në parajsë; një parajsë e cila iu përhi në trajtat e Europës.

Ky fat i rrallë, me ngjyra të forta mitike, u mundësua falë një kombinimi rrethanash: Luftës së Ftohtë, izolimit të Shqipërisë, mbylljes shumëvjeçare të kufijve, autarkisë dhe varfërisë së madhe nën regjimin totalitar; por edhe kontaktit të ngushtë të shqiptarëve me imazhet e lustruara të Perëndimit, që i kapërcenin me lehtësi ato pak kilometra kub ajër që ndanin të këtejmen nga e andejmja, për të mbjellë vizione dhe shpresa, në mendjet tona pjellore. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Stina europiane e Shqipërisë apo në pritje të Godosë?

Nga Ilir Kalemaj

Projekti i Bashkimit Evropian është në mes të një udhëkryqi që si rrallëherë kërcënon vetë fatin e ekzistencës së tij. Tajfuni financiar, divergjencat mes vendeve anëtare, falimentimi i mundshëm i disa prej tyre, gjë që e bën skenar të besueshëm dhe fundin e Eurozonës dhe monedhës së përbashkët euro; së bashku përbëjnë dhe lajtmotivin kryesor në mediat anembanë botës.

Kjo krizë e tejzgjatur po vë në teh të lahutës dhe integrimin e mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më specifikisht edhe të vendit tonë. Natyrisht sikundër u shpreh ish-ministri i jashtëm çek gjatë një vizite në Shqipëri rreth dy vjet më parë, “një shtëpie që fut ujë, nuk mund t`i kërkosh të presë mysafirë”. BE ndodhet përpara disa dilemave të vështira, të cilat kërkojnë sa një përgjigje ekonomike për të përballuar një nga recensionet më të mëdha dhe të stërzgjatura që nga Lufta e Dytë Botërore, aq edhe politike për t`iu përgjigjur pikëpyetjeve që rrethojnë fatin e mëtejshëm të këtij projekti, qe  nisi si një marrëveshje e thjeshtë teknike për qymyrin dhe çelikun mes Francës dhe Gjermanisë në vitin e largët 1952 dhe u zhvillua në një drejtim që nuk ka ekuivalencë tjetërkund në botë apo histori. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Paradigma dëshpëruese e integrimit në Bashkimin Europian

Nga Blendi Kajsiu

Në fillim të viteve 1990 integrimi i Shqipërisë në BE (atëherë Komuniteti Europian) është bazuar tek një shpresë e madhe se integrimi në BE ishte rruga e rimëkëmbjes dhe e kthimit të Shqipërisë në identitetin e saj evropian.  Një nga parullat më të fuqishme që udhëhoqën lëvizjen studentore në përballjen e saj me regjimin komunist ishte; “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!”.  Me rënien e sistemit komunist Evropa zëvendësoi hapësirën simbolike që kish boshatisur rënia e komunizmit si ide organizuese e shoqërisë shqiptare.

E thënë më thjesht, ideja se socializmi i vështirë ishte një fazë kalimtare drejt komunizmit si stacion përfundimtar, u zëvendësua me idenë se tranzicioni i vështirë demokratik ishte një fazë kalimtare drejt Europës si stacioni përfundimtar.  Në të dyja rastet logjika teleologjike mbetej e njëjtë, por utopia komuniste zëvendësohej me atë europiane. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Integrimi në BE – hendeku gjigand mes perceptimit dhe realitetit

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një studim i kryer vjet nga Instituti Shqiptar i Marredhenieve Nderkombetare , rezultonte se 47% e banorëve të Shqipërisë besonin se vendi ynë e kishte fituar tashmë statusin e vendit kandidat për antarësim në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa 10% të tjerë shkonin edhe më larg – besonin se Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e BE-së! Sipas studimit, vetëm 40% e shqiptarëve kishin njohuri të sakta rreth statusit aktual të Shqipërisë në rrugëtimin e mundimshëm drejt BE-së, ndërsa 3-shi tjetër futej në kategorinë “ku di gjë unë”. Dhe dëshpëruese është se përbërja demografike e pakicës së shqiptarëve që e kishin të saktë perceptimin për statusin aktual të Shqipërisë në raport me BE-në na tregon se vetëm 1 ndër 10 prej tyre i përkisnin grupmoshës 18-24 vjeç…

Por pse ekziston ky hendek gjigand mes perceptimit rreth procesit të integrimit evropian dhe realitetit të tij, kur mosdhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në dy vjetët e fundit ka qenë një nga kryetemat e debateve politike shqiptare? Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Europa! Dy dekada ikën. Edhe sa…?

Nga Lutfi Dervishi

Shqipërisë i duhen 10-15 vjet për t’u bërë si Europa. – Kjo deklaratë është bërë para pak javësh nga një zyrtar i Komisionit që merret me Shqipërinë-. Është një nga variantet optimiste, por premtimi nuk është  i plotë. Pjesa e dytë e fjalisë është: “nëse punët ecin mirë”.  Por ky “premtim” është bërë edhe 20 vjet më parë nga lideri i opozitës së asaj kohe, sot kryeministri vendit në një gazetë italiane.

Deklarata e bërë para 20 vjetëve, shkaktoi tërmet! Gazeta e partisë në pushtet e botoi me gërma të mëdha në faqen e parë. Në prag të fushatës elektorale të 1992, një premtim për të shkuar në Europë pas 10-15 vjetësh ishte një autogol politik. Entuziazmi për të rrëzuar komunizmin dhe ëndrra për të qenë të lirë kishte krijuar përshtypjen se mjaft të rrëzohej regjimi vjetër dhe sa hap e mbyll sytë do të ndodhte mrekullia! Nuk kishte njeri as nge, as nerva për të pritur 20 vjet. Votat nuk merren duke premtuar se do të bësh realitet ëndrrën pas një gjenerate.  Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

A e ka humbur Bashkimi Evropian tërheqjen magjike për shqiptarët?

Nga Alba Çela*

Në studimin e të përvitshëm të analizës së perceptimeve dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë përsa i përket procesit të integrimit evropian të vendit, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare (ISN) thekson se në vitin 2011 vihet re rënia më e fortë  e mbështetjes për integrimin evropian në të gjithë vitet që ky institut ka kryer këtë sondazh. Me një përqindje aprovimi prej 80.6 përqind kundrejt 10 përqind të qytetarëve që shprehen kundër hyrjes së Shqipërisë në BE, ISN thekson se kemi një rënie të theksuar nga viti i kaluar kur niveli i mbështetjes ishte mbi 93 përqind.

Para se të përpiqem të përmend disa arsye të mundshme të kësaj rënieje të nivelit të përgjithshëm të mbështetjes, dua të sjell në vëmendjen e lexuesit faktin që në terma absolute ky nivel mbështetjeje është ende shumë i lartë. Asnjë nga vendet e rajonit, perceptimet e të cilave i mat sondazhi ‘Balkan Monitor’ i të së mirënjohurës Gallup International, nuk ka një nivel mbështetjeje kaq të lartë për integrimin evropian. Fakti që mbi 80 përqind e shqiptarëve ende do të votonin me siguri pro hyrjes së Shqiperisë ne BE nuk është për t’u anashkaluar. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri

Nga “Vallja e Shpatave” tek ‘Tangoja e Integrimit”

Nga Geron Kamberi

Ndoshta gotat e shampanjës do të trokiten pak  më me ndrojtje dhe entuziazën në 25  Mars të vitit 2012  në përkujtim të përvjetorit të 55-të Traktatit të Romës  që hodhi themelet e Komunitetit Ekonomik Europian .  Pavarësisht krizës së sotme të eurozonës,  askush  nuk do ta kishte menduar  atëherë se  6 vendeve  themeluese  do t’u  qëndronin në krah pas 55 vjetëve  edhe 21 vende të tjera europiane nga perëndimi në lindje që iu bashkuan këtij projekti vit pas viti. Ai që nisi fillimisht si  përpjekje për të pajtuar  Gjermaninë dhe Francën  u shndërrua në një magnet tërheqës  për paqen  dhe mirëqenien afatgjatë të mbarë kontinentit.

Në të njëjtin vit kur niste ky rrugëtim i gjatë dhe i ndryshëm i Europës drejt diçkaje të re , Shqipëria ishte e përfshirë  gjeografikisht në juglindje të saj por i përkiste një hapësire tjetër politike dhe ekonomike që do të emërtohej si lindja komuniste e Europës. Si për ironi  të fatit përballë universiteteve me moshë qindravjecare të Europës, ajo përjetonte atë vit jo vetëm  komunizmin por edhe  lindjen e Universitetit të parë  çka dëshmonte se vonesat e saj të historisë nuk ishin vetëm  rastësi sistemesh. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri